E Diel, 1 Nëntor 2026

Të vegjlit: Rusmali dhe Islami të ulen në tryezë, jo në kafene

Partitë e vogla dalin hapur kundër dy bashkëkryetarëve të PD-PS për reformën zgjedhore. Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, dhe kryetari i PBLD-së, Arian Starova, kanë kërkuar dje mbledhjen e komisionit parlamentar për reformën, qoftë edhe pa praninë e Ilir Rusmalit dhe Kastriot Islamit. Heshtjes së "gjigantëve" të politikës, të vegjlit i janë përgjigjur duke kërcënuar deri në spostimin e dy figurave kryesore që PD dhe PS kanë ngarkuar me misionin e reformës. Sipas kryetarëve të partive të vogla të grupeve mazhoritare, Rusmali dhe Islami të mos ulen në kafene, por të mblidhen në tryezën e komisionit së bashku me partitë e vogla. Partitë parlamentare të mazhorancës kanë bërë me dije dje se do të mblidhen së shpejti për të arritur në një qëndrim të përbashkët për reformën zgjedhore, dhe për të krijuar një mundësi që kjo reformë të dalë nga ngërçi ku është futur. Kreu i PDK-së, Nard Ndoka, mbështeti deklaratën e Presidentit Topi që debati për reformën zgjedhore të vijojë në komisionin e posaçëm parlamentar. "Presidenti po tregohet i kujdesshëm dhe apeli i tij vjen në momentin e duhur për të gjithë drejtuesit e partive parlamentare, të cilët duhet të heqin dorë prej bisedave nëpër kafene për çështje të rëndësishme, siç është reforma zgjedhore", tha Ndoka.

Sipas tij, "ende nuk është marrë ndonjë konfirmim nëse dy bashkëkryetarët do të jenë në mbledhjen e nesërme të komisionit të posaçëm për reformën, por megjithatë partitë e vogla do të këmbëngulin që komisioni të fillojë nga puna". Komisioni i posaçëm për reformën zgjedhore u mblodh javën e kaluar pa praninë e dy bashkëkryetarëve, ku u parashtruan kërkesat e partive të vogla për një sistem proporcional të personalizuar. PDR, nëpërmjet nënkryetarit të saj, Tritan Shehu, ka kërkuar që reforma të përfundojë brenda muajit mars. Në të njëjtën linjë ka qenë edhe reagimi i Partisë Bashkimi Liberal Demokrat, ku kryetari i kësaj partie kërkoi që të bëhen menjëherë ndërhyrjet në Kushtetutë për sa i takon reformës zgjedhore dhe të sigurohen zgjidhje afatgjata dhe këtë mund ta garantojë vetëm një konsensus i gjerë për sistemin zgjedhor. Kryetari i PBLD-së, Arjan Starova, vlerësoi thirrjen që Presidenti i Republikës u ka bërë partive parlamentare, për t‘iu rikthyer debatit për reformën zgjedhore në komisionin e posaçëm parlamentar. "Ideja që debati të rikthehet në komision është ajo që ne e kemi shprehur prej kohësh, kështu që është më se normale. Ecuria e reformës zgjedhore ka vonesa dhe zvarritje, ndaj është mirë që ky komision të veprojë shumë shpejt", tha Starova, duke e konsideruar si shumë të vështirë "përfundimin komplet të kësaj reforme brenda muajit mars". Sipas tij, "partitë politike janë shumë të vonuara me reformën zgjedhore, ndaj e rëndësishme është që brenda muajit mars të bihet dakord për parimet kryesore të kësaj reforme, që kanë të bëjnë me sistemin apo komisionet zgjedhore". "Nëse arrihet kjo, atëherë të tjerat mund të bëhen edhe më pas", tha ai. Sipas Starovës, "Kushtetuta nuk është ndonjë ligj i zakonshëm që mund të ndryshohet sa herë të duan partitë politike, ndaj ndërhyrjet në të duhet të sigurojnë zgjidhje afatgjata". Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka inkurajuar vijimin e dialogut për reformën zgjedhore në komisionin e posaçëm parlamentar, si e vetmja zgjidhje për të mbyllur përfundimisht këtë reformë. Sipas Topit, "ndryshimi i sistemit elektoral, detyrimisht kërkon që të ndryshohet edhe Kushtetuta, dhe në këtë drejtim gjërat duhet të jenë të menduara mirë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›