DAP-i online jashtë funksionimit, kaos për punëkërkuesit
Vendimi i qeverisë së datës 13 shkurt 2008 për hapjen e 3 mijë vendeve të reja të punës në administratën publike ka marrë goditjen e parë nga vetë Departamenti i Administratës Publike. Faqja zyrtare e këtij institucioni, në të cilën publikohen të gjitha vendet e lira të punës dhe të dhënat e konkurrimit për personat që janë të interesuar të bëhen pjesë e administratës publike qëndron e mbyllur që prej dy muajsh. Burime konfidenciale pranë DAP-it pohojnë se faqja është nën rikonstruksion për shkak se do të ndryshohet serveri i web-saitit www.pad.gov.al. Megjithëse vlen të theksohet fakti se ky rikonstruksion është duke zgjatur pak si shumë, pra sot mbushen plot 60 ditë që faqja zyrtare e këtij departamenti nuk funksion, çka tregon se diçka tjetër fshihet pas këtij problemi teknik. Në këtë faqe pasqyrohen të gjitha vendet e lira të punës në administratën publike, duke filluar nga institucioni i Kryeministrisë, për të vijuar më pas me të 14 ministritë e kabinetit Berisha dhe institucionet e tjera shtetërore si Kuvendi. Problemi aktual është se në cilin vend do t‘i pasqyrojë administrata vendet e lira të punës.
Vende në administratë
Gjatë vitit 2008, në administratën shtetërore do të hapen rreth 3 mijë vende pune. Vendimi është marrë para dy javësh nga Këshilli i Ministrave. Dieta e qeverisë përballë votës së elektoratit në zgjedhjet e 2009-ës do të marrë fund. Të pakënaqurit për papunësi do të kenë mundësi të përfitojnë nga hapja e vendeve të reja të punës në administratën shtetërore. Sipas vendimit të më të fundit, numri i personave që do të punësohen në administratë do të shkojë në 105134 nëpunës. Ky vendim shfuqizon urdhrin e dhjetorit të vitit 2007, që numri total i nëpunësve të jetë 102159 veta. Saktësisht do të punësohen 3075 persona, ku rëndësi të veçantë do t‘u kushtohet atyre personave të cilët janë diplomuar në universitetet jashtë Shqipërisë, ose kanë marrë tituj master dhe doktoraturë jashtë vendit. Gjatë vitit 2007, me vendim të Këshillit të Ministrave janë larguar 4321 punonjës nga administrata publike. Vetëm para dy javësh, qeveria vendos të ndryshojë kursin, duke shtuar organikën dhe duke hapur vendet e reja të punës në sektorë të ndryshëm. Arsimi dhe shëndetësia do të jenë dy nga sektorët që do të kenë më shumë oferta punësimi për profesorët dhe mjekët e kualifikuar, kryesisht në vendet perëndimore. Por në kërkim të një administrate sa më moderne dhe të kualifikuar do të jenë edhe 14 ministritë, të cilat do të përzgjedhin më të mirët me anë të konkurseve që bëhen në administratë. Një nga kriteret e forta për të përfituar punë nga këto 3075 oferta që do të jepen gjatë këtij viti është që kandidati duhet të jetë diplomuar apo të ketë kryer specializime jashtë Shqipërisë. E gjithë kjo ka për synim përmirësimin e punës brenda administratës, duke vështirësuar në këtë mënyrë pikat që duhet të plotësojë një aplikant për t‘u bërë pjesë e administratës shtetërore.