Buxheti i vitit 2009, rritja zero për qind
Shpenzimet e buxhetit të shtetit për vitin 2009, do të jenë 360 miliardë lekë (USD 4.23 miliardë, euro 2.95 miliardë), të pandryshuara nga shpenzimet e programuar në buxhetin e këtij viti, bëhet e ditur nga Programi Buxhetor Afatmesëm. PBA është një dokument ligjor i miratuar nga qeveria që parashikon ecurinë e ekonomisë dhe buxhetit të vendit në një afat trevjeçar. Programi për vitet 2008-2010, parashikon shpenzime më të ulëta për vitin e ardhshëm në krahasim me buxhetin fillestar të këtij viti. Mosrritja e shpenzimeve i detyrohet faktit që qeveria duhet të ulë deficitin buxhetor në 3.9% të PPB-së nga 5.2% që është plani për këtë vit. Kjo do të thotë se e gjithë rritja natyrore e të ardhurave, që parashikohet në masën 11%, do të shkojë për reduktimin e deficitit.
Shpenzimet sipas zërave
Programi Buxhetor Afatmesëm parashikon një rritje të shpenzimeve të qeverisë për personelin në masën 5.5% për vitin e ardhshëm, gjë që nënkupton se pagat e sektorit publik mund të rriten me këtë masë. Por duke marrë parasysh dëshirën e Kryeministrit për të rritur pagat nga 1 maji dhe jo më nga 1 korriku, për shkak se zgjedhjet e përgjithshme pritet të zhvillohen në qershor, ekziston rreziku i rritjes së deficitit të programuar për vitin e ardhshëm. Shpenzimet për sigurimet shoqërore, d.m.th., për pensionet, parashikohet të rriten me 3.55%.
Një buxhet i mbushur me rreziqe
Buxheti i vitit të ardhshëm konsiderohet nga ekspertët si i tejmbushur me rreziqe. Rreziku i më madh vlerësohet se mbetet presioni i lartë politik, i zakonshëm për një vit zgjedhor. Kërkesat për të rritur pagat apo për të investuar më shumë para për rrugë, mund të sjellin tejkalim të shpenzimeve dhe fryrje të deficitit buxhetor. Por ndërkohë, rruga Rrëshen-Kalimash pritet të rëndojë mbi buxheti edhe vitin e ardhshëm me shpenzime shumë më të larta nga vlerësimi fillestar. Edhe Korporata Elektroenergjetike Shqiptare konsiderohet si një rrezik i vazhdueshëm si në krahun e të ardhurave ashtu edhe në krahun e shpenzimeve. Të ardhurat e buxhetit nga Tatimi mbi Fitimin dhe nga TVSH mund të jenë më të ulëta, në rast se situata financiare në KESH nuk përmirësohet. Nga ana tjetër, buxheti i shtetit do të detyrohet të shlyejë një pjesë të kredive që ka marrë KESH nga bankat me garanci shtetërore. Vetëm muajin e kaluar, KESH mori 40 milionë euro kredi dhe bankat e lëshuan kredinë vetëm pasi morën garanci nga qeveria për shlyerjen e saj.