Nis programi për futbollin e femrave
Një nga vendimet në mbledhjen e djeshme të Komitetit Ekzekutiv ka qenë edhe ai i miratimit të "Programit për ngritjen e futbollit të femrave në Shqipëri". Iniciativa e zhvillimit të kësaj dege të futbollit në vendin tonë është miratuar prej kohësh nga Komiteti Ekzekutiv, por deri tani nuk ishte ndërmarrë asnjë hap për të ndihmuar zhvillimin e interesimit të femrave për këtë sport. Këtë radhë, Komiteti Ekzekutiv ka ndërtuar një komision i cili do të ketë si detyrë që të ndihmojë në krijimin e strukturave të përshtatshme për zhvillimin e futbollit të femrave. Medin Zhega, Hito Hitaj dhe Astrit Maçi do të jenë anëtarët e këtij komisioni të ndërtuar me detyrën për të marrë përsipër organizimin e një kampionati kombëtar të futbollit të femrave. Ky komision do të japë edhe asistencë për krijimin e klubeve dhe ekipeve të futbollit të femrave. Duke parë se thuajse të gjitha vendet e Evropës zhvillojnë rregullisht kampionatin e femrave në nivel amator dhe profesional, është menduar që kjo praktikë të ndiqet edhe në vendin tonë, për të pasur në të ardhmen edhe një kombëtare që do të përfaqësojë Shqipërinë në aktivitete ndërkombëtare.