Buxhetorët shqiptarë, më të keqpaguarit
Qytetarët shqiptarë janë më pak të paguarit në Ballkan. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Ekonomisë, gjatë vitit që sapo lamë pas, paga mesatare në Shqipëri, në sektorin shtetëror, arriti në 28950 lekë, nga 26808 që ishte në vitin 2005. Në dy vjet paga mesatare në sektorin publik është rritur vetëm me 2142 lekë në muaj, një rritje kjo thuajse e papërfillshme. Sipas të dhënave zyrtare që vijnë nga vendet e rajonit, Shqipëria mund të krahasohet për sa i takon nivelit të pagave vetëm me Maqedoninë, ndërkohë që qytetarët e vendeve të tjera ballkanike paguhen dukshëm më shumë se ata shqiptarë. Në Maqedoni, në janar të vitit 2007, paga mesatare në sektorin shtetëror ishte 230 euro ose e thënë ndryshe 28 mijë lekë. Në Bosnjë, që është një vend me ekonomi të ngjashme me Shqipërinë, paga mesatare për muajin korrik arriti në 337,5 euro, sipas entit për statistika i Federatës së Bosnjë Hercegovinës. Edhe qytetarët e Malit të Zi paguhen më shumë se shqiptarët. Në vitin 2007, paga mesatare në këtë vend arriti në 345 euro. Paga neto në Kroaci u rrit 4.3% nga viti në vit në shkurt 2007, në rreth 631 euro në terma reale, sipas Byrosë Qendrore të Statistikave. Rritja është shkaktuar kryesisht nga një rritje e pagës në sektorin e administratës publike në shkurt. Pagat e punonjësve në sektorin publik u rritën me 6% në terma reale.
Rritje e vogël
Të dhënat tregojnë se qeveritë e vendeve të tjera janë duke i rritur më shpejt se ajo shqiptare pagat për qytetarët e tyre në sektorin publik. Në kohën e shkëputjes nga Serbia, në qershor të vitit 2006, paga mesatare në Mal të Zi ishte vetëm 250 euro dhe në harkun kohor të një viti e gjysmë u rrit me gati 100 euro. Të njëjtën gjë ka bërë edhe Kroacia. Në vitin 2005, paga mesatare në këtë vend ishte rreth 450 euro dhe në vitin 2007 arriti në 630 euro. Ndërsa në Shqipëri, në harkun kohor të dy viteve, paga mesatare në sektorin publik është rritur vetëm me 2142 lekë, ose e thënë ndryshe me 17 euro.
Sektori privat
Buxhetet e të punësuarve në sektorin privat shqiptar u goditën fort vitin që lamë pas. Të paktën ky është përfundimi që del po të analizosh të dhënat zyrtare. Sipas këtyre të dhënave, pagat në sektorin privat kanë pësuar një ulje mesatare prej 6.3% në tremujorin e tretë të vitit që lamë pas. Shkaqet kryesore të kësaj uljeje janë dy: reforma fiskale dhe rritja e çmimeve, ose inflacioni, siç njihet ndryshe. Konkretisht, pagat e ulëta në sektorin privat, të cilat zënë më shumë se shtatëdhjetë për qind të të gjithë pagave të njerëzve të zënë me punë, janë ulur me 7.5%. Pagat e mesme në këtë sektor, të cilat zënë rreth njëzet për qind, janë ulur me 6.4% dhe pagat e larta janë ulur me 3.8%. Të dhënat bëjnë me dije se numri i punonjësve me paga të ulëta në sektorin jopublik është mbi 400 mijë, pavarësisht se të regjistruar si pagues të kontributeve të sigurimeve shoqërore janë më pak. Punonjës me paga të mesme janë rreth njëqind mijë syresh dhe ata me paga të larta janë më pak se 50 mijë. Përkeqësimi i nivelit të pagave në sektorin privat është një nga lajmet e këqija të ekonomisë shqiptare. Bizneset nuk kanë ulur dukshëm pagat, madje ata në shumicën e rasteve nuk i kanë ulur fare ato, por rënia e vlerës së lekut dhe taksa prej dhjetë përqindësh e tatimit kanë dhënë efektin e tyre. Ministria e Financave nuk ka thënë asgjë për mënyrën sesi do të përpiqet të ruajë të paprekur nivelin e pagave të punonjësve të sektorit jopublik, në një kohë që për sektorin publik parashikoi ndërhyrje në buxhet.
Papunësia
Të dhëna zyrtare thonë se numri i të punësuarve ka mbetur në vend gjatë këtij tremujori në sektorin privat dhe se niveli i pagave pësoi një rënie mesatare për shkak të rritjes së inflacionit dhe të futjes në veprim të taksës së re për të ardhurat personale. Numri i punonjësve të sektorit privat është rreth gjashtë deri në shtatë herë më i madh se sa ai i punonjësve të sektorit publik, megjithëse zyrtarisht në degët e tatimeve figurojnë më pak se gjysma e tyre. Në të dhënat që ka publikuar Instituti i Statistikave për numrin e të papunëve të këtij viti thuhet se papunësia ka rënë me vetëm 0.1%. Këtë gjë e konfirmon edhe Ministria e Financave në relacionin e saj të buxhetit të vitit 2008. Pra, shihet se numri i njerëzve të punësuar rishtas është vetëm pesëmijë syresh, në një kohë që numri i atyre që kërkojnë punë është mbi 160 mijë dhe ky është vetëm numri i atyre që janë regjistruar në zyrat e punësimit.
Tabela ecuria e pagës mesatare në Shqipëri
1998 11509
2002 19659
2005 26808
2007 28950