Verë pa akuj në Arktik në vitin 2013
Shkencëtarët në SHBA kanë prezantuar një nga parashikimet më dramatike të deritanishme që flet për zhdukjen e akujve në Arktik. Sipas një studimi të fundit, akujt në Polin e Veriut do të shkrijnë totalisht gjatë stinës së verës brenda 5-6 vjetëve. Parashikime të mëparshme, sipas ekspertëve amerikanë, e kanë nënvlerësuar procesin e shkrirjes së akujve. Vetëm gjatë verës së sivjetshme, akujt e Arktikut u reduktuan në 4.13 milionë kilometra katrorë, sipërfaqja më e vogël e ngrirë kjo në kohët moderne. Përdorimi i super-kompjuterëve dhe modeleve është bërë një pjesë standarde e shkencës së klimës në këto vitet e fundit. Ndërkohë, Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimaterike, një organ i Kombeve të Bashkuara që vlerëson gjendjen e sistemit klimaterik të tokës, përdor metoda të ngjashme për të parashikuar humbjen e akujve në Arktik. Por, ajo që është bërë e dukshme në këto vitet e fundit, është fakti se realiteti, pra shkalla e vërtetë e shkrirjes së akujve gjatë verës, po lë prapa modelet. Sipërfaqja minimale e akujve u regjistrua në shtator 2007, duke thyer rekordin e mëparshëm të vitit 2005, kur bëhej fjalë për 5.32 milionë kilometra katrorë sipërfaqe të ngrira në Arktik. Minimumi i hershëm i kësaj sipërfaqeje, bazuar në të dhëna nga 1979-ta deri në vitin 2000, është 6.74 milionë kilometra katrorë. Në krahasim me këtë minimum, 2007-ta shënon një rënie me 2.6 milionë kilometra katrorë, një zonë kjo afërsisht e barabartë me përmasat e Alaskës dhe Teksasit të bashkuara, apo 10 herë më e madhe se Mbretëria e Bashkuar. "Disa vite më parë imagjinoja një oqean Arktik të hapur gjatë muajve të verës në vitet 2050-2070, ndoshta deri në vitin 2100. Pasi, në të vërtetë, modelet tona tregonin një afat të tillë. Por tani ne kemi vërtetuar se modelet nuk janë të shpejta sa duhet. Ne po humbasim akujt e Arktikut me një shpejtësi shumë herë më të madhe", thotë Mark Serreze, kërkues në Qendrën Kombëtare të Dëborës dhe Akujve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Edhe ish-zëvendëspresidenti amerikan, Al Gore, ka tërhequr vëmendjen për shkrirjen e shpejtë të akujve gjatë fjalimit të mbajtur të hënën në Oslo, në ceremoninë e marrjes së çmimit "Nobel" për paqe, që këtë vit iu dha atij, pikërisht për shkak të angazhimit në mbrojtje të klimës.