Situatë "shtetrrethimi" në gjykatën e kryeqytetit
Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet është mësyrë nga kontrolle të shumta që janë bërë nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Ministria e Drejtësisë, por edhe OSBE-ja. Lajmi bëhet i ditur nga vetë gjyqtarët, të cilët në këto ditë janë ndier të kontrolluar që nga momenti i hyrjes në mëngjes në godinën e gjykatës e deri në momentin e daljes prej andej. KLD-ja ka nisur një inspektim, të cilin e kishte njoftuar zyrtarisht pak kohë më parë, ndërsa zyrtarë të OSBE-së marrin pjesë në seancat gjyqësore si publik i thjeshtë. Inspektorët e ministrisë janë ata që vijnë më befasisht dhe pa lajmëruar për programin e tyre. Në fakt, kjo lloj strategjie u paralajmërua nga vetë ministri Alibeaj në analizën e fundit njëvjeçare të punës së kësaj gjykate, që u mbajt javën e kaluar dhe që u shoqërua me debate të tensionuara.
Sipas burimeve konfidenciale nga Gjykata e Tiranës, inspektorët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë kanë në programin e tyre të punës kontrollin e pjesës administrative të veprimtarisë së gjykatës. Ata janë duke parë me vëmendje punën e kancelarit, kryesekretares dhe gjithë sekretareve të gjykatës së kryeqytetit. Objekti kryesor mbetet mënyra dhe transparenca në hedhjen e shortit, hedhja e dispozitivave të vendimeve të gjyqtarëve në librat e veçantë, në sistemin elektronik, si dhe mënyra e administrimit të këtyre librave. Për këtë arsye, inspektorët kanë marrë në dorëzim të gjithë librat e sekretareve dhe po i shikojnë çështjet me radhë.
Më interesante duket se është prezenca e zyrtarëve të OSBE-së në ambientet e gjykatës. Gjyqtarët thonë se ata vijnë në seancat gjyqësore si publik i thjeshtë. Prezantohen si përfaqësues të OSBE-së, por ndjekin seancat pa bërë të ditur objektin e kontrollit të tyre. Në fakt ata nuk deklarojnë se janë duke kryer ndonjë kontroll, por mbajnë shënim ato çfarë u përkthejnë përkthyesit e tyre gjatë gjithë kohës që ndjekin proceset. Më së shumti ata duket se ndjekin oraret e nisjes së seancave dhe a përputhen ato me oraret e përcaktuara më parë nga gjyqtarët, si dhe mënyrën se si zhvillohen seancat. "Nga sa kam vënë re, ata ndjekin kryesisht çështjet që kanë pasur kohëzgjatje të madhe dhe që janë zvarritur për një kohë të gjatë", thotë një gjykatës. Ndërsa inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë janë më të fshehtit. Ata vijnë në mënyrë të befasishme dhe interesohen kryesisht për zbatimin e orarit të punës nga ana e gjyqtarëve, duke nisur që nga paraqitja në mëngjes e deri te zbatimi i orareve të seancave. Megjithëse nuk deklarojnë kurrë objektin e kontrollit, gjyqtarët thonë se ata vëzhgojnë edhe solemnitetin e zhvillimit të seancave gjyqësore, që gjithsesi lë shumë për të dëshiruar për sa kohë që 80% e proceseve vazhdojnë të zhvillohen nëpër zyrat e gjyqtarëve.