Kjo qeveri po i shtyn njerezit drejt arratise
Jemi ndjerë keq të gjithë kur kemi parë Pirro Dhimën të ngrejë triumfues shtangën dhe të hipë në podet e fituesve të olimpiadave evropiane e botërore, mbështjellë me flamurin grek. Kemi belbëzuar apo edhe bërtitur duke e mallkuar: "Po ke ngrënë bukë këtu more haram, këtu u rrite e u formove, e tani na merr medalje për Greqinë". Por, të martën në mbrëmje, ndërsa ndiqja "Fiks Fare" dhe shikoja kushtet skandaloze të stërvitjes së atletëve tanë, që do të shkojnë në Lojërat Olimpike të Pekinit, mendova që Pirro Dhima ka bërë zgjidhjen më të mirë. Ai dhe shumë kampionë të tjerë. Po, po, kanë bërë vërtet shumë mirë që ikën. Madje bëjnë gabim të tjerë të rinj të suksesshëm që ende zvarriten palestrave të Tiranës tërë pluhur e merimanga. Talenti është një pasuri e madhe që ikën bashkë me kohën dhe ai nuk duhet sakrifikuar për asnjë arsye, qoftë edhe në emër të dashurisë për Atdheun.
Ishin filmime tragjike për sportin shqiptar ato dhe një akuzë e fortë për qeverinë. Një palestër në errësirë, ku atletët bënin ushtrime gjimnastikore nën rrezet dhe dritën e neoneve të sheshit para stadiumit kombëtar, që depërtonin nga dritaret e ngushta. Pas djersitjes, sportistët mbuloheshin me batanije që të mos ftoheshin. Ndërsa jashtë, në pistë, disa sportistë të tjerë, që dukeshin si tartakutë nate, vraponin si hajdutë, ndërsa trajneri bënte dritë me ekranin e telefonit për të parë kronometrin. Nëse ndodh që ndonjë atleti i vjen për të shkuar të tualet, atëherë ai duhet të dalë nga stadiumi dhe të shkojë në barin më të afërt, që është hotel "Sheraton". Ai duhet të ulet atje, të porosisë një kafe ose një diçka tjetër që të justifikojë përdorimin e banjës së barit. Nuk ka fjalë për ta përshkruar këtë maskarallëk të qeverisë. Mund të jetë një maskarallëk i drejtorit të stadiumit, por kjo nuk ka intereson fare. Ai është aty, sepse e ka emëruar qeveria, ministria, federata a kush dreqin qoftë. Rëndësi ka që njerëzit e vetëm, që na e ngrenë flamurin në aktivitete ndërkombëtare sportive, stërviten në këtë fare feje. Pa drita, pa ujë, pa banjo, pa dushe, pa asgjë. Dhe jemi ne të gjithë, që nga Presidenti e Kryeministri, që shtrembërojnë turinjtë kur atletit tonë nuk i mbajnë gjunjët deri në fund të garës, apo kur shtangën e çojnë deri në gjoks. Por edhe kur arrijnë suksese, ata sërish nuk shpërblehen. Sinqerisht, ndjejmë keqardhje për këta të rinj që janë afirmuar në arenën ndërkombëtare e torturohen në këto kushte. Ndaj dhe nuk do ta paragjykonim fare, nëse dikush prej tyre do të vendoste të vishte ndonjë fanellë tjetër. Takati e lë shpejt njeriun, ndaj, sa është, ai duhet këmbyer me karrierë dhe para. Ata janë talente, duhet të jenë krenaria e shoqërisë dhe nuk meritojnë që, pas disa vitesh, të hyjnë në listën e borxhlinjve te dyqani i lagjes.
Në të njëjtën natë, televizionet shfaqnin një tjetër panoramë të zymtë. Një stan të mbushur me dele të ngordhura në një fshat të Sarandës dhe një çoban që qante sipër tyre. Ishin filmime tragjike për bujqësinë shqiptare ato dhe një akuzë e fortë për qeverinë. Kishte plot 300 krerë dele e po kaq qengja, që po i pakësohen me dhjetëra çdo ditë. Delet nuk kanë ç‘të hanë, po ngordhin nga uria. Një vdekje e tmerrshme kjo për çdo qenie të gjallë. Shkaku është se drejtori i Pyjores në Sarandë nuk e lejon çobanin t‘i kullosë më bagëtitë në mal. "Kulloti në fushë", - i kishte thënë drejtori. Por në fushë kishte vetëm baltë dhe asnjë fije bar. Mund t‘i kishte thënë që t‘i kullosë edhe në det, se drejtori mund të bëjë çdo lloj propozimi. Kur gazetari e pyeti drejtorin përse nuk e lejonte çobanin t‘i kulloste delet, ai i nervozuar për faktin se si një copë çoban që mban erë dele, ia nxiu surratin në televizor, tha: "Nuk ka kontratë, ma gjeni kontratën e atëherë ejani në zyrën time". Po i ziu çoban pikërisht këtë kërkon, që drejtori i shëndoshë dhe nevrik t‘ia firmosë kontratën dhe ta lejojë t‘i kullosë delet. Çobani thotë se nuk ia firmos kontratën, sepse drejtori kërkon para...
Në fakt, kjo histori ka lidhje me atë të parën, aq sa ka lidhje çobani me Klodiana Shalën, që stërvitet mbuluar me batanije. Por jemi para të njëjtit fenomen; diskriminimit të njerëzve që punojnë, njerëzve që nuk kanë zgjedhur emigracionin, por vendin e tyre për të bërë karrierë dhe siguruar jetesën. Ndërsa gjysma e shqiptarëve kanë marrë arratinë nëpër fermat e Greqisë, duke lënë djerrë tokat e tyre, ai çoban ka punuar dhe ka krijuar një kope me 300 dele. Ai e ka Greqinë një vrap larg dhe do të ishte bërë një çoban shembullor tek afendikoi grek, por kërkon të punojë në vendin e tij, të bëjë kontratë me qeverinë e tij, të paguajë taksa në vendin e tij dhe ta shesë mishin dhe qumështin në tregun e vendit të tij. Por, në vendin e tij nuk e lë drejtori dhe ai tashmë vajton në stan, ndërsa shikon mundin t‘i shkojë dëm çdo ditë.
Në Tiranë është një drejtor stadiumi që u fik dritat atletëve, ndërsa në Sarandë një drejtor që i mbyll stanin një çobani. Gishtin e akuzës, këta njerëz dhe ne që mendojmë se këto realitete janë poshtërsi të mëdha, e drejtojmë te qeveria. Këta drejtorë nuk janë qeveria, por ata janë surrati i vërtetë i qeverisë. Të paaftë apo të korruptuar, sido që të jenë, ata janë të emëruarit e qeverisë dhe ata përfaqësojnë pikërisht qeverinë. Ndaj, para se të shqetësohemi për plotësim standardesh për në BE dhe NATO, të shqetësohemi të gjithë për diskriminimin që u bëhen njerëzve të aftë dhe njerëzve të punës, ndryshe në këtë vend do të mbeten vetëm politikanët, injorantët dhe dembelët.