E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjyqtarët, rrezikohet bojkoti i sezonit

Gjyqtarët shqiptarë nuk do të tolerojnë më akuzat ndaj tyre dhe mund të vendosin të bojkotojnë aktivitetin. Ky ka qenë thelbi i deklaratës të bërë nga Shoqata e Gjyqtarëve Shqiptarë, pas akuzave publike të drejtuesve të klubeve të ndryshme ndaj gjykimit. Sipas "xhaketave të zeza", të gjitha akuzat e pabazuara shërbenin vetëm si justifikim kur skuadrat nuk arrinin të fitonin në fushë. "Shoqata Bashkimi i Arbitrave Shqiptarë shpreh indinjatën e thellë ndaj akuzave të njëpasnjëshme të drejtuesve të klubeve në drejtim të gjykimit të arbitrave në kampionatin kombëtar. Akuzat e pabazuara të drejtuesve të klubeve po shtohen në çdo javë kampionati sa herë ekipet e tyre nuk arrijnë të marrin fitoren në fushën e lojës, duke vënë nën presion arbitrit. Faktorë negativë në akuzat ndaj arbitrave janë edhe trajnerët të cilët menjëherë pas ndeshjeve nuk ngurrojnë për të njollosur gjykimin në fushë sa herë nuk arrijnë objektivin e caktuar. Shoqata jonë dëshiron të bëjë publik qëndrimin e saj se nëse edhe në javët në vazhdim do të vazhdojnë akuzat e pabazuara ndaj arbitrave, ne do të ndërmarrim hapa deri në bojkotimin e gjykimit të ndeshjeve. Kemi vendosur që ndeshjet e kësaj jave të fillojnë me 10 minuta vonesë në shenjë proteste ndaj akuzave", shkruhet në deklaratë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›