E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti: Konkurse formale në administratë

Problemi më i madh i paraqitur në raportin më të ri të Komisionit të Shërbimit Civil janë konkurset në administratën shtetërore për vendet e lira të punës. Disa nga vërejtjet që përmban ky raport janë mënyra e zhvillimit të këtyre konkurseve, shumica e të cilave bëhen për vendet e punës të zëna me kontratë. Shqetësimi i KSHC në raportin e saj më të fundit për vitin 2007, i cili do të paraqitet të hënën në Kryesinë e Kuvendit, është numri i vogël i aplikantëve për t‘u bërë pjesë e administratës. Për një vend pune aplikojnë vetëm 4 konkurrentë, numër limit ky që konkursi të cilësohet i ligjshëm dhe gara e hapur.

Defektet në konkurse

Institucionet që kanë pasur vende pune të zëna me kontrata të menaxhuara nga Komisioni i Shërbimit Civil për këto vende janë kryer konkurrimet dhe në bazë të një akti të ligjshëm në fund kanë marrë aktin e emërimit. Në këto konkurrime, siç e përshkruan edhe ligji i shërbimit civil ka një numër të pakët konkurrentësh. Ligji i shërbimit civil parashikon që minimumi për të konkurruar për një vend pune duhet të jenë 4 konkurrentë dhe duke iu referuar kësaj pike, në shumicën e konkurrimeve që janë bërë në administratën publike ishin 4 konkurrent. Një problem i vërejtur në raport është zgjatja e procedurave të konkurrimeve në administratë. Në kohën që shpallet konkurrimi për një vend pune, ai nuk është zhvilluar brenda afateve të caktuara, duke e zgjatur në mënyrë të paqartë konkursin e pranimit në administratë. Në raport theksohet se nga monitorimi i specialistëve të KSHC-së nuk ishin paraqitur kandidatët e mundshëm në ditën e testimit.

Po kështu, një tjetër pikë e cila përforcon më tej faktin se konkurset për pranimet në administratë janë bërë në mënyrë false sa për të larë gojën, se në administratë po futen njerëz specialistë dhe të aftë, është se në disa konkurrime kanë marrë pjesë tre kandidatë në sistem rrotullues. Pra për tre vende të ndryshme pune në administratë kanë marrë pjesë tre kandidatë të njëjtë.

Reagimi i KSHC-së

Këto janë problemet që janë hasur në institucionet e monitoruara nga Komisioni i Shërbimit Civil. Nën sitën e kontrollit për vitin 2007 kanë qenë Ministria e Bujqësisë, Ministria e Punëve Publike, ajo e Financave, Drejtoria e Doganave, Drejtoria e Tatimeve dhe 6 minibashki në kryeqytet nga 11 që janë gjithsej.

Komisioni i Shërbimit Civil përballë këtyre kontrolleve të ushtruara nga periudha 1 janar 2007 deri në fundin e muajit dhjetor të po këtij viti, ka dërguar raportet përfundimtare dhe në bazë të ligjit kanë paralajmëruar këto institucione për parregullshmërinë e zbatimit të ligjit të shërbimit civil në institucionin e tyre. KSHC-ja u ka lënë një afat dymujor për të rregulluar këto të meta dhe nëse këto defekte nuk rregullohen brenda afateve të caktuara, atëherë ky institucion i drejtohet gjykatës. Raportimi në Kuvend nga Shërbimi Civil do të bëhet në mesin e muajit mars, ndërsa të hënën pritet që raporti të dorëzohet në Kryesinë e Kuvendit. Në lidhje me ankesat e bëra në Komisionin e Shërbimit Civil, shefja e kabinetit të këtij institucioni ka bërë me dije se "në favor të nëpunësve civil në 2007-ën janë zgjidhur 118 ankesa, ndërsa kundër nëpunësve civilë janë zgjidhur 159 ankesa".

pikat problematike

- konkurrimi për vendet e punës të zëna me kontratë

- numri i vogël i konkurrentëve për punë në administratë. Për një vend aplikojnë jo më shumë se 4 konkurrentë

- zgjatja e procedurave. Konkurrimi nuk bëhet brenda afateve të caktuara

- konkurset, me kandidatë që rrotullohen sa në një provim në tjetrin. Tre kandidatë të njëjtë për tri vende pune

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›