E Diel, 1 Nëntor 2026

Çmimi i zgjerimit të vazhdueshëm të NATO-s

Në se në Samitin e NATO-s, që do të mbahet në Bukuresht nga data 2 deri më 4 prill të këtij viti, shkon gjithçka sipas planit, Kroacisë, Shqipërisë e Maqedonisë do t‘u dërgohen ftesat formale për anëtarësim. Problemin e vetëm në këtë moment e paraqesin kërkesat e grekëve ndaj maqedonasve, që të ndryshojnë emrin e vendit të vet dhe të shprehen qartë se nuk kanë ambicie ndaj provincës veriore greke që mban të njëjtin emër. Ky do të jetë raundi i gjashtë i zgjerimit, që pas themelimit të NATO-s në vitin 1949. Numri i përgjithshëm i vendeve anëtare do të rritet nga 26 sa janë tani, në 29. Ndaj zgjerimit të pritshëm, vendet e rajonit kanë marrë pozicione krejt të ndryshme. Në Serbi, ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, edhe opinioni publik edhe shumica parlamentare nuk janë për anëtarësim në NATO. Ata kanë qëndrim krejt të kundërt. Kryeministri Koshtunica dhe politikanë të tjerë kanë sulmuar ashpër NATO-n, për shkak të veprimeve të saj në Kosovë, përfshi fushatën e bombardimeve të vitit 1999 dhe rolin e saj të tanishëm. Me retorikën që na kujton erën e Luftës së Ftohtë, Koshtunica e ka quajtur Kosovën shtet të NATO-s, që administrohet nga Baza e Bondstillit (Baza e kontingjentit amerikan të KFOR-it). Mali i Zi i pavarur ka kohë që përpiqet me të gjitha forcat për t‘u bërë anëtar me të drejta të plota i NATO-s, sa më parë që është e mundur. Bosnja është rast i vështirë për t‘u gjykuar, pasi aty duhet mbështetja e të tria grupeve etnike, përfshirë dhe punën e madhe për bashkimin e forcave të armatosura të saj. Për shumë shkaqe, përfshirë dhe reagimin e serbëve të Bosnjës ndaj Kosovës dhe dëshirën e tyre për pavarësi, për Bosnjën mund të jetë e vështirë. Kur u themelua NATO dhe disa dekada më pas, qëllimi kryesor i anëtarëve të saj ka qenë thjesht mbijetesa kombëtare.

Kërcënimi nga Traktati i Varshavës ka qenë i vërtetë dhe i madh. Anëtarët e NATO-s kanë qenë mjaft të shqetësuar dhe pranonin kompromiset e nevojshme për të mirën e përbashkët. Por kjo erë bashkëpunimi i takon të kaluarës. Rëndësia e tre anëtarëve më të rinj nuk matet vetëm me përfitimet ushtarake për NATO-n (megjithëse të tria vendet kanë kontribuar në operacionet e NATO-s). Më shumë se kaq, anëtarësimi i tyre do të forcojë stabilitetin rajonal dhe të gjitha këtyre vendeve do t‘u japë ndjesinë sigurisë së rritur vetjake. Kroacia, për shembull, sheh forcën e rritur të radikalëve në Serbi dhe dëgjon retorikën e ekzaltuar të tyre për "Serbinë e Madhe", ndërsa te NATO sheh dikë që i ofron nivel tjetër rehatie. Maqedonia, duke e kujtuar dhunën etnike të vitit 2001 dhe duke iu frikësuar kthimit të saj, mendon se NATO do të jetë element stabilizues, në rast se do të jetë e nevojshme për të reaguar shpejt dhe për të ndihmuar në ndalimin e çfarëdo kthimi të dhunës. Të tria vendet e shohin anëtarësimin në institucionet euroatlantike edhe si mjet të rëndësishëm për dialog dhe si mënyrë të mirë për bashkëpunim rajonal. E parë në sipërfaqe, duket se NATO ka qenë një histori shumë e suksesshme. Armiku i saj i kohës së Luftës së Ftohtë (Traktati i Varshavës) ka pushuar së jetuari. Tetë anëtarë të tanishëm të saj kanë qenë më parë pjesë e atij traktati. Disa vende të tjera që kanë lindur nga rënia e Bashkimit Sovjetik janë anëtare të Partneritetit për Paqe dhe kanë shprehur interesimin për anëtarësim në NATO. Por, nuk është gjithçka e ndritshme dhe e këndshme. Vetë suksesi i NATO-s, për të tërhequr anëtarë të rinj nga Pakti i Varshavës, e sidomos nga vendet ish-sovjetike, i ka zemëruar rusët. Këtu përfshihet dhe ish-agjenti i KGB-së dhe luftëtari i Luftës së Ftohtë, Vladimir Putini. Planet e SHBA-ve për të ndërtuar në Çeki e Poloni baza për mbështetjen e programit të mbrojtjes me raketa, kanë shkaktuar reagimin jashtëzakonisht negativ të Rusisë. Rezultat direkt i kësaj ka qenë asgjësimi i Marrëveshjes për Forcat Konvencionale në Evropë. Çfarëdo hapi tjetër i NATO-s për të anëtarësuar vende si Ukraina, do të shkaktojë tension shtesë- në marrëdhëniet edhe kështu të vështira (mes SHBA-NATO) me Rusinë. Pasi kanë humbur armikun e vet më të fortë dhe më të rrezikshëm (Paktin e Varshavës), anëtarët e NATO-s nuk ndihen më të detyruar për ta mbështetur atë pa rezerva. Përkundër angazhimeve e premtimeve, disa vende të NATO-s nuk e kanë dhënë kontributin e premtuar për trupa në Afganistan dhe shumë prej tyre kanë vënë kufizime ekstreme për përdorimin e tyre në atë vend. Këto vende nuk investojnë mjaft mjete për ushtrinë dhe si pasojë kontribuojnë gjithnjë e më pak në forcën ushtarake kolektive të NATO-s.

Disa anëtarë të BE-së janë më të interesuar për të ndërtuar forcat e veta për veprim ushtarak, sesa të bashkëpunojnë me NATO-n. Disa refuzojnë gjithnjë e më shumë rolin tradicional drejtues të SHBA-ve. Me që Aleanca është rritur dhe kërcënimi kryesor mungon, është e vështirë të zgjidhen dallimet politike mes vendeve anëtare. Kjo bën që çfarëdo lloj aksioni të jetë i vështirë e të kërkojë kohë. Shkurt, NATO është bërë më pak e ndërlidhur, më pak e aftë për të vendosur dhe përdorur forcat e veta dhe për pasojë mund ta kalojë lehtë zenitin e vet në kuptimin e efikasitetit dhe aftësisë për t‘iu përgjigjur si organizatë situatave të krizës. E parë nga kushtet e pastra ushtarake, ajo është tepër e sforcuar në zgjerim, sidomos në vendet balltike. Ajo po bëhet gjithnjë e më tepër mjet si BE, për nxitjen e ndryshimeve të brendshme në vendet kandidate. Kur ato vende bëhen anëtare, nxisin stabilitetin në to, në vend të përgatitjeve për qëllimet tradicionale të mbrojtjes së përbashkët, në kohërat e përplasjeve serioze. Përkundër kësaj, Rusia është rikthyer pas dështimit katastrofik të Bashkimit Sovjetik dhe të ekonomisë së tij. Ka braktisur mbështetjen për ish-aleatët e Paktit të Varshavës dhe gjithashtu edhe ngarkesën e ideologjisë diskredituese, duke e zëvendësuar me qëndrimin gjithnjë e më nacionalist. Si rezultat i kësaj, Rusia ka kohezion të brendshëm dhe mbështetje publike me entuziazëm. Vendimet momentalisht mund të merren nga kreu shtetëror, pa frikën e kundërshtimeve politike. Falë rritjes radikale të çmimeve të rezervave natyrore, sidomos naftës e gazit, ekonomia e saj është ringritur. Deri para disa vitesh Rusia nuk ka mundur as të përdorë avionët e saj ose të nxjerrë flotën e vet në det, ndërsa tani është rikthyer në kuptimin ushtarak. Për më tepër, ky është kthim me një qëndrim të veçantë. Rusia është e inatosur për rënien e Bashkimit Sovjetik dhe Traktatin e Varshavës. Inati është drejtuar ndaj NATO-s dhe fqinjëve të saj të afërt. Për Perëndimin, Lufta e Ftohtë është diçka që u përket librave të historisë. Ndërsa Vladimir Putin dhe populli rus kanë një këndvështrim tjetër. Për ta, vetëm ka përfunduar hegjemonia që mund të impononte Perëndimi pas rënies së BS e Traktatit të Varshavës. Rusia synon të kthejë në masë të madhe statusin dhe prestigjin e saj në botë dhe nuk lëkundet aspak në këtë rrugë. Në të vërtetë, për të demonstruar fuqinë e saj të rinovuar, Rusisë i duhet të gjejë shkaqe dhe çështje për të cilat të konfrontohet me Perëndimin. Kosova duhet parë në këtë kontekst. Kombinimi i Rusisë agresive, të rimëkëmbur, me vetëbesim e vetëkënaqësi, me zgjerimin të NATO-s, paraqet një kombinim me rrezik të mundshëm. Kjo vlen për vendet e ish-Bashkimit Sovjetik, me pakica të konsiderueshme ruse brenda. Potenciali për përplasje serioze në njërën prej këtyre zonave është real. Ai mund të shndërrohet lehtë në incident (të drejtuar ose spontan), që i përfshin këto pakica. Zgjedhja e reagimit përkatës nuk do të jetë i lehtë. Por ky është çmimi i zgjerimit të Aleancës, i bazuar shumë më tepër në kritere politike, sesa në vështrime praktike ushtarake. Shpresojmë që këtë realitet të ri do ta kuptojnë plotësisht liderët që do të takohen në samitin e ardhshëm, si dhe qeveritë që përfaqësojnë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›