Per nje ankete me 10 hallet me te "mira" te vitit
Sondazhet e fundvitit po bëhen gjithmonë e më shumë pjesë dekorative e pemës së Viti të Ri në Shqipëri. Të gjithë nxitojnë të hapin anketa në televizione, gazeta, bashki e ku të munden, për të shpallur dhjetë më të mirët e të gjitha fushave dhe zanateve. Personalisht jam pro sondazheve dhe i quaj ato pa frikë një mentalitet i ri, që duhet të hyjë kudo në jetën e përditshme të shqiptarëve. Edhe këto lloj sondazhesh oborresh janë pjesë e së tërës, por sigurisht pasi të jenë kryer të tjerat. Sepse jeta nuk bëhet vetëm në Tiranë dhe nuk rrotullohet vetëm rreth më të mirëve. E sidomos, në një vend që është gati i pabanueshëm në dimër dhe i tmerrshëm në verë. Sikur gjithë kjo energji dhe përkushtim, gjithë ky frymëzim dhe mobilizim për të zgjedhur më të mirët, të ndahej përditë me sondazhet e problemeve reale, mbase edhe vetë VIP-at e sotëm të Shqipërisë nuk do ndiheshin personalitete mes baltës dhe qiriut.
E kuptoj gjithashtu dëshirën për motivim në një vend të pamotivuar dhe sondazhi, pavarësisht ngjyrave dhe përkatësive, deri diku e kryen këtë funksion. Por ajo që nuk kuptoj mirë është se përse disa që kanë në dorë ta përdorin sondazhin, nuk e përdorin gjerësisht si e gjithë bota, për disa arsye të tjera më të gjëra, më domethënëse, që do t‘u jepnin më shumë kuptim dhe vlerë punës së tyre.
Sot në Shqipëri ka nevojë për shumë sondazhe dhe ai i fundvitit duhet të jetë me temën: 10 hallet më të "mira" të Vitit. Që kur të vijnë dritat, në ato pak momente festash, shqiptarët ta shohin zërin dhe veten e tyre të pasqyruar fuqishëm aty ku duhet, ta kenë ngritur shqetësimin dhe hallin e tyre aty ku dëgjohet. Ka, në fakt, edhe një klimë tjetër sondazhesh këto kohët e fundit në vend, ose të paktën që vërtitet rreth sondazheve të bëra e të marra me mend.
Së pari, përfundimet e "Transperancy International", që na rendisin aty ku e dimë tashmë, treguan se shqiptarët jo vetëm nuk besojnë te qeveria në luftën ndaj korrupsionit, por mendojnë se vendi është nën kthetrat e këtij të fundit edhe më keq se dikur. Të merremi vesh që në fillim: Sondazhet janë opinione të njerëzve të ndryshëm dhe të tilla kanë qenë edhe një apo dy vite më parë, atëherë kur qeveria vuri si prioritet këtë luftë dhe ngjalli një farë shprese. Edhe përfundimet e sondazheve të kësaj periudhe, ishin bazuar pikërisht mbi shpresën dhe jo mbi rezultate reale. Sot, 78 për qind e shqiptarëve nuk kanë më as shpresë dhe kjo duhet të jetë alarmante, jo vetëm për qeverinë, por për opozitën, intelektualët, opinionin shoqëror shqiptar dhe gjithë atë botë depresive ku vërtiten të gjithë. Në fakt, rezultatet e këtij sondazhi nuk ishin një befasi. Ato ishin e vërteta, e thënë në mënyrë internacionale, e asaj që thonë shqiptarët në mënyrë nacionale, brenda rrugëve të Atdheut të tyre apo mureve të shtëpive. Ato, gjithashtu, i dhanë përgjigje dhe arsyes pse nuk ngrihen të protestojnë banorët e Shqipërisë. Shumë e thjeshtë: Kanë humbur shpresën.
Ajo që të befason është pse një sondazh i tillë nuk u bë nga partitë politike, nga qeveria apo opozita, qoftë dhe për përdorim të brendshëm. Dhe aq më tepër pse nuk u bë nga media shqiptare, kësaj here për përdorim të jashtëm. Sigurisht që rezultati do të paragjykohej, po kjo ka pak rëndësi. Historikisht sondazhet paragjykohen, por vjen një moment që quhet "Zgjedhje", ku ato ose vërtetohen, ose hidhen poshtë. Sipas rastit, kështu ngrihet dhe reputacioni i sondazheve dhe të gjithë e kanë në dorë të ruajnë objektivitetin e punës së tyre. Ekzistenca e këtyre testimeve publike sot është minore në faqet e shtypit apo televizioneve dhe po keqtrajtohet qysh në embrion. Ato bëhen shkel e shko, me pyetësor që përmban nga një pyetje apo vetëm foto, ku seleksionuesit nuk lodhen hiç, por ia lënë gjithçka në dorë kompjuterit. Kjo është arsyeja që sondazhet thuajse janë banalizuar, ato nuk i merr njeri seriozisht dhe nuk përbëjnë debat ose burime analizash të rëndësishme. Kjo e bën të papërfillshme vlerën dhe peshën që duhet të kishin këto testime.
Jetojmë në kohërat kur bota, këto sondazhe, i përdor gjerësisht për të ngritur emisione apo edicione të tëra lajmesh, sepse nëse ka një përfaqësim direkt të zërit të shoqërisë në media, është pikërisht përmes tyre. Sondazhi është formati që të jep luksin të intervistosh mijëra vetë në një hark kohor të shkurtër dhe përmes tyre tregohet një opinion, gjendje apo premisë, që nuk mund ta dish apo marrësh me mend nga zyrat e konservuara, qofshin këto shtetërore, partiake apo mediatike.
Kështu, për shembull, togfjalëshit Rrëshen-Kalimash, qeveria i shtoi si një mbiemër të lindur fjalën "patriotike" dhe të gjithë apriori e pranuan këtë fakt. Dhe guxo të mendosh ndryshe, shpallesh menjëherë armik. Po kush e përcakton patriotizmin në këtë rast dhe në shumë të tjera si ky? Qeveria, të jeni të sigurt, që jo. Qoftë dhe për të marrë një informacion popullor e për të vërtetuar sa i vërtetë dhe sa populist është nocioni patriotik i rrugës që kushton gjenerata, duhet të ishte bërë një testim. Nga ata më të thjeshtit, ku të pyeteshin shqiptarët se çfarë kanë më emergjente sot, çfarë do të donin të zgjidhnin me 600 milionë euro, një rrugë sado e fuqishme të jetë ajo, apo energjinë elektrike... Dhe në fund, do të shihni, ma do mendja, se patriotizmi nuk qëndron vërtet te rruga Rrëshen-Kalimash, që është strategjike, galaktike, fantazmagorike, e çdo gjë me "ike" nga pas. Por patriotizmi i gjithsecilit qëndron në radhë të parë te dashuria për të pasur një atdhe të banueshëm. Që sigurisht nuk mund të fillojë e mbarojë me një rrugë. Me aq sa kushton ajo, do duhen vite që buxheti i varfër shqiptar ta marrë veten apo të guxojë për ndonjë projekt të ngjashëm. Patriotizmi fillon nga rruga e shtëpisë së gjithsecilit, fillon nga vatra me dritë dhe ngrohje e gjithsecilit. Po paragjykoj thjesht për hir të paragjykimit, se shqiptarët nëse pyeteshin çfarë do të donin të siguronin më parë, do të zgjidhnin njëherë dritat, pastaj ujin, pastaj punësimin, ose të tria këto bashkë, e më pas rrugën Rrëshen-Kalimash. Kjo nuk i bën ata aspak antipatriotë, por më patriotë se kurrë. Problemi është, që as i pyeti, as i dëgjoi njeri. Në mos një referendum, që në fakt duhej zhvilluar kur bëhet fjalë për një kosto gjeneratash, që do mbajë në kurriz populli shqiptar, të paktën një testim i thjeshtë me njëmijë vetë duhej bërë. Dhe kjo jo vetëm për këtë rrugë me probleme të tmerrshme abuzive, por për çdo projekt tjetër që propagandohet si shpëtim i jetës së shqiptarëve.
Teste të tilla duhet të shndërrohen në një mekanizëm veprues brenda politikës, qeverisë apo opozitës. Jo vetëm kjo do shërbente si rregullator i prioriteteve të secilës palë, sidomos qeverisë, por do të krijonte një lidhje më të ngushtë me elektoratin apo atë që quhet bazë. Kjo në Shqipëri ka ndodhur në prag fushatash, ku të gjithë mundohen të shtojnë shifrat, duke i bërë qejfin vetes dhe ku i vetmi problem apo pyetësor ngrihet mbi kë do votojë njëri apo tjetri.
Në të vërtetë, në Shqipëri prej kohësh premtohet shumë dhe dihet që në krye të herës, që shumica e premtimeve janë absolutisht të parealizueshme. Ka ardhur momenti të premtohet më pak, pse jo, vetëm një premtim në katër vjet, po i mbajtur ama, kur këtyre viteve t‘u vijë fundi. Se cili do jetë ky premtim, kjo duhet të nxirret pikërisht nga pyetësori me popullin, duke u marrë mendjen pikërisht atyre që japin votën, sepse ata e dinë ku u pikon çatia. Ka ardhur momenti kur sondazhet e vërteta dhe objektive të shërbejnë si pika orientuese dhe as si sëpata mbi kokën e njërit e tjetrit, as si kurora dafinash pa lavdi. Paskëtaj do kishin edhe më shumë kuptim sondazhet me personalitete të vitit, në një vend ku sot po humb shpresa, e bashkë me të, edhe personaliteti.