E Diel, 1 Nëntor 2026

Kombëtarja shqiptare, 9 kandidatë për trajner

Gara për stolin e kombëtares shqiptare është drejt fundit. Federata Shqiptare e Futbollit ka përpiluar listën me emrat e kandidatëve që cilësohen si pasardhës të Oto Bariç në stolin kuqezi. Armand Duka, kreu i institucionit që drejton sportin më popullor në vend i ka dorëzuar Komitetit Ekzekutiv nëntë emrat më të fortë, nga ku njëri do të zgjidhet si trajner i ekipit kuqezi. Gjithçka ka ndodhur në mbledhjen e zhvilluar dje dhe është mbajtur në sekret: anëtarëve të komitetit u është kërkuar që të studiojnë alternativat dhe në një mbledhje që pritet të zhvillohet shumë shpejt do të diskutohet se cili prej tyre është më i vlefshëm. Bëhet fjalë për tre trajnerë italianë, tre gjermanë, një austriak, një polak dhe një rumun.

Italianët

Alternativat që vijnë nga përtej Adriatikut janë i mirënjohuri Luixhi (Xhixhi) Simoni, Klaudio Xhentile dhe Valter Zenga. Simoni, një ish-futbollist i Napolit, Torinos, Juventusit e Xhenoas e ka filluar karrierën si trajner në sezonin 1974-75 te Xhenoa dhe vetëm një vit më pas arriti ta ngjiste skuadrën në Serinë A. Pas një serie të gjatë arritjesh me skuadra si Pisa, Breshia e Kremonese e Napoli. Në vitin 1997, Simoni ka marrë drejtimin e Interit ku me Ronaldon në skuadër fitoi Kupën UEFA dhe u shpall nënkampion i Serisë A (kampionatit që Interi akuzon se ia ka "vjedhur" Juventusi). Është larguar nga zikaltërit në vitin 1999, por vazhdon të kujtohet me shumë dashuri nga tifozët e skuadrës. Pas eksperiencës me CSKA e Sofjes, në vitin 2003 Simoni ngjiti Ankonën në Serinë A, por për çudi është pushuar nga puna pas vendimit të drejtuesve të klubit. Në vitin 2005 tentoi të ngrinte Lukezen nga Seria C në Serinë B italiane. Xhentile është një prej futbollistëve më të njohur italianë, kampion bote me kombëtaren e vendit të tij në Botërorin 82‘. Që Prej vitit 2000 deri në qershor 2006, ai ka drejtuar kombëtaren Shpresa të Italisë, duke qenë mjaft i suksesshëm. Përfaqësuesja e tij fitoi Evropianin 2004 për Under-21, ndërkohë që në edicionin pasardhës nuk arriti të kualifikohet në raundin e dytë dhe u zëvendësua nga Kaziragi. Karriera e Zengës si trajner ka filluar në vitin 2002 dhe ai ka drejtuar ekipe si Steaua, Dinamo e Bukureshtit dhe serbët e Cervena Zvezda (Ylli i Kuq i Beogradit) me të cilët fitoi titullin në sezonin 2005-‘06.

Gjermanët

Edhe emrat e kandidatëve nga Gjermani janë mjaft të respektueshëm: Horst Kopël, Uilfred Shefer e Volfgang Sidka. 59-vjeçari Kopël ka qenë për 4 vjet zv/trajner i kombëtares gjermane (1983-87), duke marrë pjesë në një kampionat evropian dhe një Botëror. Në CV-në e tij të gjatë ka drejtuar edhe klube të mirënjohura në Gjermani si Borusia e Dortmundit, Borusia Mynshengladbah, Fortuna Dyseldorf dhe Eintraht Frankfurt. Shefer e ka filluar karrierën si trajner në vitin 1986 te Karlsruhe. Ka qenë trajner i Kamerunit, ndërkohë që së fundmi drejtonte arabet e Al-Ahli. Me Sidkën, koincidenca është mjaft e madhe, pasi ka drejtuar shumë skuadra, nga viti 2005 53-vjeçari ka drejtuar kombëtaren e Bahreinit, ku pas një viti punë ishte zëvendësuar nga ish-trajneri i kombëtares shqiptare, Hans-Peter Brigel.

Të tjerët

Në listë spikat austriaku Hans Krankl, me eksperiencë 20-vjeçare, ku gjatë kësaj periudhe ka drejtuar shumë skuadra (Rapid, Admira e Salcburg), ndërkohë që nga viti 2001 deri në vitin 2006 ka drejtuar kombëtaren e Austrisë. Ilie Dimitresku, ish-lojtari i mirënjohur rumun është një tjetër kandidat: megjithatë 9 skuadra të ndryshuara në 7 vjet (mes të cilave U-21 e Rumanisë, AEK e PAOK në Greqi) nuk japin siguri. Alternativa e fundit është polaku Nazare.

Kandidatët

Claudio Gentile (Itali)

Luigi Simoni (Itali)

Walter Zenga (Itali)

Horst Köppel (Gjermani)

Wolfgang Sidka (Gjermani)

Winfried Schäfer (Gjermani)

Hans Krankl (Austri)

Ilie Dimitresku (Rumani)

Nazare (Poloni)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›