Gjykatësi në spital për masën e Pajës
Gjendja shëndetësore e të akuzuarit për një sërë veprash penale, Ilir Paja, e ka detyruar gjyqtarin e gatshëm të Gjykatës së Krimeve të Rënda që të shkojë në spital për të vlerësuar arrestin, si dhe për të shqyrtuar masën e sigurisë ndaj të pandehurit. Ashtu sikurse kishte deklaruar edhe më parë, Paja është justifikuar përpara gjykatësit se nuk kishte dashur ta plagoste punonjësin e policisë, Bledi Haxhimali. Gjithsesi ai nuk ka pasur shumë argumente për t‘u mbrojtur përpara numrit të madh të akuzave që janë ngritur ndaj tij. Gjyqtari, pasi dëgjoi edhe argumentet e prokurorisë, ka vendosur masën e sigurisë burg pa afat ndaj 35-vjeçarit, i cili u arrestua tre ditë më parë. Sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ndaj të pandehurit Paja janë ngritur veprat penale të "vrasjes në rrethana cilësuese të mbetur në tentativë"; "armëmbajtje pa leje"; "mosbindje të urdhrave të policisë së rendit" dhe "shkatërrim të pronës shtetërore". Ndërsa në dy dosjet e ardhura nga Italia dhe Gjermania, Ilir Paja akuzohet për vrasje, trafik droge, vjedhje të vilave, rrëmbim personi, dhunë seksuale dhe shfrytëzim prostitucioni. Ndërkohë, akuzohet edhe për largim nga vendi i vuajtjes së dënimit në Itali, ku në mënyrë spektakolare është arratisur nga një autoambulancë. Ai u plagos në shpatull paraditen e së enjtes te kryqëzimi pranë Farmacisë nr.10 në Tiranë, gjatë operacionit policor për kapjen e tij, ndërsa pak minuta përpara prangosjes kishte plagosur agjentin e policisë që ishte duke e ndjekur.