E Diel, 1 Nëntor 2026

Mansini, "lamtumirë" Romës

Edhe pse pak kohë më parë mendohej si e pamundur, tashmë Roma e ka kuptuar se Amantino Mansini do të largohet në fund të sezonit. Kjo është arsyeja përse verdhekuqtë janë vënë në kërkim të zëvendësuesit të brazilianit. Kontrata e mesfushorit përfundon më 30 qershor 2009 dhe (përveç ndonjë surprize në momentin e fundit) ajo nuk do të rinovohet. Shkak është bërë tavani i rrogave të vendosura nga drejtuesit e klubit: 2,5 milionë euro në sezon. Kjo shifër kalohet vetëm nga Françesko Toti, e së afërmi një privilegj të tillë do ta ketë edhe De Rosi. Për Mansinin, Roma nuk ka ndërmend të bëjë përjashtim dhe kjo është një pengesë që për momentin duket e pakalueshme. Klubi nuk ka ndërmend t‘i ofrojë më shumë se 2,5 milionë euro në sezon dhe mesazhi ka qenë i qartë: pranoje, ose s‘ka rinovim. Braziliani ka zgjedhur alternativën e dytë dhe "lamtumira" është pranë. Në gjurmët e Mansinit është vënë prej kohësh Lioni, ndërkohë që edhe Roberto Mançini dëshiron ta afrojë tek Interi. Por, në orët e fundit ka filluar të ndihet interesimi i Mançester Sitit.

Trajneri Sven Goran Erikson është i gatshëm t‘i ofrojë lojtarit një kontratë faraonike, nga e cila do të përfitonte pothuajse dyfishin e rrogës aktuale. Nëse do të gjendej marrëveshja, edhe Roma do të përfitonte nga ky transferim: kalimi i lojtarit në Premiership mund të mbyllet për afro 20 milionë euro. Për këtë arsye, Spaleti është vënë në kërkim të një zëvendësuesi të denjë të brazilianit. Ëndrra e teknikut të Romës është Di Natale, një futbollist të cilin e njeh shumë mirë dhe që do të ishte zgjedhja ideale për skemën 4-2-3-1 të përdorur nga skuadra. Si alternativë e sulmuesit të Udinezes cilësohet Angulo, që së fundmi është lënë jashtë ekipit te Valencia. Gjithsesi, dëshira e vërtetë e klubit që zotërohet nga familja Sensi është sulmuesi rumun, Adrian Mutu. Megjithatë, kjo pistë nuk ka pothuajse asnjë shpresë që të realizohet, pasi Fiorentina nuk ka ndërmend që të privohet nga futbollisti që brenda një kohe shumë të shkurtër është shndërruar në idhullin e tifozerisë në Firence.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›