E Diel, 1 Nëntor 2026

Iluzioni i uljes së taksave

Ardhja e vitit 2008 përkon me futjen zyrtarisht në fuqi të taksës së sheshtë. Reforma fiskale e ndërmarrë nga qeveria shqiptare ndryshon në mënyrë rrënjësore raportet e barrës fiskale që paguan biznesi dhe ato që u kalojnë individëve. Në buxhetin e shtetit të vitit 2006, ku në vend zbatohej taksa progresive, të ardhurat nga tatim fitimi, që në atë kohë ishte 20 për qind, arritën në 18.3 miliardë lekë. Të ardhurat nga tatimi i të ardhurave vetjake ishin 8.3 miliardë lekë. Në vitin 2007 të ardhurat nga tatim fitimi arritën në 23 miliardë lekë, ndërsa ato nga tatimi i të ardhurave personale 10.3 miliardë lekë, ndonëse norma e tatimfitimit mbeti e pandryshuar në masën 20 për qind përgjatë gjithë vitit, ndërsa ajo e të ardhurave personale u rrit në gjashtëmujorin e dytë në masën 10 për qind, pasi më parë kishte qenë progresive. Efekti i kësaj për 6 muaj ka qenë sipas qeverisë vetëm 2.5 miliardë lekë. Por në buxhetin e vitit 2008 ky raport përmbyset. Të ardhurat nga tatimfitimi parashikohet që të jenë gjatë këtij viti 14.4 miliardë lekë, ndërsa ato nga tatimi mbi të ardhurat personale arrijnë në 16.2 miliardë lekë. Krahasuar me vitin 2007, të ardhurat nga tatimi i të ardhurave personale rriten me plot 6 miliardë lekë, ndërsa ato të tatimit mbi fitimin ulen me rreth 8.5 miliardë lekë. Efekti neto i ndryshimit të taksave për qeverinë në buxhet është vetëm minus 2.5 miliardë lekë.

Barra bie mbi individët

Në thelb, impakti i gjithë kësaj reforme fiskale është zhvendosja e barrës fiskale nga biznesi tek individët, ata që jetesën e tyre e sigurojnë kryesisht përmes të ardhurave nga paga. Kjo politikë tipike e djathtë, e ndërmarrë nga qeveria Berisha, prek kryesisht punonjësit e sektorit privat. Në fakt, Ministria e Financave përmes disa ndryshimeve në sistemin e pagave kompensoi efektin negativ të taksës së sheshtë për punonjësit që punojnë në shtet. Ata që mbetën të pambrojtur ishin privatët, ku barra fiskale u rrit deri në 4 herë në varësi të pagës. Vetë ministri Bode deklaroi se qeveria nuk do të ndërmarrë asnjë masë për të mbrojtur këtë klasë punonjësish, pasi, sipas tij, evazioni i lartë fiskal në sektorin privat bën që punonjësit e këtij sektori të paguajnë sërish më pak se sa detyrimet e tyre reale.

Vendi me taksa më të ulëta

Në fakt, gjatë prezantimit të taksës së sheshtë, qeveria deklaroi se kjo reformë e shndërronte Shqipërinë në vendin me taksat më të ulëta në Evropë. Kryeministri Berisha shkoi edhe më tutje kur tha se Shqipëria me taksën e sheshtë bëhet vendi me taksat më të ulëta në rruzullin tokësor. Por llogaritë tregojnë se barra fiskale në tërësi nuk ka ndryshuar. Ekonomia vazhdon të paguajë të njëjtën sasi parash në formën e taksave që paguante edhe më parë, pavarësisht se kontribuuesit kanë ndryshuar. Por së fundmi, përmes disa nismave, qeveria ka rritur edhe një sërë taksash të tjera, e kryesisht akcizave, çka do të thotë se efekti prej 2.5 miliardë lekësh i taksës së sheshtë asgjësohet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›