E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbarojnë efektet sezonale, rifillon rritja e çmimeve

Gjatë gushtit, çmimet u rritën me 0.6%, udhëhequr nga rritja e çmimeve të ushqimeve

Muaji gusht shënoi rikthimin e presioneve inflacioniste në ekonomi, bëhet e ditur nga të dhënat e Institutit të Statistikave të publikuara dje. Përgjegjësja e sektorit të çmimeve në INSTAT, Hazbie Bunguri, deklaroi dje se “gjatë gushtit pati rritje të çmimeve të grupit ”ushqime dhe pijeve alkoolike” në masën 1.6%, si dhe rënie të çmimi i naftës u ul me 3.3 për qind”. Inflacioni pati shënuar ulje për katër muaj me radhë nga prilli në korrik, ulje që i atribuohej prodhimit bujqësor vendës. Dalja e zarzavateve të fushës në treg zakonisht sjell ulje të çmimeve gjatë muajve të verës. Por në gusht, tendenca ndryshoi. Grupi i zarzavateve shënoi një rritje mujore prej 5.5%. INSTAT nënvijëzon edhe rritjen e çmimeve të bukës e drithërave, bulmetit etj.

Rritja vjetore

Në krahasim me gushtin vitit të kaluar, inflacioni vjetor rezultoi 2.5%. Vetë INSTAT deklaroi se kjo statistikë nuk nënkupton ulje. Gushti i vitit të kaluar ka qenë gjithashtu një muaj me inflacion shumë të lartë prej 4.2%. “Kjo rënie e inflacionit vjetor në muajin Gusht ‘08 është rezultat i rritjes së madhe të çmimeve në muajin Gusht 2007. Siç dihet, në muajin Gusht 2007 çmimet patën një rritje të pazakontë në masën 1.9% krahasuar me muajin Korrik ‘07”, - tha znj.Bunguri dje.

Treguesi i inflacionit ka tërhequr gjithmonë debat politik në Shqipëri. Edhe njoftimi i djeshëm, nuk i shpëtoi debatit. Kryeministri Sali Berisha e konsideroi inflacionin e gushtit, si “inflacioni më i ulët në Europë”. Një muaj më parë, opozita akuzoi INSTAT se po “manipulon për llogari të qeverisë” të dhënat mbi rritjen e çmimeve. Banka e Shqipërisë nënvijëzoi jo pa habi në një deklaratë se “rënia e çmimeve prej 1% në muajin prill, qe rënia më e fortë mujore e regjistruar në dy vitet e fundit”. Dyshimet janë të shumta, veçanërisht përballë faktit se partnerët tanë kryesorë tregtarë, Italia dhe Greqia, janë përballur me inflacion shumë të lartë gjatë muajve të fundit dhe të dhënat për gushtin, japin për Italinë inflacion dy herë më të lartë se në Shqipëri.

Shkurt

Leku e nis javën me dobësim

Leku shqiptar u dobësua dje kundrejt euros dhe dollarit në tregun e brendshëm, duke vijuar tendencën e javëve të fundit. Euro u këmbye për 122 lekë ndërsa dollari u këmbye me 85.71 lekë sipas kursit fiks të Bankës së Shqipërisë. Leku shqiptar po vuan presione të forta dobësuese gjatë kohëve të fundit për shkak të zgjerimit të deficitit tregtar dhe të llogarisë korrente, si dhe për shkak të uljes së aktivitetit të qeverisë në tregun e bonove të thesarit. Në tregun ndërkombëtar, dollari amerikan shënoi një ditë tjetër të fuqishme kundrejt euros. Euro ka në kuotën e 1.4 dollarëve, për herë të parë që nga tetori i vitit 2007.

Moska konkurron Londrën

Bursa e Moskës RTS deklaroi dje se do të hapë një seksion për tregtimin e naftës bruto vendëse si dhe për shit-blerjen e kontratave për dorëzimet e së ardhmes që emetohen aktualisht në bursën e Londrës. Lëvizja e Moskës u analizua si një axhendë për ekspansion financiar të Rusisë. “Tregtia elektronike ka bërë të mundur që investitorët të blejnë kontrata në të gjitha vendet e botës, por shit-blerja e tyre në Moskë do t'i lejojë investitorët të përmirësojnë situatën e tyre fiskale”,- deklaroi Roman Goryunov, Drejtor i Përgjithshëm i Bursës së Moskës. Nafta ruse shitet aktualisht duke marrë për referencë çmimet që përcaktohen nga shit-blerjet e naftës së Detit të Veriut në Londër. Strategjia e re e Moskës është që të ulë shkallën e varësisë nga Londra në përcaktimin e këtyre çmimeve. Ekspertët në Londër besojnë se bursa e re do të jetë shumë dobiprurëse për industrinë vendëse të naftës, por se ka shumë pak gjasa të tërheqë vëmendjen e investitorëve ndërkombëtarë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›