E Diel, 1 Nëntor 2026

Curri gol Shaktjorit, Dallku asist

Debatik Curri dhe Armend Dallku kanë shkëlqyer në takimin e vlefshëm për Kupën e Ukrainës kundër Shaktjor Donjetskut. Ndeshja e kthimit ka përfunduar në barazim 1-1: Curri ka shënuar golin e Vorskla Poltavës pas krosit të Dallkut nga e djathta. Në minutën e 64-t dyshja kuqezi ka finalizuar në mënyrë perfekte një aksion të rrjedhshëm të miqve dhe 23-vjeçari nga Prishtina i ka dhënë vetes sadisfaksionin të realizojë në portën e kampionëve ukrainas. Curri ka barazuar shifrat pasi 9 minuta më parë për Shaktjorin kishte shënuar Gai. Ky rezultat vlen më shumë për moralin e Vorsklës dhe mbi të gjitha të dyshes kuqezi që militon atje, edhe sepse skuadra ka luajtur me 10 lojtarë për më shumë se një orë, pas daljes me karton të kuq të Donets kur kronometri shënonte vetëm 27 minuta lojë. Të dy shqiptarët janë aktivizuar përgjatë gjithë 90 minutëshit, duke konfirmuar rëndësinë për skuadrën e tyre. Gjithsesi, barazimi nuk e ka ndihmuar Vorsklan që të kalonte në gjysmëfinale, pasi në takimin e parë, të luajtur më 8 dhjetor, Shaktjori kishte fituar 3-0 jashtë fushe. Edhe ai takim ishte kondicionuar nga një karton i kuq, ku përsëri Vorskla kishte luajtur në inferioritet numerik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›