Prostitucioni, Kondi liron pronarin e "Farit"
Disa orë para ndërrimit të viteve, Gjykata e Lartë ka pezulluar ekzekutimin e dënimit për të pandehurin Fatmir Tahiraj, i cili ka në pronësi, sipas prokurorisë, kompleksin "Far" në Tiranë. Seanca është zhvilluar më datën 31 dhjetor 2007, në orën 12:00. Në përfundim të shqyrtimit të dokumentacioneve, kryetari i Gjykatës së Lartë ka urdhëruar në bazë të kodit të procedurës penale pezullimin e ekzekutimit të dënimit për Tahirajn, i cili ishte dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda me 18 vjet burg. Ai u akuzua për shfrytëzim prostitucioni dhe pastrim parash si dhe konfiskimin e objektit sportiv në Tiranë "Fari". Ndërsa bashkëpunëtori i tij, Arjan Kane, sipas akuzës, është dënuar me 20 vjet. Ai është arrestuar disa javë më parë në Itali.
Vendimi për "Farin"
12 orë para ndërrimit të viteve, Tahirajt i është bërë një "dhuratë" nga Gjykata e Lartë, e cila ka vendosur lirinë e tij si dhe pezullimin e sekuestros ndaj pronës së tij. Seanca është kryer me kërkesën e të pandehurit Fatmir Tahiraj, i cili i kërkonte kësaj gjykate pezullimin e vendimit të Gjykatës së Apelit për kompleksin "Far". Pikërisht Apeli kishte vendosur konfiskimin e kompleksit, ndërsa në një vendim tjetër të Gjykatës së Krimeve të Rënda, në lidhje me sekuestrot për shkak të ligjit për parandalimin e krimit të organizuar, gjykata ka rrëzuar kërkesën për sekuestro të kësaj pasurie. Kreu i trupit gjykues vendosi jo vetëm pezullimin e ekzekutimit për "Farin" sepse ka dy vendime të ndryshme për sa i përket pasurisë, por nga ana tjetër trupi gjykues ka pezulluar edhe ekzekutimin e dënimit me burg. Sipas prokurorisë, për Fatmir Tahirajn nuk ka ndonjë vendim tjetër të ndryshëm, si për rastin e pasurisë. Disa javë më parë Krimet e Rënda vendosën pushimin e padisë për sekuestrimin e kompleksit "Far", pronë e Fatmir Tahirajt, i akuzuar për trafik prostitucioni. Kërkesa për sekuestrimin e kompleksit, që ndodhet pranë Liqenit Artificial, është depozituar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në maj të vitit 2007, pas çështjes penale në ngarkim të Tahirajt nën akuzën e shfrytëzimit të një vajze si prostitutë në Itali. Prokuroria kërkoi sekuestron konservative të kompleksit me pretendimin për ta konfiskuar më vonë nëse Tahiraj shpallet fajtor për "shfrytëzim prostitucioni". Sipas prokurorisë, kërkohet nga gjykata sekuestrimi i një objekti ku përfshihen komplekse pishinash, bare dhe ambiente sportive me emrin "Fari", ndodhur në qytetin e Tiranës, me sipërfaqe trualli 4000 m².
Dosja e prokurorisë
Prokuroria e Krimeve të Rënda dërgoi disa muaj më parë dosjen ndaj Fatmir Tahirajt dhe Arjan Kanes në gjykatë, të akuzuar për trafik femrash për prostitucion. Ata akuzohen nga prokuroria se, për 10 vite me radhë kanë shfrytëzuar disa femra si prostituta jashtë shtetit, me qëllime përfitimi. Të pandehurit Arjan Kane dhe Fatmir Tahiraj (Sadiku), akuzohen se nga viti 1994 kanë shfrytëzuar disa femra si prostituta, për qëllime përfitimi në Itali. Veprat penale, për të cilat akuzohen dy të pandehurit janë; "trafikimi i femrave për prostitucion", "shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese", "falsifikimit të akteve të gjendjes civile", falsifikimit të dokumenteve" dhe "pastrimit të parave të pista". Hetimi ndaj dy të pandehurve ka filluar në vitin 2004, duke bashkëpunuar edhe me drejtësinë italiane. Nga hetimet dypalëshe, është bërë e mundur të dokumentohet se Arjan Kane, ka shfrytëzuar për prostitucion persona, me të cilët ekzistojnë lidhje të afërta gjinie, me mashtrim, me dhunë ndaj personit, që shtrëngohet për të ushtruar prostitucion jashtë Shqipërisë. Mësohet se gjatë vitit 1999-2001, Arjan Kane ka falsifikuar dokumentet dhe është martuar me një vajzë shqiptare, për ta trafikuar më pas në Itali. Kjo e fundit, nga deponimet e realizuara nga drejtësia italiane ka treguar gjithçka, duke qenë dhe shtysa e fillimit të hetimit. Dy të pandehurit, sipas burimeve, paratë që fitonin nga shfrytëzimi i femrave për prostitucion, i kanë investuar në Shqipëri me aktivitete të ndryshme private, të cilat po verifikohen. Kane u arrestua disa javë më parë në Itali, ndërsa Tahiraj rifitoi lirinë pas vendimit të Gjykatës së Lartë.