Dëbora bllokon rrugët dhe zonat e thella malore
Reshjet e dëborës të rëna në ditën e parë të këtij viti kanë sjellë izolimin, ndërsa temperaturat kanë arritur deri në minus 14 gradë. Për pasojë, akulli ka mbuluar të gjitha rrugët në rrethet e Qarkut të Kukësit, duke shkaktuar probleme serioze në qarkullimin e mjeteve. Burime nga Shtabi i Emergjencës pranë Prefekturës Kukës bëjnë të ditur se "janë më shumë se 20 mijë banorë të Komunave Grykë Çajë, Kalis, Arrën, Bushtricë, Zapod etj. (të Kukësit), Cahan e Gjinaj (të Hasit), Lekbibaj, Dragobi etj. (të Tropojës) që vazhdojnë të jenë të bllokuar prej tri ditësh". I njëjti burim thotë se nuk bëhet fjalë ende për emergjenca apo për mbarim të rezervave ushqimore, por për t‘i bërë parapritë një situate të tillë, që mund të zgjasë në qendrat e qyteteve Kukës, Krumë e Bajram Curri ku janë grumbulluar dhjetëra tonë miell dhe ushqime që mund të shpërndahen në varësi të situatës. Zonat e bllokuara janë me terren malor dhe mjaft të thyera, të cilat ndodhen në lartësitë mbi 800 m mbi nivelin e detit dhe trashësia e dëborës dhe akullit arrin mbi 50 cm trashësi. Më emergjente paraqitet situata në Arrën, ku sipas kryetari të komunës Ilir Doçi, prej tre javësh shitoret e fshatrave nuk janë furnizuar. "Ne ndodhemi në limitet e konsumit të ushqimeve", tha ai, duke shtuar se u kishte kërkuar ndihmë institucioneve qendrore të emergjencës. Arrni me 5 fshatra ndodhet në lartësinë mbi 1000 m mbi det dhe izolohet më shpejt dhe më gjatë nga dimri.
Burime konfidenciale thanë se "deri tani nuk është nisur asnjë mjet borëpastrues për zhbllokimin e këtyre zonave për arsye se të gjitha mjetet borëpastruese të Ndërmarrjes Rajonale të Rrugëve janë përqendruar në akset rrugore nacionale e sidomos në ato me qarkullim të dendur siç janë Kukës-Morin-Prizren, Kukës-Qafë Shllak-Qafë Mali që i përket aksit Kukës-Tiranë, Krumë-Qafë Prushi-Kosovë, Bajram Curri-Qafë Morinë-Kosovë, të cilat janë të kalueshme, ndonëse me zinxhirë. Burime të Sektorit të Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Kukës kanë bërë të ditur se "kemi pasur një bashkëpunim të mirë me Ndërmarrjen e Rrugëve, e cila ka shpërndarë në kohë kripë e skorje për të mbajtur të kalueshme akset nacionale që lidhin Qarkun e Kukësit me Tiranën dhe Kosovën, duke mos shënuar deri tani asnjë incident". Pritet që sot të nisë puna për zhbllokimin e rrugëve rurale të komunave dhe fshatrave të bllokuara.
Situata në zonat verilindore të vendit, gjatë festave të fundvitit, ka ardhur duke u vështirësuar, për shkak të rënies së reshjeve të dëborës dhe uljes së temperaturave. Ndonëse trashësia e dëborës shkon nga mbi 20 centimetra në qytetet e Peshkopisë dhe Bulqizës dhe mbi 30 centimetra në zona të thella malore, ajo që e ka vështirësuar më tepër situatën, kanë qenë temperaturat e ulëta, ku mbrëmë në qytetin e Bulqizës, temperatura minimale shkoi në minus 10 gradë celsius. Si pasojë e kësaj situate, rrjeti rrugor, është bërë tepër i vështirë për kalimin e automjeteve dhe në shumë akse rrugore të zonave të thella, që lidhin komunat me qendrat e rretheve, i pakalueshëm. Kështu akset rrugore Qafë Bualli-Krastë, Ostren-Trebisht-Steblevë, Peshkopi-Kala e Dodës, Peshkopi-Sllovë, Peshkopi-Lurë, Burrel-Macukull, Burrel-Xibër etj., deri më tani janë të pakalueshëm.
Aksi nacional rrugor Peshkopi-Bulqizë, në të gjithë gjatësinë e tij, kalohet me vështirësi, vetëm me zinxhirë, ku punëtorë të mirëmbajtjes punojnë për sigurimin e kalimit të automjeteve. Ndërsa aksi rrugor Peshkopi-Kukës, ende vazhdon të jetë i pakalueshëm, edhe pse punohet për hapjen e tij. Por problem vazhdojnë të mbeten rrugët rurale, ku shumica e tyre ose janë të bllokuara, ose kalimi në to bëhet vetëm me zinxhirë. Nuk bëhet fjalë për fshatra të veçantë nëpër komuna të ndryshme, ku numërohen qindra fshatra të izoluar. Ka edhe komuna të tëra si Lura, Kala e Dodës. Sllovëa, Selishta, Trebishti dhe Macukulli, që prej 20 ditësh, vazhdojnë të jenë të izoluara nga dëbora dhe ngricat. Por sipas zyrës së emergjencës, në Prefekturën Dibër, ende situata në këto komuna dhe fshatra, nuk paraqitet emergjente, pasi fshatarët i kanë marrë masat individualisht dhe janë të përgatitur për të përballuar situata të tilla bllokimi nga dëbora. Sipas burimeve nga Drejtoria e Policisë Dibër, në një situatë të tillë të vështirë qarkullimi të automjeteve, policia rrugore ka shtuar kontrollet në rrugë, ku nuk lejohet lëvizja e mjeteve pa zinxhirë, ku veçanërisht dallohet policia rrugore e Bulqizës, ku si pasojë e këtyre kontrolleve, nuk ka pasur asnjë aksident të rëndë gjatë këtyre ditëve.
Dhjetëra komuna të bllokuara,shpërndahen ndihma ushqimore
Dhjetëra komuna në Veri të vendit po përjetojnë një të ftohtë të acartë dhe e kanë të pamundur komunikimin pasi rrugët janë bllokuar nga dëbora dhe ngricat. Ndaj po merren masa për shpërndarjen e ndihmave ushqimore, fillimisht në zonat e thella të Kukësit dhe Tropojës. Kreu i emergjencave civile, Alfred Olli, u shpreh dje se "nuk do të lejohet një krizë ushqimesh në këto vende", ndërsa shtoi se "së shpejti do të shpërndahen pako me ndihma me anë të helikopterit". Si pasojë e reshjeve të borës në ditët e para të vitit 2008, mijëra banorë kanë mbetur të izoluar nëpër shtëpitë e tyre në fshatrat e thellë malorë kryesisht në Veri dhe Verilindje të vendit. Kështu të dhënat e Shtabit të Emergjencave Civile bëjnë me dije se bora ka bllokuar tërësisht Komunat Arrën, Zapotni, Kalisit, Martanesh, Lurë, Lekbibaj, Iballa, etj.
"Po merren masa nga strukturat e Ministrisë së Brendshme dhe prefekturave përkatëse për tejkalimin e situatave emergjente që krijohen nga faktorë natyrorë, për të garantuar, krahas qarkullimit të lirë, ndërhyrjen e menjëhershme për kryerjen e operacioneve të kërkim-shpëtimit nga toka dhe ajri. Dislokimin e materialeve të nevojshme dhe mallrave ushqimore sa më pranë zonave në vështirësi dhe planifikimin për shpërndarjen e mundshme të tyre te banorët në nevojë", u shpreh dje Olli. Po kështu janë bërë gati pako me ushqime për zonat e bllokuara nga bora në Kukës dhe Tropojë, të cilat do të dërgohem me helikopter. Gjithashtu ai theksoi se janë marrë masa për furnizimin me medikamente të institucioneve spitalore dhe qendrave shëndetësore, duke garantuar dhe shërbimin e shpejtë të urgjencës. Ndërkohë që akset rrugore nacionale janë të kalueshme, ato rurale paraqesin vështirësi dhe janë të pakalueshme. Kështu mbeten të bllokuara akset Midë-Qafë Kërrabë, akset rurale që lidhen me aksin nacional në Vermosh. Rrugët drejt Komunave Zapod, Arrën, Grykë-Cajë, Kalis, në disa fshatra të Komunës Topojan, Turaj. Po kështu rrugët në fshatrat Borje, Cernavele dhe Oreshke të Komunës Shishtavec, Terdrinje të Komunës Ujmisht, Tërshërë të Komunës Bicaj,(Pukë). Komuna Surroj, Cam, Piste dhe Spas të Komunës Malzi, disa fshatra të thella të Bashkisë Has si Mujaj, Dajc dhe Cahan, fshati Kishaj i Komunës Gjinaj, Pusi i Thatë dhe Progaj, Curraj i Epërm dhe i Poshtëm të Komunës Lekbibaj, Valbonë, Rragam e Cerem të Komunës Margegaj, Padesh, Perbat të Tropojës. Për sa i përket Qarkut të Dibrës evidentohen të bllokuara akset për në drejtim të Komunës Xiber, si dhe segmenti nga Zall Dardha deri në Reç.