FSHF, dakord me Presidentin: Të ndahen sporti e politika
Federata Shqiptare e Futbollit duket se është dakord me apelin që ka bërë Presidenti i Republikës, Bamir Topi, në një emision televiziv. Sipas FSHF-së, ndërhyrja e Presidentit rreth ndarjes së futbollit nga politika ishte më se e drejtë, ashtu si edhe ajo e ndryshimit të legjislaturës përkatëse, për të dënuar rastet e korrupsionit në futboll. Ka qenë zëdhënësi për shtyp i FSHF-së, Lysjen Nurishmi, ai që ka treguar qëndrimin që mbante institucioni i futbollit në lidhje me këtë çështje. "Ne e mbështesim plotësisht deklaratën e Presidentit Topi, pasi prej kohësh kemi kërkuar që politika të ndahet nga sporti. Normalisht, kjo nuk do të thotë që nuk do të ketë bashkëpunim mes dy palëve për të mirën e futbollit në vendin tonë. Ndaj ne do të mbështesim çdo iniciativë për ndryshimin e ligjeve përkatëse në të mirë të futbollit. Një qëndrim të tillë, FSHF-ja e ka mbajtur edhe më përpara dhe është e gatshme të bashkëpunojë me organet ligjbërëse dhe MTKRS-në, në mënyrë që të zhduket çdo fenomen negativ në futbollin tonë", u shpreh zëdhënësi për shtyp i FSHF-së. Por, duket se institucioni i futbollit nuk ka pasur një përgjigje për akuzën indirekte që u është bërë personave brenda FSHF-së, që kanë lidhje me kompani bastesh. "Deklarata e Presidentit Topi mund të jetë bërë për cilindo person që punon në administratën e FSHF-së", ishte komenti i vetëm i Nurishmit rreth kësaj çështjeje.
Në fakt, deklarata e Presidentit të Republikës bëri shumë bujë, edhe për faktin se përveç të qenit një tifoz i flaktë i Tiranës dhe kombëtares shqiptare, ai ka mbajtur edhe një rol drejtues te bardheblutë. Në këtë mënyrë, ai ka folur si "i brendshëm" në futbollin shqiptar, duke akuzuar hapur se korrupsioni në këtë sport në vendin tonë është i pamohueshëm. Gjithsesi, ai nuk ka arritur të japë asnjë shembull të qartë, qoftë edhe nga eksperienca personale gjatë periudhës kur ka mbajtur postin e presidentit të Tiranës dhe ka parë shpesh skuadrën e tij të regjistrojë rezultate të çuditshme. Ajo që mund të interpretohet sie vetmja akuzë direkte e tij ndaj FSHF-së, ishte për lidhjet e një funksionari të këtij institucioni me kompanitë e basteve.