E Diel, 1 Nëntor 2026

Duka-Han, takim në fundjavë

Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, do të fillojë turneun për të gjetur pasardhësin e Oto Bariç në krye të kombëtares. Të shtunën, ai ka planifikuar një takim me ish-legjendën holandeze, Ari Han, i cili ka ndërmarrë karrierën si trajner në vitin 1984, menjëherë pasi "vari këpucët në gozhdë". Edhe pse dita për takimin me trajnerin është përcaktuar, për vendin dihet vetëm se do të jetë jashtë 28 mijë kilometrave katrorë: në kryeqytetin e Austrisë, Vjenë, ose në qytetin më të madh zviceran, Zyrih. "Në fundjavë do të ketë një takim mes palëve, ku do të diskutohet mundësia e punësimit të trajnerit holandez", pohuan burime zyrtare në FSHF. Vetëm pak kohë më parë, Han është ofruar për të marrë drejtimin e Republikës së Irlandës.

Përpara Vitit të Ri, kombëtarja shqiptare mund të njohë drejtuesin e ri të stolit. Pasi janë përfolur shumë emra dhe janë shqyrtuar shumë CV, më në fund duket se gjërat kanë filluar të lëvizin. Kreu i sportit më popullor në vend, Armand Duka, ka planifikuar takimin e parë zyrtar me një nga teknikët kandidatë për të vazhduar punën e Bariç. Bëhet fjalë për holandezin Ari Han, që si futbollist ka fituar pesë herë Kupën e Evropës dhe ka qenë finalist në Kupën e Botës, ndërkohë që si trajner ka drejtuar Anderlehtin, Shtutgarti, Fejnordin dhe kombëtaret e Kinës e Kamerunit. "Të shtunën, presidenti Duka do të takohet me trajnerin holandez Ari Han, për të diskutuar rreth mundësisë që ai të marrë drejtimin e kombëtares", deklaroi zëdhënësi për shtyp në FSHF, Lysien Nurishmi. Takimi do të zhvillohet jashtë Shqipërisë, e për momentin ekzistojnë dy alternativa: "Biseda do të zhvillohet në Vjenë ose në Austri. Ende nuk është përcaktuar vendi i saktë dhe me siguri mund të themi vetëm se takimi nuk do të zhvillohet në Shqipëri".

Ari Han është shndërruar në kandidat të fortë për stolin kuqezi, pavarësisht dëshirës së vetë trajnerit për të marrë drejtimin e përfaqësueses së Republikës së Irlandës. Në fillim të muajit dhjetor, holandezi ka kërkuar me ngulm të bëhej pasardhësi i Stiv Stautonit: momentalisht ai është në garë me trajnerë të njohur si Terri Venejbëlls, David O‘Liri, por edhe me francezin Zherard Hulier. Nëpërmjet menaxherit të tij, Mark Mullan, trajneri kishte lëshuar një deklaratë, ku thoshte: "Skuadra irlandeze ka në kontingjentin e saj lojtarë të talentuar si Robi Kin dhe Stefan Irland. I gjithë ekipi njihet për shpirtin luftarak: karakteristikë të cilën e kam vlerësuar edhe në kohën kur isha lojtar dhe luaja kundër kësaj përfaqësueseje. Republika e Irlandës është një ekip me potencial të madh dhe do të më pëlqente shumë të isha në krye të saj". Pas këtyre fjalëve, në Federatën Irlandeze po mendojnë seriozisht edhe për kandidaturën e Han, për eksperiencën e tij të madhe. Ndërkohë, menaxheri Mullan ka deklaruar: "Mendoj se Ari Han është trajneri që i nevojitet Irlandës në këto momente. Ai ka drejtuar skuadra në shtatë vende të ndryshme dhe ka punuar me futbollistë të kalibrit si Jurgen Klinsman, Ronald Kuman dhe Samuel Eto‘o. Ai është një përzierje perfekte e eksperiencës, inteligjencës dhe taktikës".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›