Anglia, luftë mediave për Fabio Kapelon
Drejtuesit e Federatës Angleze kërkojnë të mbrojnë me çdo kusht Fabio Kapelon nga sulmi i ashpër që mediat britanike i rezervojnë zakonisht trajnerit të përfaqësueses. Për këtë arsye ajo u ka dërguar një letër të hapur të gjitha gazetave skandalistike, që të mos i shkaktojnë probleme trajnerit, në mënyrë që të lihet i qetë të bëjë punën e tij. Një gjë e tillë normalisht nuk u ka pëlqyer organeve të shtypit të shkruar në Angli, të cilat një pjesë të suksesit e kanë pikërisht nga skandalet e futbollit, ku nuk bën përjashtim tekniku i përfaqësueses.
Vetë Fabio Kapelo e kishte bërë të qartë se nuk dëshironte që shtypi të ndërhynte në jetën e tij private, ashtu si në të lojtarëve të kombëtares. Duket se ky qëndrim i italianit ka shtyrë edhe drejtuesit e Federatës Angleze të përcaktojnë një rregullore për mediat, ku falë bashkëpunimit me këto të fundit do të kërkohet minimizimi i informacioneve skandalistike gjatë periudhave para apo pas ndeshjeve të përfaqësueses. Normalisht, pika kryesore ka qenë ajo rreth trajnerit italian, i cili që në ditët e para të detyrës së re e ka parë familjen e tij në qendër të vëmendjes së mediave. Që në ditën e zyrtarizmit të kontratës së tij katërvjeçare me Anglinë, disa gazeta britanike intervistuan nënën e tij në qytetin e lindjes, duke shkaktuar shumë telashe për teknikun. Dje ka qenë vetë shefi i marrëdhënieve me publikun në FA, Adrian Bevington, ai që ka bërë të qartë dëshirën e Kapelos që ngjarje të tilla të mos përsëriten. "Mister Kapelos dhe familjes së tij nuk i pëlqejnë reportazhet e karakterit hulumtues që ndërhyjnë në jetën e tyre private", ishte kërkesa e tij. Me këtë qëndrim, britanikët do të mundohen që të mos përsëritin gabimet e të kaluarës, kur u lanë dorë të lirë mediave për të ndërhyrë në jetën private të suedezit Sven Goran Erikson, gjë që më pas solli edhe largimin e trajneri nga stoli i "tre luanëve". Normalisht, Kapelo është një personazh krejtësisht i ndryshëm nga suedezi, i njohur për flirtet e tija të vazhdueshme si me personazhe të televizionit, ashtu edhe me punonjëset e Federatës Angleze. Mediat angleze janë ndarë që tani mes atyre që do ta respektojnë këtë dëshirë dhe atyre që do ta sulmojnë më ashpër trajnerin italian, duke kërkuar të zbatohet e drejta e informimit si për çdo person tjetër të njohur. Duke njohur karakterin e Kapelos, që në muajt e parë pritet një luftë e hapur e tij me mediat skandalistike, gjithmonë nëse nuk përfundon në kurthin e tyre, ashtu siç e pësoi Erikson.