E Diel, 1 Nëntor 2026

"Ishulli i kristaltë" që do prekë qiellin

Do të jetë ndërtesa më e lartë në botë, në një garë mes arkitektësh e qytetesh, që me siguri nuk do të marrë fund kurrë, do të ngrihet në Moskë dhe konsiderohet që tani si një qytet brenda qyteti, ose më mirë një ishull brenda qytetit, duke qenë se emri i saj është "Ishulli i Kristaltë".

Arkitektët e kryeqytetit rus kanë dhënë po-në e tyre, për realizimin e njërit prej projekteve më gjigantë e unikë të kohëve moderne, një kulle jashtëzakonisht të lartë me një formë, e cila sipas kritikëve të ndërtimit i ngjan një anijeje kozmike, ose po t‘i referohemi termave tokësorë, një trëndafili që ka ngecur në një rrjetë spangoje. Fitorja i takon një arkitekti britanik, i cili do të ketë në duart e tij 4 miliardë dollarë për të realizuar "ëndrrën" në brigjet e lumit Moska, një "ëndërr" me një sipërfaqe gjigante që do ta shndërrojë, veç të tjerash edhe në hapësirën më të madhe në botë të përdorur për ndërtim. Skeleti prej çeliku i Ishullit të Kristaltë është konceptuar në mënyrë të tillë që të luajë rolin e një zone amortizuese e zbutëse ndaj temperaturave ekstreme që vijnë nga jashtë. Brenda tij do të ketë 3000 dhoma hoteli, 900 apartamente dhe një shkollë për 500 nxënës dhe sipërfaqja e tërë ambienteve të brendshme do t‘i kalojë të 27 milionë kilometrat katrorë. E gjithë ndërtesa mund të nxërë brenda deri në 30 mijë vetë. Baza e godinës prej 620 metrash katrorë do të vijë duke u reduktuar e holluar derisa të përfundojë në një majë konike të hollë, në lartësinë 500 metra. Gjithçka do të jetë transparente, e xhamtë dhe e tejdukshme, si një kristal. Kush e ka parë maketin e kullës sigurisht që ka mbetur i mahnitur, por ngritja e tij në një qytet si Moska, me shumë ndërtime të vjetra mund të përbënte problem për sa i përket lidhjes së modernes me tradicionalen. Njëri nga kundërshtarët më të ashpër të projektit, një urbanist i famshëm rus, u shpreh se kjo kullë do të shkatërronte fare imazhin e kishave përreth dhe të lagjes së vjetër e shpallur si pasuri e trashëgimisë kulturore nga vetë UNESCO. Sipas tij, pamja e jashtme e godinës është shumë orientale dhe nëse Ishulli i Kristaltë do të realizohet, atëherë buzë lumit çdokush mund të ngrejë ndërtesa gjigande, madje aty ka vend edhe për një statujë të Budës. Një tjetër arkitekt rus kritizer ndaj ndërtimit, para se gjithçka të vendosej, u shpreh i çuditur se përse një godinë e tillë që u është propozuar shumë kryeqyteteve duhet të ngrihet në Moskë, në një kryeqytet që nuk ka traditë ndërtimesh ekstravagante dhe ku dominojnë ndërtesat e vjetra, sidomos buzë lumit Moska. Sipas tij, kjo godinë bie në kontradiktë me "shpirtin e qytetit". Ndërsa mbrojtësit e projektit, tashmë të aprovuar, thonë se ai shkon për mrekulli me frymën e re që ka sjellë rritja e mirëqenies në vend dhe ndërtimet prej qelqi, që edhe pse po ngrihen në periferi, kanë nisur të fusin një frymë të re. Duket se bumi i gazit dhe naftës ka sjellë te disa dëshirën për një arkitekturë gjigande dhe pompoze edhe në Moskën e shquar për ndërtime të qeta. Arkitekti i Ishullit të Kristaltë është përfshirë në shumë ndërtime të reja në Moskë, madje edhe në ngritjen e Kullës së Rusisë që do të jetë kulla më e lartë në Evropë dhe do të ngrihet në distriktin financiar të Moskës. "Ishulli" do të ndërtohet 4 kilometra larg Kremlinit në gadishullin e Nagatinos dhe do të përfundojë në vitin 2014. Kryebashkiaku i kryeqytetit, Llushkov, tha se projekti shumë novator ndryshon tërësisht nga arkitektura e mëparshme, jo vetëm e Moskës, po e të gjitha kryeqyteteve perëndimore. Rusët synojnë që ajo të shndërrohet në njërin prej destinacioneve turistikë më të rëndësishëm të Rusisë dhe një lagje e vërtetë dinamike e prodhimtare. Sipas arkitektëve, drita e diellit dhe e ditës do të depërtojë deri në thellësitë e godinës. Panelet e saj të qelqta do të hapen në ditët e verës dhe ato me diell për të siguruar më shumë ndriçim natyror dhe do të mbyllen gjatë dimrit thuajse hermetikisht për të izoluar ambientin e brendshëm nga ai i jashtëm, i cili në stinën e ftohtë është shumë i ashpër. Në Moskë, në ditët më të ftohta, temperatura mund të zbresë deri në -30 gradë Celsius. Në tarracën e "ishullit" do të ketë shumë kopshte dhe e gjithë struktura do të ngrihet mbi një peizazh të gjelbër. Ajo do të përfshijë 3 teatro, shumë kinema, zyra, një muze, dy observatorë dhe një parking për 14 mijë automjete. Ata që i dhanë votën projektit shpresojnë që ai të shndërrohet në simbolin e Rusisë së shekullit XX. Ende pa filluar mirë, godina ka fituar reputacion si një nga projektet arkitekturorë më ambiciozë në botë. Vetë arkitekti i saj, Lord Foster, është një nga më prodhimtarët dhe një nga firmat që ka bërë realizime të famshme. I tillë është stadiumi i ri i Uemblit, si dhe blloku i zyrave "Gherkin" në lagjen City të Londrës. "Jam shumë i entuziazmuar për projektin sepse është në të gjitha drejtimet ndër më të rrallët dhe unikët në planet. Është hera e parë që bëhen bashkë banesat, qendrat kulturore, zyrat dhe parqet në një godinë të vetme". Arkitekti e ka krahasuar projektin moskovit, për nga rëndësia dhe madhështia me "Albert Hall", projektin e paraqitur nga Mbretëresha Viktoria në vitin 1871, në kulmin e lulëzimit të perandorisë britanike. Albert Hall fliste për një periudhë të begatë të Anglisë, sikurse edhe kulla që pritet të ndërtohet në Moskë do të jetë tregues i mirëqenies dhe ngritjes së kombit rus. Sipas Timothy Garton Ash, profesor i studimeve evropiane në Universitetin e Oksfordit dhe kolumnist i disa prej gazetave të përditshme më të shquara të botës, "Ishulli i Kristaltë" lidhet pazgjidhshmërisht me ambiciet e mëdha që Rusia i ka vënë vetes për shekullin 21. "Rusia është një shtet që e ndjen se po rikthehet me forcë pas një periudhe poshtëruese si ajo e Luftës së Ftohtë. Këtë tendencë mund ta shohësh kudo që nga fjalimet e Presidentit Putin e deri te plani për ngritjen e kësaj godine gjigande, e cila mbi të gjitha është një demonstrim i forcës, fuqisë dhe suksesit dhe ky demonstrim nuk u bëhet vetëm rusëve, por botës mbarë". Një tjetër profesor i çështjeve ruse e ka krahasuar projektin me kullën e Tatlinit, e ndërtuar nga bolshevikët në Shën Peterburg menjëherë pas revolucionit të vitit 1917. Një vit më parë, firma e Lord Foster mori përsipër edhe ndërtimin e një kompleksi masiv në Kazakistan dhe një kupole të madhe të inspiruar nga ndërtimet e epokës së luftëtarit legjendar mongol, Genghis Khan. Ndërkohë një nga veprat e fundit, terminali i ri i aeroportit të Pekinit, do të çelet në fillim të vitit të ardhshëm

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›