E Diel, 1 Nëntor 2026

Keqqeverisja si fatkeqësi

Në dokumentin e Strategjisë së Sigurisë Kombëtare të Republikës së Shqipërisë, të miratuar në vitin 2004, qysh në hyrje (Misionet themelore të Strategjisë së Sigurisë Kombëtare të Republikës së Shqipërisë) thuhet se, ndër këto misione janë edhe "… mbrojtja e jetës dhe e pasurisë". Ndërsa në ligjin Nr. 8756, datë 26.3.2001 "Për emergjencat civile", me "fatkeqësi" kuptohet një ngjarje, pasojat e së cilës… dëmtojnë jetën dhe shëndetin e popullatës…". Pra, në legjislacionin tonë është përpunuar një kuptim bashkëkohor mbi emergjencat civile dhe fatkeqësitë natyrore, e mbi këtë bazë janë ndërtuar edhe institucionet përkatëse.

Shpërthimi i një gjeneratori, në një prej zonave më të populluara të Tiranës, zjarri mbi apartamentet dhe pasuritë e qytetarëve që banonin në atë ndërtesë dhe kaosi në trafikun e qendrës së kryeqytetit, na tregoi edhe njëherë sa larg jemi nga respektimi i atyre ligjeve dhe vendimeve që vetë kemi miratuar. Duke përjashtuar nga diskutimi sfidën e njohur të mosnjohjes së ligjit apo padijen juridike, të dukshme në pjesën më të madhe të bashkëqytetarëve tanë, në vijim po ndalem në disa probleme që shoqërojnë fatkeqësinë e djeshme, sa natyrore, aq edhe shoqërore, në zemër të Tiranës.

Së pari, mendja të shkon te sigurimi i pasurisë, si rruga më e natyrshme për të minimizuar pasojat e fatkeqësive të kësaj natyre. Siç dihet, sigurimi i ndërtesave të banimit është një ndër sigurimet vullnetare dhe për një numër arsyesh zë një peshë shumë të vogël në vëllimin e qarkullimit të shoqërive të sigurimeve, që veprojnë në vendin tonë. Kjo do të thotë se pronarëve të biznesit, që u dogjën dje në Tiranë dhe qindra të tjerëve që u kanë ndodhur fatkeqësi të ngjashme më parë, apo që do t‘u ndodhë në të ardhmen (uroj që kjo të mos ngjasë, por të tilla fatkeqësi shoqërojnë prej shekujsh shoqërinë njerëzore), askush nuk do t‘u kompensojë asnjë qindarkë. E kur dikush nga anëtarët e shoqërisë dëmtohet - qytetar, biznesmen apo politikan qoftë ai, tërthorazi është dëmtuar e tërë shoqëria. Ndoshta është koha që, me iniciativën e institucionit rregullator (Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare), të ndërmerren hapat përkatës ligjorë për sigurimin e detyrueshëm të banesave e pasurive të tjera të patundshme. D.m.th., për të përfshirë në rrjedhat e ekonomisë së tregut edhe këto pasuri të rëndësishme kombëtare.

Së dyti, duke u kthyer shumë prapa në kohë, më duhet të kujtoj se qysh në Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 282, datë 16.8.1961 "Mbi pranimin e rregullores mbi ndërtimin e planifikuar të qyteteve e të qendrave të banuara" (Nenin 25), ndër të tjera thuhet se, largësitë ndërmjet ndërtesave duhet të jenë: a) kur ndërtesat qëndrojnë njëra karshi tjetrës me faqet anësore të gjata, deri në 12 metra; ...për ndërtesa me më shumë se 3 kate, për çdo kat (që ngrihet në të dy ndërtesat), shtohen 2 metra. Kur kati shtohet në njërën nga ndërtesat, atëherë largësia rritet për 1 metër. Kur faqet anësore janë më të gjata se 12 metra dhe më pak se 17, por gjithmonë më të shkurtra se pamja gjatësore, largësitë e mësipërme rriten 50% për ndërtesat njëkatëshe dhe 25% për ndërtesat me shumë se një kat; b) kur ndërtesat qëndrojnë njëra karshi tjetrës me faqet gjatësore: ...për ndërtesa mbi 3 kate jo më pak se 20 m. Caktimi i largësisë, në rastet kur ndërtesat karshi janë me numër katesh të ndryshme, bëhet duke marrë për bazë ndërtesën më të lartë dhe jo më pak se një e gjysmë lartësi të kësaj të fundit". Rreth dyzet vjet më vonë (1998), kjo dispozitë riformulohet si vijon: ...distancat ndërmjet objekteve duhet të jenë: … a) kur ndërtesat vendosen karshi njëra-tjetrës dhe kanë një gjatësi deri 20 m distancë, distancat duhet të jenë: … për ndërtesa 10 kat, jo më pak se 24 metër; për ndërtesa 11 kat, jo më pak se 24 metër; për ndërtesa 12 kat, jo më pak se 26 metër" (Pika 120 e vendimit të Këshillit të Ministrave, Nr. 722, datë 19.11.1998 "Për miratimin e rregullores së urbanistikës"). D.m.th., në të dyja sistemet janë njohur dhe parashikuar disa rregulla, që nëse zbatohen, lejojnë që qytetit t‘i themi qytet, që të jetë qendër e banuar dhe e jetueshme për qytetarët e vet dhe jo një grumbull betoni... siç po ndodh edhe sot e kësaj dite në qytete, në komunat përreth tyre, deri në skajet më të largëta të vendit.

Ndërsa akte të tjera ligjore përcaktojnë përgjegjësinë administrative dhe penale të institucioneve shtetërore të ngarkuara me rregullimin urban dhe të mandatuara për përfaqësimin dhe mbrojtjen e interesave të qytetarëve, si dhe harmonizimin e këtyre interesave me zhvillimin e vendit dhe respektimin e shtetit ligjor. Kështu, në ligjin Nr. 8991, "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin Nr. 8405 ‘Për urbanistikën‘, ndryshuar me vendimin Nr. 2, datë 25.1.1999 të Gjykatës Kushtetuese dhe me ligjet 8453 e 8682, në nenin 22/1", që flet për kompetencat e njësisë së urbanistikës në Bashkinë e Tiranës, në bashkitë e kategorisë së parë e në bashkitë e tjera dhe komunat, theksohet se kjo njësi: ..."shqyrton kërkesat për sheshe dhe leje ndërtimi të çdo objekti dhe dokumentacionin përkatës, në përputhje me planin e përgjithshëm rregullues dhe studimin e pjesshëm urbanistik të miratuar dhe i paraqet ato në këshillin teknik dhe në KRRT; ... 10. Mban aktet e kontrollit për këto faza të realizimit të punimeve: për piketimin e objektit, përfundimin e themeleve e të karabinasë, si dhe arkivon dokumentacionin teknik të objektit e dokumentet e tjera. Pas aktit të kolaudimit, nëse nuk janë vënë re shkelje, përgatit për miratim në KRRT materialin për lejen e shfrytëzimit".

Pra, shteti i djeshëm dhe i sotshëm e ka thënë fjalën e tij në vendosjen e rregullave dhe qytetarët, si ata që preken nga mbrapshtitë e administratës së radhës, si ata që u vështirësohet jeta prej këtyre mbrapshtive (politika flet - vetëm flet - për korrupsion me lejet dhe sheshet e ndërtimit, për "klane mafioze" apo për "mafien e ndërtimit") kanë se ku ta drejtojnë gishtin e tyre. Ishte e dhimbshme të shikoje kaosin që përfshiu për disa orë trafikun në qendër të Tiranës, sepse zjarrfikëset nuk mund t‘i afroheshin objektit që po digjej dhe të shihje se si flakët ngjiteshin drejt kateve të mësipërme. Se dje ndodhi me zjarrin, por nesër nuk do të mund të afrohet as autoambulanca për të shpëtuar jetën e një njeriu në rrezik; as mjetet shpëtuese në rast tërmeti; as makina e policisë në ndjekje të një krimineli; as vetë makina e varrimit për një ceremoni funerale (prej së cilës askush nuk mund të shpëtojë). Nuk po flas për mungesën e

trajnimeve në shkolla mbi fatkeqësitë natyrore të kësaj natyre dhe mënyrat e dhënies së ndihmës së shpejtë dhe as mungesën apo mosfunksionimin thuajse të plotë të pajisjeve kundër zjarrit në ndërtesat e stërmëdha të pas viteve ‘90, ku strehohen qindra familje... në mëshirë të fatit. Nuk po flas për shkallët e daljes në rast emergjence për jashtë ndërtesave, që nuk njihen ende në vendin tonë (ndonëse edhe për elemente të sigurisë së jetës, në legjislacionin në fuqi janë bërë parashikimet përkatëse). Nuk po flas as për administrimin skandaloz nga ana e qytetarëve të ambienteve të përbashkëta të banimit. Madje, asnjë numër telefoni urgjence falas nuk është instaluar gjëkundi dhe askush nuk kujtohet për këtë, edhe pse qytetarët e pajisur më së shumti me telefona celularë marrin dhjetëra oferta me reklama të pakërkuara biznesesh dhe ekranet e televizioneve janë të mbushura me "ftesa" për të marrë pjesë në lojëra të ndryshme, duke përfshirë ato të orëve të vona, nga të cilat pjesëmarrësve u kthehen fatura "të kripura". Përfytyroni se ç‘mund të ndodhë sikur biznesmeni, të cilit iu dogj dje prona në zemër të Tiranës dhe dhjetë apo njëzet familjeve të tjera, që u dëmtuan jo pak për këtë shkak, të akuzojnë pushtetin e radhës për shkelje të kondicioneve urbane dhe të kërkojnë dëmshpërblim. Një dreq e di se sa do të shkonte fatura financiare dhe politike e keqqeverisjes. Përfytyroni se ç‘mund të ndodhë sikur turma e larmishme e organizatave joqeveritare të shqetësohej vërtet për hallet e komunitetit dhe të përpiqej për zgjimin e tij. Se e drejta për të jetuar është e drejta bazë e njeriut dhe se siguria e jetës dhe e pronës janë pjesë e sigurisë kombëtare etj. Me siguri që ky komunitet (OJF) do të ishin paradhoma e fuqishme e partive të progresit në këtë vend të lodhur nga "qeverisjet në emergjencë" dhe "në emër të interesave të individëve me pushtet". Përfytyroni se ç‘mund të ndodhë sikur organi i akuzës të mos priste edicionin kryesor të lajmeve të ditës dhe ndonjë reagim të "udhëheqjes" para se "të ...administrojë provat", përndryshe viktimat e qeverisjes së keqe, të vendosë t‘i shkojë deri në fund analizës përse ndodh kështu dhe të çojë para drejtësisë ‘Don Corleonet‘ e tranzicionit tonë të dhimbshëm e të pafund. Me siguri që komunarët e ndaluar ditët e fundit do të formonin partinë e tyre brenda në institucionet e vuajtjes së dënimit, ndërsa përjashta hekurave do të kishte krizë për... emra pushtetarësh. Nëse këto përfytyrime do të realizoheshin një ditë, qoftë edhe pjesërisht, "epoka e grabitjes" në këtë vend do të shkonte drejt fundit të vet, ndërsa Tirana dhe qendrat e tjera të banuara do të bëheshin të jetueshme, ndërsa ne do ishim qytetarë të denjë të vendit tonë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›