E Diel, 1 Nëntor 2026

Godo: Ndjekje penale për drejtorët që abuzuan me barnat

Ministrja Godo pohon se drejtorët kanë bërë planifikime të barnave pa analizuar gjendjen. U krijuan stoqe barnash me vlerë 26 milionë Euro

Ndjekje penale për drejtuesit e spitaleve që kanë keqmenaxhuar medikamentet, duke sjellë anomali ndaj shërbimit të pacientëve. Madje drejtuesit janë përzgjedhur pa asnjë lloj kriteri dhe pa kualifikime profesionale. Këto ishin disa nga problemet që ngriti kreu i Shëndetësisë, Anila Godo, dje, në Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë. Ndërkohë ajo vlerësoi si pjesë të reformës në sistemin shëndetësor nevojën për arsimimin e menaxhuesve shëndetësorë.

Abuzimet

Paralajmërime për ndjekje penale pas konstatimit të krijimit të stoqeve të barnave që kapin vlerën e miliona eurove dhe të gjitha këto kanë rënë pikërisht mbi kurrizin e pacientëve. Kështu ministrja Godo, duke vlerësuar si tepër shqetësuese situatën aktuale në spitale sa i takon furnizimit me medikamente, këtë përgjegjësi ua hedh pikërisht ish-drejtuesve të shëndetësisë. “Planifikimet që bëhen pa analizuar bazën, pa analizuar gjendjen që ka çuar dhe në krijimin e stoqeve të 26 milionë eurove që mund të hidhen në plehra, në një vend kaq të varfër si vendi ynë”, -pohon Godo, duke shtuar se situata ka ardhur deri në atë pika sa kanë vajtur nëpër spitale rajonale dhe kanë gjetur një mësues matematike një profesor fizkulture, apo një mësues fizike, që menaxhojnë një spital. Sipas saj, pikërisht drejtues të tillë, kanë krijuar një çrregullim shëndetësor në këto spitale. Kështu, Godo, duke raportuar përpara Komisionit të Shëndetësisë paralajmëroi ndjekje penale në prokurori për disa drejtorë spitalesh, si për shembull ai i qytetit të Fierit. Në valën e denoncimeve rrezikojnë të përfshihen edhe ish-drejtuesit e QSUT-së, që janë kapur me shkelje disa milionë euro në menaxhimin e medikamenteve. Për të përmirësuar situatën e krijuar me barnat, Godo u shpreh e angazhuar në përmbylljen sa më parë të kontratave për blerjen e medikamenteve për vitin 2009. "Ne po përpiqemi të blejmë medikamentet që duhet të ishin blerë dhe duhet të ishin lëvruar me kohë. Duhet të shpejtojmë punën për vitin e ardhshëm, në mënyrë që janari të na gjejë me kontrata të përfunduara",- u shpreh Godo.

Menaxhimi

Gjatë një raportimi në Komisionin parlamentar të Shëndetësisë, ministrja Godo vlerësoi si pjesë të reformës në sistemin shëndetësor nevojën për arsimimin e menaxhuesve shëndetësorë, të cilët do të jenë pjesë e luftës antikorrupsion në këtë sektor.

Në prezantimin e saj të parë në këtë komision ajo kërkoi mbështetje nga të dyja krahët e politikës. "Shpresoj në mbështetjen tuaj, pasi nuk shikoj asnjë lloj ngjyre në shëndetësi",- u shpreh ajo, duke iu drejtuar deputetëve anëtarë të Komisionit pas paraqitjes së problematikave të shëndetësisë që bëri.

Ish-drejtori i QSUT-së, Pepa, pohon se denoncimin për administrimin teknik e ka bërë i pari. Edhe shefat janë pjesë e kësaj procedure

Pepa: Le të gjenden abuzuesit e vërtetë

Le të hetohet deri në fund për abuzimet që janë bërë me medikamentet pasi në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” kam qenë vetë i pari që kërkova hetim për administrimin e barnave. Kështu u shpreh për gazetën “Shekulli” ish-kreu i QSUT-së, Mati Pepa, i cili thekson se nuk ka dijeni se ku është bazuar ministrja e Shëndetësisë në lidhje me deklaratën se drejtuesit e spitaleve nuk kanë bërë planifikim të saktë të barnave, apo edhe se kanë abuzuar me këto barna. “Nëse bëhet fjalë nga pikëpamja e administrimit të këtyre barnave, kam më shumë se dy muaj që kam futur kontrollin e brendshëm në spital për të verifikuar nëse ka abuzime dhe nga informacioni që kam, ende nuk kanë dalë rezultatet e këtij kontrolli”,- pohon Pepa duke shpjeguar se sa i takon administrimit teknik të medikamenteve në spital, megjithëse kjo nuk i takon Drejtorit të Përgjithshëm, ka qenë vetë ai që ka denoncuar që në kërkesat e bëra nga QSUT për vitin 2007 nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, janë hequr 141 medikamente nga lista e barnave që i duhen QSUT-së, dhe në vitin 2008 janë hequr 61 medikamente nga lista. Madje në spital, sipas tij, kanë ardhur barna që nuk janë porositur dhe që nuk kanë qenë të nevojshme për pacientët. Megjithatë ajo shpjegon se sa i takon administrimit teknik, shefat e QSUT-së, njëra nga të cilat ka qenë edhe Anila Godo bëjnë kërkesat e tyre për barnat që iu duhen brenda buxhetit që është në dispozicion, më pas njëri nga drejtuesit teknikë të spitalit, së bashku me Drejtorin Farmaceutik i shqyrtojnë dhe ua kalojnë Ministrisë së Shëndetësisë për miratim. “Pikërisht, këtu dua të theksoj se dikasteri i shëndetësisë nuk ka sjellë medikamentet që janë të domosdoshme për disa lloje sëmundjesh, duke sjellë edhe anomali në spital. Se nga i kanë bërë abuzimet, apo se çfarë lidhjesh mund të kenë patur me firmat farmaceutike apo ku ta di unë, le t’i hetojnë strukturat përkatëse dhe të dalin fajtorët e vërtetë”,- thekson Pepa.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›