Cana: Pas Lionit fituam siguri
Pavarësisht zhgënjimit nga Liga e Kampioneve (dhe kalimit në Kupën UEFA), Olimpik Marseja po kalon një periudhë relativisht pozitive në kampionat, ku nuk humbet prej gjashtë takimesh. Gjithsesi, kapiteni Lorik Cana shprehet me keqardhje për dy pikët e humbura në barazimin 2-2 në fushën e Bordosë. "Ishim në avantazhin e dy golave dhe menduam se takimi u mbyll aty. Megjithatë, Bordo besoi deri në fund dhe na barazoi. Ndër të tjera po humbitnim shumë topa dhe na u mohua një penallti. Këto janë detaje prej të cilave nuk fituam. Dy golat mund t‘i kishim evituar". Më tej, mesfushori shqiptar flet për kthesën e Marsejës në kampionat: "Që pas fitores 2-1 me Lionin filloi edhe kampionati ynë. Deri në ato momente kishim zhvilluar takime të mira, por pa gjetur vazhdimësinë në rezultate. Triumfi në fushën e kampionëve të Francës tregoi kualitetin e këtij grupi. Bllokimi i gjatë erdhi edhe për shkak të presionit, pasi ishim të detyruar të fitonim me çdo kusht".