Ceka: Topi, "thirrje në shkretëtirë"
Komisioni i reformës zgjedhore do të vazhdojë të mblidhet edhe pa praninë e dy partive të mëdha. Kjo bëhet e ditur nga kryetari i PAD-së, Neritan Ceka, i cili thekson se ditën e sotme ashtu siç ishte paralajmëruar edhe në mbledhjen e fundit anëtarët e partive të vogla do të mbledhin komisionin e reformës zgjedhore për të vijuar punën normalisht. Sipas tij, mbledhjen e komisionit e lejon edhe rregullorja e Parlamentit, e cila i jep të drejtën 1/4 së anëtarëve të mblidhen edhe me iniciativën e tyre. Sipas tij, në mbledhjen e sotme të komisionit të reformës zgjedhore anëtarët e saj do të shqyrtojë amendamentet e partive të vogla që kanë të bëjnë me sistemin zgjedhor proporcional të personalizuar. Kreu i PAD-së, Ceka, nuk i ka kursyer as dje akuzat ndaj dy partive të mëdha duke theksuar se ata po bashkohen për të shkelur pikërisht mbi Kushtetutën, institucionet dhe mbi vetë Presidentin. Për kryetarin e PAD-së, deklarata e Presidentit Topi se dialogu për reformën zgjedhore duhet të vijojë në komisionin e posaçëm parlamentar, si e vetmja zgjidhje për të mbyllur përfundimisht këtë reformë, u ngjajnë "thirrjeve në shkretëtirë". Unë, tha Ceka, e përshëndes thirrjen e Presidentit si një institucion, i cili zotërohet akoma nga arsyeja dhe nga vështrimi drejt Evropës. Megjithatë, ende drejtuesit e partive të vogla, nuk kanë marrë ndonjë konfirmim nga dy bashkëkryetarët nëse do të jenë apo jo të pranishëm në mbledhjen e nesërme të komisionit. Komisioni i posaçëm për reformën zgjedhore u mblodh javën e kaluar pa praninë e dy bashkëkryetarëve, ku u parashtruan kërkesat e partive të vogla, për një sistem proporcional të personalizuar. Drejtuesit e partive të vogla në mbledhjen e shkuar deklaruar se janë për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe kjo ka çuar edhe në refuzimin e ofertave që atyre u është bërë nga dy partitë e mëdha. Të vegjlit kërkojnë që të mos preket pragu dhe listat të jenë të hapura. Komisioni i reformës zgjedhore megjithëse mblidhet pa praninë e dy të mëdhenjve, të vegjlit nuk do të mund të arrijnë të marrin asnjë vendim konkret. Pasi që në krijimin e këtij komisioni është vendosur që çdo vendim merret me unanimitet dhe nëse një anëtar i vetëm kundërshton vendimin e shumicës vendimi nuk pranohet, pasi anëtarët e komisionit kanë të drejtë të përdorin veton e tyre. Afati i komisionit përfundon në mes të muajit mars, pra kanë mbetur edhe fare pak ditën dhe ende partitë politike nuk kanë unifikuar një qëndrim për realizimin e një reforme zgjedhore të pranuar nga të gjithë. Ndërkohë që Presidenti i Republikës u ka bërë thirrje partive politike të gjejë frymën e bashkëpunimit për realizmin e reformës zgjedhore. Presidenti u ka kujtuar partive politike se duhet të jenë në kohë për t‘u paraprirë zgjedhjeve politike të vitit 2009, sepse realizimi i një ligji elektoral në kohë dhe jo siç është bërë herët e tjera, në minutat e fundit, do të japë mundësinë që të përgatitet infrastruktura zgjedhore, të përgatiten partitë politike, të përgatiten stafet e tyre, në mënyrë që zgjedhjet politike të vitit 2009 të jenë të rregullta dhe të pranuara nga të gjithë. Topi ka theksuar se me realizmin e këtyre zgjedhjeve duhet të realizohen standardet, sepse standardi i institucionit të zgjedhjeve, është standardi i institucionit kryesor, nga i cili pastaj rrjedhin të gjitha institucionet e tjera.