Dekreti për dëbimet do të rishikohet
Është rrëzuar edhe një herë dekreti për sigurinë i qeverisë italiane. Vendimi është marrë pas takimit të shefave të grupeve parlamentare të Dhomës së Deputetëve, si pasojë e mungesës së kohës për rikthimin në senat, i domosdoshëm për fshirjen e normës së shumëkundërshtuar të homofobisë. Pa një miratim në Dhomë të këtij dekreti, të gjithë ata emigrantë që janë dëbuar nga Italia, mbështetur në dekretin e mëparshëm, pas incidentit në Romë, ku një i ri rumun përdhunoi dhe vrau një grua, mund të rikthehen në Itali. Gjithsesi, Ministria e Brendshme po punon për një kuadër të ri legjislativ, që mund të mbajë në jetë masat e adoptuara deri më tani. Por, këtë radhë, po punohet për një dekret që nuk do të përmbajë në vetvete norma mbi homofobinë. Ndërkohë, Kryeministri Romano Prodi ka nënvizuar domosdoshmërinë e rishikimit të çështjes së dëbimeve. Për momentin, sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme, janë 408 personat e dëbuar, falë këtij dekreti, që u jepte prefektëve të drejtën për dëbimin e emigrantëve, për shkaqe sigurie, edhe nëse këta të fundit vinin nga një vend tjetër anëtar i BE-së. Nga kjo shifër totale, 22 janë dëbuar për skadencë të lejes së qëndrimit, 262 për motive të sigurisë publike, 124 për motive të larta të sigurisë publike. Nëse dekreti do të skadojë më 31 dhjetor pa u shndërruar në ligj, të gjithë ata mund të rikthehen në Itali, në ditët e para të janarit.