E Diel, 1 Nëntor 2026

Vlorë, shoqërohen me forcë disa protestues që kundërshtojnë ngritjen e TEC-it

Në ditën e nëntë të protestës së banorëve të Vlorës dhe përfaqësuesve të shoqatës për "Mbrojtjen e gjirit të Vlorës", janë shoqëruar afro 50 persona, të cilët kishin bllokuar rrugën. Persona të pranishëm në vendin e ngjarjes kanë pohuar për "Shqip" se shumë furgona policie kanë marrë protestuesit, duke ushtruar dhunë mbi ta. Në një komunikatë për shtyp, veprimi i policisë është dënuar edhe nga "Mjaft", ku është pohuar se dhuna ka qenë e panevojshme dhe ata do të vazhdojnë protestat deri në lirimin e të shoqëruarve. Ndërsa burime nga Policia e Vlorës kanë mohuar faktin se mbi ta është ushtruar dhunë, por kanë pohuar se bëhet fjalë vetëm për një shoqërim, pasi bllokimi i rrugës është një veprim i jashtëligjshëm. Dje, në ditën e nëntë, protestuesit si ata të kryesisë, edhe studentët, kanë vazhduar ta mbajnë të bllokuar këtë aks rrugor që të çon te vendi ku po ndërtohet TEC-i dhe Petrolifera. Në orët e para të mëngjesit disa prej protestuesve kanë bllokuar përfundimisht të gjitha rrugët që të çojnë te vendi që po ndërtohet. Ata kanë çuar disa qindra goma mjetesh të rënda në këto rrugë që lidhin këtë vend. Pra dhe këto rrugë fshati të ngushta që kalojnë përmes pyllit, të vetmet që i lidhnin këto vepra me rrugët, kanë qenë të bllokuara që në orët e para të mëngjesit. Të gjitha mjetet që janë nisur në mëngjes për të filluar punën për këtë vit janë kthyer pas pasi çdo cep i këtyre rrugëve ka qenë i zënë me goma të vjetra kamionësh dhe sipër tyre ishin hedhur disa pemë plepi të prera diku aty afër. "Sot ne shkuam te vendi ku po kryhen punimet e Petroliferës dhe vetëm dy rojet ishin dhe asnjë mjet nuk po punonte, po ashtu dhe te TEC-i, çdo gjë dukej sikur vazhdonin pushimet e fundvitit. Protestuesit dje kanë dalë me një deklaratë për shtyp. Ata u bënin thirrje bizneseve që të mos vazhdonin më punimet dhe se nuk do të lejojnë që këto mjete të kalojnë deri në zgjidhjen e çështjes së tyre dhe të gjithë vlonjatëve. "Ne jemi afër një zgjidhjeje, pra së shpejti kemi shpresën e mirë se qeveria do marri në konsideratë këtë këmbëngulje që ne po bëjmë prej nëntë ditësh", ka thënë njëri prej protestuesve. Ata u kanë çuar përfaqësuesve të biznesit, si dhe mjeteve, një fletëpalosje ku thuhej se "nuk duam t‘u bëjmë keq askujt, prandaj ju lutemi i largoni këto mjete sa më shpejt dhe bashkohuni me ne për të mirën e fëmijëve tanë dhe të brezave që do të vijnë". Shumë prej protestuesve vazhdojnë së bashku me gjithë familjet e tyre të rijnë në këtë aks rrugor. Ata, edhe natën e ndërrimit të viteve, së bashku me shumë protestues të tjerë, kanë improvizuar një kioskë diku afër dhe kanë kaluar natën e ndërrimi të viteve së bashku dhe me fëmijët e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›