E Diel, 1 Nëntor 2026

Telashe në Kupën e Afrikës, bastet sulmojnë aktivitetin

Kupa e Afrikës po bën më shumë bujë jashtë fushës së lojës, se sa në paraqitjet e skuadrave në këtë aktivitet të rëndësishëm për kontinentin që po përgatitet për organizimin e botërorit të ardhshëm. Shkak janë bërë përfshirja e disa skuadrave në tentativa korrupsioni, me qëllim manipulimin e ndeshjeve në favor të kompanive të basteve. Pas tentativës së dështuar me trajnerin e Beninit, përfaqësueses të kompanive të basteve aziatike kanë provuar të flasin direkt me lojtarët e Namibisë, por pa sukses. Megjithatë, ky "interesim" i kompanive të basteve ka alarmuar CAF që ka nisur hetimin për këtë çështje. Një nga masat është edhe shoqërimi i skuadrave gjatë pjesës së mbetur të aktivitetit, në mënyrë që të shmangë kontakte me persona të padëshiruar.

Trajneri i Beninit, Reinhard Fabish, deklaroi dje se kishte filluar bashkëpunimin me CAF, për të vërtetuar deklaratat ku ai pretendonte se një person i kishte kërkuar të manipulonte ndeshjen me Malin. "Unë kam informuar komitetin organizues të aktivitetit rreth asaj që ndodhi. Jam i gatshëm të ndihmoj në çdo mënyrë hetimet e CAF rreth kësaj çështjeje. Nëse njerëzit qëndrojnë pa vepruar, ata do ta shkatërrojnë edhe më shumë sportin. Të gjithë e dini se çfarë po ndodh këto ditë në tenis, apo çfarë ndodhi gjatë vitit të kaluar në çiklizëm", u shpreh trajneri i Beninit. Drejtuesit e CAF kanë bërë të ditur se ai do të merret në pyetje gjatë kësaj jave, ndonëse duket e pamundur që personat e interesuar për trukimin e ndeshjes së Beninit t‘i afrohen më kësaj skuadre.

Ndërkohë, hetimet vazhdojnë edhe për çështjen e Namibisë, lojtarëve të të cilës iu ofruan nga 30 mijë dollarë për të manipuluar rezultatin e takimit me Guinean, që do të zhvillohet sot. Ka qenë vetë presidenti i Federatës së Futbollit të Guineas, Xhon Muinjo, ai që ka vënë alarmin, pasi u kontaktua nga lojtarët të cilët nuk kishin pranuar këtë ofertë. "Lojtarët e mi u kontaktuan nga një person, i cili deklaroi se përfaqësonte një kompani dhe u ofroi atyre para për të humbur ndeshjen. Shuma për çdo lojtar mbërrinte deri në 30 mijë dollarë. Ata do të merrnin menjëherë gjysmën e parave, por duhej të ishin në gjendje të manipulonin rezultatin gjatë takimit sipas urdhrave të kompanisë", u shpreh Muinjo.

Ndonëse CAF ka filluar hetimin, duket shumë e pamundur që të ndalohet një përgjegjës i këtyre tentativave për manipulim rezultatesh. Duket se kompanitë e basteve nuk e kishin parashikuar "sinqeritetin" e lojtarëve të varfër afrikanë, duke qenë të bindur se mund të manipulonin ndeshjet e Kupës së Afrikës sipas interesit të tyre. Megjithatë, pas publicitetit që iu bënë këtyre dy ngjarjeve, do të jetë shumë e vështirë që këto raste të përsëriten, sidomos tani kur të gjitha ndeshjet përcaktojnë direkt kualifikimin e mëtejshëm në turne.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›