E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqia paralizohet për një ditë

Sindikatat e kanë mbajtur premtimin. Kaosi i paralajmëruar në Greqi është verifikuar gjatë tërë ditës së djeshme, si rezultat i grevës së përgjithshme të shpallur nga sindikatat kryesore të vendit. Dhjetëra e mijëra demonstrues bllokuan pasdite qendrën e Athinës, në mbështetje të grevës kundër planeve të qeverisë për të reformuar sistemin e pensioneve. Greva solli mbylljen e spitaleve, bankave, shkollave, gjykatave dhe të gjitha shërbimeve të tjera publike. Edhe zonat arkeologjike, përfshi Akropolisin, u mbyllën. I njëjti fat edhe për linjat e telefonave, korrierët e postës dhe shpërndarësit e picave. Vetëm disa banka private qëndruan të hapura, por transporti publik, përfshi anijet që lidhin Greqinë me ishujt, ishte pothuajse plotësisht i paralizuar. Metroja e Athinës dhe sistemi i tramvajeve funksionoi vetëm për pesë orë, në mënyrë që mbështetësit e grevës të mund të merrnin pjesë në manifestimet në qendër të kryeqytetit. Avionët qëndruan nëpër hangarë, pasi edhe kontrollorët e trafikut ajror iu bashkuan grevës që filloi mesnatën e së martës. Spitalet pranuan vetëm rastet e emergjencave. Gjykatat u mbyllën për të dytën ditë radhazi, pasi avokatët dhe gjykatësit filluan që të martën një grevë 48-orëshe. Punën e lanë edhe gazetarët, duke anuluar kështu programet informative nëpër radio e televizione. Tri stacionet shtetërore televizive transmetuan vetëm një tekst, ku nënvizohej mbështetja për grevën. Asnjë gazetë nuk doli sot në treg. Ndërkohë, policia e ndërhyrjes së shpejtë ka qenë në gatishmëri në qendrën e qytetit, ndërsa helikopterët e policisë fluturonin ngado, ndërsa dhjetëra e mijëra njerëz marshonin nëpër qytet në disa demonstrime të ndara. "Larg duart nga skema e pensioneve", thërrisnin ata. Grevistët, ndërkohë, thonë se nuk është e drejtë që ata të paguajnë për gabimet dhe keqmenaxhimin e qeverive të shkuara në fondet e pensioneve. Ata akuzojnë qeverinë e krahut të djathtë se po sulmon sistemin e sigurimit social. "Ne duhet të qëndrojmë të gjithë bashkë dhe ta zmbrapsim këtë sulm", thonë ata. "Na kërkojnë më shumë, gjithnjë e më shumë", thotë një tjetër grevist, "duan të na bëjnë të punojmë nga ora tetë e mëngjesit deri në mes të natës, si të ishim në Mesjetë". Edhe shumë greva të tjera janë planifikuar përgjatë javës së ardhshme, ndërkohë që pritet një reagim i qeverisë. Kjo e fundit, thotë se reforma në sistemin e pensioneve, që edhe ka ndezur grevën e djeshme, është e domosdoshme për të parandaluar kolapsin e këtij sistemi në vitet e ardhshme. Në fakt, sipas ekspertëve, sistemi i pensioneve mund të rrënohet brenda 15 viteve të ardhshme, për vetë faktin se popullata në Greqi po vjen në plakje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›