E Diel, 1 Nëntor 2026

Vdekshmëria foshnjore tre herë më e lartë se limiti i BE-së

Sipas raportit të Organizatës “World Vision”, korrupsioni në shëndetësi është i kudondodhur. Ja faktorët e vdekshmërisë

Vdekshmëria tek foshnjat në Shqipëri është tre herë më e lartë se limiti i vendosur nga BE. Në Shqipëri vdesin 18 foshnja, për 1000 fëmijë të lindur dhe shkaqet janë të ndryshme, ndërsa zonat rurale vuajnë më shumë nga ky fenomen, që e rendit vendin tonë në listën e zezë të vdekshmërisë foshnjore. Kështu bëhet e ditur në një raport të Organizatës Ndërkombëtare “World Vision”, cituar nga agjencia britanike e lajmeve “Rojters”. Edhe në një raport të vitit 2007 të OKB, Shqipëria renditej si vendi me vdekshmëri më të lartë në Evropë. Sipas këtij raporti, shkak për këtë vdekshmëri janë infeksionet e rënda respiratorë, veçanërisht pneumonia, që është shkaku kryesor i vdekjes së fëmijëve në Shqipëri. Shkaqe të tjera janë anomalitë deri 28 ditë pas lindjes. Ndërkohë raporti kritikon tërësisht sistemin shëndetësor dhe mungesën e decentralizimit të këtij sistemi. Gjithashtu raporti thekson se shumë qendra shëndetësore nuk kanë kushtet bazë të pajisjeve dhe higjienës dhe të tjera nuk kanë madje as ujë. “Sistemi shëndetësor duhet të jetë falas, por në të vërtetë korrupsioni është i kudondodhur. Zonat më problematike janë Librazhdi dhe Lezha”,- bëhet e ditur në raport.

Ndërkohë, menaxheri i projektit të shëndetësisë i Organizatës “World Vision”, Majk Obrajen thotë se shkak i vdekshmërisë së fëmijëve është mungesa e informacionit tek nënat, por edhe kushtet e këqija të jetesës dhe mungesa e burimeve financiare. Madje në zonat rurale vazhdojnë ende mjekimet tradicionale jashtë qendrave spitalore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›