E Diel, 1 Nëntor 2026

KLD: Kontroll i rreptë ndaj pasurisë së gjyqtarëve

Pasuritë e togave të zeza, gjithnjë të përfolura, shpesh herë të dyshuara, por asnjëherë të verifikuara dhe të bëra publike, duket se do të kontrollohen më së fundi nga Këshillin i Lartë i Drejtësisë. Lajmi është konfirmuar dje nga drejtoresha Juridike pranë KLD-së, Ana Shkëmbi. Në një konferencë për shtyp të mbajtur dje, ajo deklaroi se "Inspektorati pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në përmbushje të detyrimit ligjor të përcaktuar nga neni 16, germa ‘e‘, në ligjin ‘Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë‘, si dhe nenet 21 dhe 44 të rregullores ‘Për organizimin dhe funksionimin e Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë‘, u ka bërë thirrje gjyqtarëve të plotësojnë formularët e deklarimit të pasurive me përgjegjësi dhe transparencë maksimale, si dhe t‘i dorëzojnë ato brenda afatit të përcaktuar, pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë".

Burimet zyrtare saktësuan se nëpërmjet kësaj strategjie të re organi më i lartë i drejtësisë në vend synon të ngrejë në një nivel të ri luftën kundër korrupsionit në sistemin gjyqësor. KLD-ja vlerëson se deklarimi i pasurive është mjeti më i mirë në një proces të qartë në luftën kundër korrupsionit dhe një nga mënyrat për të orientuar nivelin e besimit të publikut te gjyqësori. Në fakt, sipas ligjit, deklarimi dhe verifikimi i pasurive të gjyqtarëve është një proces periodik, i cili duhet të kryhet çdo vit, në mënyrë që të mund të krahasohen këto pasuri me të ardhurat vjetore të togave të zeza dhe në këtë mënyrë edhe mundësia e çdo fitimi të paligjshëm prej tyre. Por deri më tani asnjë lloj transparence nuk është vërë re në këtë drejtim, ndërsa institucionet që duhet të kontrollojnë gjyqësorin nuk bënë asnjëherë publike rezultatet e kontrollit të pasurive të gjyqtarëve, çka ka vënë pikëpyetje të mëdha vetë zbatimin e ligjit për këtë çështje.

Drejtoresha Juridike pranë KLD-së tha dje se ky organ do të angazhohet për të ngritur mekanizmat e duhur për të verifikuar vërtetësinë, rregullsinë dhe të gjitha aspektet e procesit të deklarimit të pasurive nga gjyqtarët. Sipas saj, procesi i verifikimit do te nisë menjëherë pas përfundimit të afatit ligjor të deklarimit, që është data 31 mars 2008. Ndërkaq, KLD deklaroi dje se "përtej partneritetit me Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe të Kontrollit të Pasurive, do të vlerësojë edhe hapësira bashkëpunimi me agjenci të tjera, për të verifikuar vërtetësinë e informacionit zyrtar të deklarimit të pasurive nga ana e gjyqtarëve".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›