Karantinë për dy motrat e sëmura me meningjit
Dy motra nga fshati Mëmlisht i Pogradecit kanë përfunduar në gjendje të rëndë në spitalin civil të Korçës. Mjekët dyshojnë se vajzat janë infektuar nga meningjiti, gjë që ka çuar edhe në izolimin e tyre në bokse të veçanta, për të mos lejuar përhapjen e virusit. Esma dhe Trëndafile Krasta, 22 dhe 25 vjeçe, kanë mbërritur në spitalin e Korçës dy ditë më parë në gjendje kritike. Sipas bluzave të bardha, vajzat kanë pasur temperaturë, njolla rozë dhe humbje të vetëdijes. Mjekët e Korçës thonë se bluzat e bardha të Pogradecit kishin dyshime për një leukozë akute, kur njëra nga vajzat shfaqi edhe shenjat e para të sëmundjes, por kur edhe motra e saj kishte të njëjtat simptoma, mjekët vunë alarmin për një sëmundje infektive. Ato po mbahen nën mbikëqyrjen e mjekëve, ndërsa në spital është bërë dezinfektimi i të gjitha ambienteve, madje edhe dyerve, dorezave të dyerve, pllakave dhe janë vendosur shtroje me dezinfektantë. Mjekë të veçantë janë caktuar për të trajtuar këtë rast që shfaqet për të parën herë në vendin tonë. Nëndrejtori i spitalit të Korçës, Ilir Koroveshi, thotë se gjendja e dy vajzave është drejt përmirësimit. Ato kanë ardhur një ditë më parë në spitalin civil, ndërsa pas kurave dhe kujdesit të mjekëve kanë mundur të ngrihen më këmbë dhe të dalin nga gjendja kritike 24 orë pas izolimit të tyre. Por diagnoza do të konfirmohet shkencërisht nga analizat e mëtejshme laboratorike. Ilir Koroveshi nga ana e tij e përjashton mundësinë e përhapjes së infeksionit dhe të një epidemie, pasi dy rastet e vajzave nga Mëmlishti janë identifikuar në kohë dhe është bërë edhe izolimi i tyre. Ky është rasti i parë i konstatuar në juglindje të vendit me këtë sëmundje infektive, që kalon nëpërmjet rrugëve të frymëmarrjes dhe prek fillimisht mushkërinë. Trëndafile dhe Esma Krasta janë prekur nga sëmundja me ndërrimin e viteve. Pasi ato janë infektuar rëndë, prindërit kanë vënë alarmin dhe janë përfshirë nga paniku, për më tepër që janë informuar se raste të tilla të ngjashme kanë qenë vdekjeprurëse përtej kufijve të vendit.