Mali i Zi: Autobusi nuk u godit me gurë
Policia malazeze ka deklaruar dje se autobusi shqiptar në Budva nuk është goditur me gurë. Sipas të dhënave zyrtare, mëngjesin e datës 8 mars, në zonën e Budvas, shqiptari G.H. ka vërejtur se autobusi i markës "Bova", me targa TR0722E ishte dëmtuar. Punonjësit e policisë shkuan në vendin e ngjarjes dhe konstatuan se autobusit të parkuar gjatë natës në fshatin Velji Vinograd i ishte dëmtuar sinjali dhe feneri në anën e përparme. Pas kontrollit të autobusit, duket se personat i kanë dëmtuar këto pjesë për të shmangur kontaktin e makinave me autobusin, pasi ishte parkuar në një rrugë të ngushtë dhe kishte vështirësuar kalimin e makinave. Policia ka marrë masa për të vërtetuar identitetin e personave që kanë kryer dëmtimin. Gjithashtu, policia malazeze ka përgënjeshtruar lajmin, sipas të cilit autobusi me turistë që udhëtonte nga Shqipëria për në Budva ishte goditur me gurë. Policia ka deklaruar se ky autobus ishte dëmtuar, por shkaku nuk ka qenë se është goditur me gurë, duke mos shpjeguar se nga kishte ardhur ky dëmtim.