Jashtë "Fiks"-it
Media shqiptare vazhdon rrugëtimin e saj, duke rritur së tepërmi nivelin, cilësinë e duke treguar gjithmonë e më shpesh se "paqja" e pushtetit të katërt me pushtetet e tjera nuk mund e nuk duhet të ndodhë. "Armiku" më i madh i pushteteve të të gjitha llojeve këto vitet e fundit është "Fiks Fare", që ka moshën fëminore 5-vjeçare; një emision i "Top Channel", që fillimisht u duk se sillte humor te familjet shqiptare, e që më pas u dha njerëzve të kuptonin se baleti i velinave, sarkazma e Saimirit, Doktorit dhe temat e trajtuara ishin plagët reale të familjes dhe shoqërisë shqiptare. Në këto 5 vjet, "Fiks"-i u ka treguar shqiptarëve si mashtroheshin, e jo vetëm nga politika, por edhe shërbimet që u ofrohen.
Disa kanë qenë pjesë e stafit, të tjerë janë larguar, por prapë Denisa, Shkëlzeni, Eva, Berta, Foni dhe shumë kolegë të tjerë, u mbërthyen para dyerve të institucioneve të shtetit, për të zgjidhur shumë e shumë probleme e halle, që arritën të zgjidheshin vetëm prej këmbënguljes së tyre. Këta kolegë nuk treguan se dinë vetëm të denoncojnë problematika apo fenomene negative, por edhe të këmbëngulin deri në zgjidhjen e shumë prej tyre. Në këto pak vite, "Fiks"-i më tepër se akuzues apo denoncues, u dha zgjidhje edhe shumë fenomeneve e problematikave.
Fillimisht, "Fiks"-i preku fenomene ndoshta periferike për qytetarët, që më pas tërhoqën vëmendjen e të gjithëve. Denoncimi për shkatërrimin e shtretërve të lumenjve, prerjen pa kriter të pyjeve, u dukën së pari jashtë vëmendjes së njerëzve, për shkak të halleve dhe problemeve të përditshme, por më pas edhe këto pasuri kombëtare të gjithsecilit prej nesh, fituan ndjeshmërinë e duhur te qytetarët dhe vetë shteti, dhe kjo ndjeshmëri erdhi nga "Fiks"-i, një rojtar i mirë i pasurisë kombëtare.
Denoncimet e qytetarëve ishin dhe vazhdojnë të jenë pa fund. Zyrat e "Fiks"-it janë jo më shumë se 100 metra larg nga Kryeministria dhe njerëzit presin çdo ditë të flasin apo denoncojnë problemin e tyre te "Fiks"-i, pasi Kryeministria apo vetë shteti me strukturat e tij, janë vetë problemi i tyre. Gazetarët e "Fiks"-it shkuan te firmat private ku mbushej ujë me zorrë nga çezma dhe tregtohej për ujë mineral, e çuan ujin për analiza dhe më pas u treguan shqiptarëve se pinin ujë të ndotur me fekale për ujë mineral. Treguan se si policia bënte pazare, duke shfrytëzuar të mitur për të përfituar para. Një ngjarje tronditëse, që shteti tentoi ta quante si goditje dhe hile politike, por që faktet nxorën në shesh pafytyrësinë dhe inkriminimin e strukturave të policisë. Treguan cila ishte fytyra e politikës me premtimet pa fund apo pazaret e saj të pista. Berisha thotë padrino, padrinoja thotë vrasës e kriminel, "Fiks"-i shpalos pafytyrësinë e kësaj politike që qahet natën e para ekraneve dhe dashurohet ditën në bare e lokale luksoze. Treguan si mashtrohen e vidhen pacientët në spitale apo kushtet që u ofrohen janë të mjerueshme. Treguan si shitet një fëmijë për 2 mijë euro dhe shteti ri e bën sehir. "Fiks"-i tregoi si dhe klerikë që kryenin abuzime seksuale dhe vjedhje të turpshme. Rasti i priftit ortodoks në Korçë apo atij katolik në Tiranë, apo hoxha i Lavdarit ishin tregimet më të mira se si një emision di të denoncojë edhe problemet e komuniteteve fetare, por duke ruajtur me fanatizëm integritetin e tyre dhe pa cenuar asnjëherë bashkëjetesën fetare dhe besimin e individit.
Një histori e shkurtër
"Fiks"-i na mësoi jo pak, na tregoi se si gazetari i "Fiks"-it mund të kishte kundërshtarë edhe familjarët e vet. Po rrëfej shkurt një ngjarje të ndodhur disa vite më parë, kur emisioni "Fiks Fare" denonconte priftin grek, Joanis Kaliufas. Ditën e parë u tregua prifti në disa shkallë hoteli me dy të rinj, të cilët i kishte marrë për t‘u kënaqur, pa e ditur se ata mbanin me vete kamerat e fshehta të "Fiks"-it. Reagimi ishte i menjëhershëm. Erdhën edhe akuza se pamjet ishin të manipuluara. Ditën e dytë, prifti grek u tregua në disa hotele të tjera dhe duke kapur dy të rinjtë në një dhomë të errët. Prifti reagoi në media: Janë fondamentalistë islamikë, më kërkuan viza. Por mediat greke nuk e besuan më priftin që iu pre mjekra nga dhespoti, por pasi verifikuan fjalët e priftit, rezultoi se drejtori i "Fiks"-it ishte vetë grek, gazetari po kishte viza, ishte dhe ai nga Korça, kështu që prifti mbeti vërtet lakuriq.
Nuk mjaftuan akuzat dhe tymi i priftit që u largua shpejt, por më qesharakja ishte se gazetari i "Fiks"-it mund të kishte kundër dhe familjarët e tij. Pas denoncimit, në zyrat e "Fiks"-it erdhi një protestë nga disa "intelektualë", ortodoksë korçarë, të cilët ndjeheshin të fyer nga denoncimet e emisionit dhe humori i "Portokalli"-së në fundjavë. Midis firmëtarëve ishte edhe xhaxhai im, Klito Fundo, i cili nuk e dinte se operacionin për filmimin e priftit e kishte bërë nipi i tij me disa kolegë. "Janë të turpshme. Individë të papërgjegjshëm duan të dëmtojnë imazhin e kishës", shkruhej në letër. Për ta vërtetuar firmën, mora xhaxhain në telefon dhe i thashë se kishte gabuar me firmën, pasi unë isha një nga ata që kishin demaskuar priftin. Përgjigja ishte e ashpër: Turp të kesh, na turpërove. Po bën edhe nga këto tani! Këtë mendim kishte edhe babai, por shpëtova me një pyetje: Kush nga ne e do kishën më shumë, unë që denoncoj imoralitetin e disa priftërinjve të pështirë, apo ata që e duan me gjithë këta pseudoshërbëtorë të Zotit? Prifti mbeti pa mjekër dhe e hoqën nga kisha, fakt që tregoi se bashkë me kolegët kishim të drejtë. Xhaxhai dhe shumë miq në Korçë ende e konsiderojnë si të padrejtë denoncimin ndaj priftit, por kjo është punë e tyre.
Puna te "Fiks Fare" ishte një nga përvojat profesionale më të mira për mua dhe besoj për çdo gazetar, që do punonte në atë emision, që është institucioni i fjalës së lirë dhe institucioni më investigativ në Shqipëri.
Ideve të Filipit dhe këshillave me mjaft vlerë të shokut Mitro, i përgjigjen një staf i përkushtuar, që çdo ditë thotë diçka të re. "Fiks"-i tregoi shumë në këto 5 vjet, por edhe më shumë do të tregojë, sepse vazhdon çdo ditë ta thotë fjalën e tij, ashtu si e mendon dhe ashtu si ne përjetojmë çdo përditshmërinë tonë. Nuk ka dorashka dhe servilizëm ndaj shtetit, por shuplaka e denoncime për të pasur më shumë vëmendje ndaj njerëzve, "Fiks"-i është i çdo shqiptari dhe më shumë sesa një emision i "Top Channel", është emisioni i halleve dhe shqetësimeve tona.