Riberi: Ndërhyrjet e Lalës nuk kanë lidhje me futbollin
Mesfushori francez i Bajernit të Mynihut, Frenk Riberi, ka cilësuar mesfushorin shqiptar Altin Lala si lojtarin "antifutboll". Riberi ka bërë bilancin e gjashtë muajve të parë në Gjermani, duke treguar edhe raportin e tij me lojtarët e tjerë që militojnë në Bundesligë. I pyetur për armikun e tij më të madh në këtë fazë të parë, Riberi nuk ka pasur dyshime, duke përshkruar Lalën si futbollistin më pak korrekt. Ai ka arritur ta cilësojë duelin e tyre si personal, duke saktësuar se një lojë e tillë ia hiqte qejfin e futbollit. "Padyshim lojtari më i ashpër me të cilin jam ndeshur është shqiptari i Hanoverit. Dueli ishte krejtësisht josportiv dhe ai e meritoi kartonin e kuq që mori. Ai nuk sulmoi futbollistin Riberi, por njeriun Riberi. Ai nuk luftonte për topin, por qartësisht ndërhynte në këmbët e mia. Këtu kalohet kufiri dhe mbaron qejfi i futbollit edhe për mua. Por që nga ajo përplasje me Lalën, gjithçka është qetësuar. Kam gjithmonë kundërshtarë të rreptë përballë, por të paktën ata nuk luajnë në mënyrë josportive", u shpreh Riberi për mediat gjermane. Dueli mes Lalës dhe Riberit në ndeshjen e javëve të para të Bundesligës bëri shumë bujë, pasi klubi i Hanoverit akuzoi drejtuesit e Bajernit të Mynihut se kishin ndikuar te gjyqtari për të ndëshkuar me karton të kuq futbollistin shqiptar. Kjo histori ishte harruar, por jo nga Riberi, i cili pa mbushur vitin e parë në Bundesligë e cilëson shqiptarin si armikun më të madh.