E Diel, 1 Nëntor 2026

Fishekzjarrët dhe alkooli, dhjetëra të rinj në spitale

Orët e para të vitit 2008 janë shoqëruar në të gjithë Qarkun e Fierit me raste djegiesh nga fishekzjarrët, me 5 vjedhje dhe me 10 përplasje automjetesh. Ndërsa nuk është shënuar asnjë viktimë në këto ditë të para të vitit, të plagosur e të lënduar numërohen më shumë se 12 persona. Problematike për dy ditët e para të vitit 2008 për urgjencën e Spitalit Rajonal të Fierit kanë qenë rastet me mbidozë të pijeve alkoolike, si dhe rastet e djegieve nga fishekzjarrët. Nga regjistrat e repartit të traumatologjisë rezulton se ka pasur më shumë se 12 persona të djegur rëndë nga fishekzjarrët. Në gjendje më të rëndë është paraqitur në spital një djalë 13 vjeç nga fshati Ngjeqar i Fierit. Djali me inicialet I. H. ka humbur një nga duart për shkak të djegies nga fishekzjarri, ndërkohë që një 30-vjeçar nga fshati Petovë, i quajtur Tomor Grëmi, ka marrë plagë të rënda në kokë e trup, por jo me rrezik për jetën.

Por, rastet më të shpeshta me të cilat janë marrë mjekët e urgjencës në Spitalin Rajonal të Fierit, kanë qenë ato të mbidozës së alkoolit. Më shumë se 100 raste të tilla janë paraqitur në këtë spital më 1 dhe 2 janar. Mjeku roje Maksim Tanaka, thotë se të gjitha rasteve u është dhënë ndihma mjekësore si serum dhe qetësues. Gjithashtu mjeku thotë se për herë të parë këtë vit është kthyer në fenomen mbidoza nga alkooli e femrave. Nga të gjitha rastet e paraqitura në urgjencë, femrat zënë afro 60 për qind.

Në spitalin e Fierit mësojmë gjithashtu se një vajzë 24 vjeçe ka tentuar të vetëhelmohet pikërisht natën e ndërrimit të viteve. Vajza kishte gëlltitur 30 tableta paracetamol dhe klorafenikol, por është pikasur shpejt nga familjarët, të cilët e kanë dërguar menjëherë në spital, ku i është dhënë ndihma e parë dhe sipas mjekëve është jashtë rrezikut për jetën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›