Gjakmarrja, vriten motër e vëlla
Gjakmarrja vret vëlla e motër vetëm dy ditë pas Vitit të Ri. Bilbil dhe Mimoza Ferhati ishin nisur për vizitë te halla e tyre, kur në afërsi të kthesës së Bathores, janë qëlluar për vdekje nga një i moshuar. Autori është Hajdar Puci. Vdekja e dy djemve të tij ka bërë që ai mos të ndihet i qetë me drejtësinë dhe të marrë hak për ta. Zanafilla e kësaj ngjarjeje nis në vitin 2004, kur në qendër të Bathores, dy vëllezërit, Ferit dhe Din Puci u vranë me thika nga tre persona, ndër të cilët ishin dy vëllezër. Vrasja e vëllezërve Puci ndodhi pas një konflikti për pronën, e saktësisht për një arkë që ishte hedhur nga oborri i njërit dyqan te tjetri. Për këtë vrasje, drejtësia arrestoi vëllezërit Petrit dhe Kujtim Gjeta, ndërkohë që shpalli në kërkim Bashkim Ferhatin, i cili u cilësua bashkëpunëtor i të arrestuarve. Por, mos arrestimi i Ferhatit nuk solli paqe te Hajdar Puci, dy djemtë e të cilit ishin nën dhe. Kështu, ai u betua se do të merrte hak, e një veprim të tillë e ka kryer dje. Prej kohësh dyshohet se ai lëvizte me armë në brez. Rrugës për në Kamzë, në afërsi të kryqëzimit me Bathoren, Puci ka vënë re një makinë tip "Renault", me targa të huaja, brenda së cilës ndodheshin vëllai dhe motra e autorit që kishte vrarë fëmijët e tij. Ka nxjerrë armën dhe me gjakftohtësi ka qëlluar mbi ta, duke i lënë të vdekur në vend. Më pas, ai është larguar nga vendi i ngjarjes, por jo për shumë kohë. Shumë shpejt është njoftuar policia dhe është bërë ndalimi i tij. Hajdar Puci nuk ka hezituar të pranojë krimin, duke u shprehur se mori hak për dy fëmijët e tij. "Ju nuk ndaluat autorin, kështu që hakun e mora vetë", mësohet se u është drejtuar policëve i moshuari i familjes Puci. Menjëherë, autori i këtij krimi të rëndë është shoqëruar në ambientet e policisë, ndërkohë që uniformat blu kanë marrë në mbrojtje familjen e autorit dhe atë të viktimave. Nga frika e vazhdimit të gjakderdhjes, policia është detyruar t‘i mbajë nën vëzhgim ata, duke kërkuar që kjo të mbetet në dorë të drejtësisë. Viktimat Bilbil dhe Mimoza Ferhati ishin nisur për të vizituar hallën e tyre në Bathore, por kurrë nuk arritën të mbërrijnë aty. Pas festës së Vitit të Ri, vëlla e motër kishin vendosur që të kryenin disa vizita familjare. Por, hija e vëllait në kërkim i ka ndjekur mbrapa, duke iu sjellë vdekjen. Policia tha se vëllai i dy viktimave, Bashkim Ferhati është shpallur në kërkim me vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda. Ai është dënuar nga kjo gjykatë me 21 vjet burg, por asnjëherë nuk ka rënë në prangat e policisë. Pas vrasjes së vitit 2004, ku mbetën të vdekur Ferit dhe Din Puci, policia arriti të ndalojë vetëm dy prej tre autorëve të kësaj ngjarjeje. Ata ishin vëllezërit Petrit e Kujtim Gjeta, të cilët ishin fqinj me familjen e viktimave. Ata kishin dy dyqane ngjitur, ku për shkak të tyre ndodhi edhe vrasja e vëllezërve Puci.
Viti 2004
Si u vranë vëllezërit Puci
Më 17 prill të vitit 2004, sherri për një rrip toke u ka marrë jetën dy vëllezërve në Bathore të Tiranës. Ferit Puci, 38 vjeç dhe vëllai i tij Dini, 32 vjeç, janë therur me thika nga Bashkim Ferhati dhe vëllezërit Petrit dhe Kujtim Gjeta. Dy vëllezërit Puci kanë vdekur si pasojë e plagëve të rënda në Spitalin Ushtarak. Ndërkohë, në atë kohë mbeti i plagosur edhe Kalosh Çekiçi, i cili ndodhej në vendin e ngjarjes. Brenda pak kohe, ditën e vrasjes, policia ka ndaluar autorët Petrit dhe Kujtim Gjeta, ndërkohë që shpalli në kërkim Bashkim Ferhatin. Sipas dëshmitarëve, ata kishin filluar të debatojnë me njëri-tjetrin për pronësinë e një rripi toke, që ndan pronat e tyre në Paskuqan. Por shumë shpejt, gjakrat janë nxehur dhe mes të gjashtëve ka nisur një përleshje me grushte dhe sende të tjera të forta, duke marrë përpara mallrat dhe tavolinat që ishin në verandë. Ndërsa nuk janë mjaftuar me kaq, kundërshtarët i kanë nxjerrë thikat njëri-tjetrit dhe janë qëlluar.