E Diel, 1 Nëntor 2026

Politika e jashtme e Bushit është në rënie të lirë

Ish-diplomati amerikan, Xhon Bolton, nuk kryen më funksionet në emër të shtetit të tij, por e ndien se ka ende shumë për të thënë, edhe pse jo zyrtarisht për politikën e jashtme të administratës. Në një intervistë, ai flet për uljen e toneve të Presidentit, "pengmarrjen" që i është bërë Rajsit nga liberalët e Departamentit të Shtetit dhe përse nuk ka shumë rëndësi fakti që bota e urren Amerikën.

Keni punuar ngushtësisht me Presidentin Bush dhe keni ndarë vazhdimisht me të idenë e një reagimi të ashpër ndaj Irakut, që në vitin 2003. Në librin tuaj të fundit shfaqeni si një nga kundërshtarët e tij më të rreptë. Përse ky ndryshim?

Bolton: Politika e jashtme e Bushit është në rënie të lirë. Ai ka dalë kundra gjykimeve dhe instinkteve të tij më të mira nën ndikimin që ka mbi të sekretarja amerikane, Rajs. Ajo është kthyer në zërin dominues, në fakt në zërin e vetëm të Departamentit të Shtetit në lidhje me çështjet e politikës ndërkombëtare.

Në fakt, perceptimi publik ndaj saj është paksa i ndryshëm nga ata që sapo përshkruat. Thuhet se ajo është e pafuqishme dhe e dobët dhe jo veçanërisht efikase.

Bolton: Jo. Rajs po kanalizon pikëpamjet liberalëve karrieristë të Departamentit të Shtetit. Presidenti e ka përqendruar të gjithë vëmendjen e tij te çështja e Irakut dhe kësisoj e ka lënë sekretaren që të përfshihet tërësisht në Departamentin e Shtetit. Do të ishte një gabim të mendohej se ai po e mbikëqyr Rajsin në veprimet e saj.

Mos ndoshta vlerësimi juaj vjen për shkak se Presidenti duket sikur nuk po ua vë veshin më neokonservatorëve si ju?

Bolton: Zëvendëspresidenti Çenej është ende në detyrë, por ideja që neokonservatorët ishin shumë të fuqishëm është një mit. Në fund të fundit ishin thjesht 5 apo 6 vetë dhe unë nuk jam një neokonservator, jam një pro-amerikan.

Ju keni thënë se politika e re dhe e moderuar e ndjekur nga Bushi komprometon sigurinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Bolton: Po, mendoj se po. Koreja e Veriut do të vazhdojë të mbajë armët e saj bërthamore. Mendoj edhe se vlerësimi i agjencive amerikane të inteligjencës në lidhje me Iranin i jep mesazhin Iranit se pas kësaj ai mund të bëjë ç‘të dojë dhe se askush nuk do t‘i vërë më shkopinj në rrota.

Po flisni për raportin e fundit, i cili thotë se Irani ndaloi programin e armëve bërthamore në vitin 2003?

Bolton: Po, për 12 orë pas këtij raporti nuk pati asnjë reagim nga ana e Iranit. Liderët e këtij vendi ishin ulur në një tryezë rreth njëri-tjetrit dhe pyesnin veten: çfarë lloj loje po luajnë amerikanët? Nuk mund të besonin një gjë të tillë dhe vetëm pasi u bindën që gjithçka ishte e vërtetë shpallën fitoren.

Në të shkuarën ju keni qenë partizan i një sulmi ushtarak ndaj Iranit. A e konsideroni më një ///////////////////psion të tillë?

Bolton: Unë nuk kam të njëjtin këndvështrim dhe të njëjtin besim ndaj Iranit që kanë raportet e agjencive të inteligjencës. Mendoj se njerëzit që punojnë në shërbimet sekrete po lejojnë ndërhyrjen e politikës në profesion, në atë çka bëjnë.

Po ku është roli i Presidentit këtu, apo ai është thjesht një kukull?

Bolton: Shihni pak politikën me Korenë e Veriut. Ata ishin përfshirë në uzinën siriane që u qëllua nga izraelitët. Kjo do të thotë se ata nuk i kanë mbajtur angazhimet e tyre dhe ne ende vazhdojmë të dialogojmë me ta.

Po sipas jush cila do të ishte alternativa, bombardimi i Pyongyanguty?

Bolton: Unë nuk i vij vërdallë botës për të kërkuar armiq. Zgjidhja në rastin e Koresë së Veriut është bashkimi me pjesën tjetër të gadishullit. Kina ka shumë influencë në vendin komunist, ajo furnizon 80-90% të vendit me energji. Shtetet e Bashkuara duhet t‘i bëjnë presion Kinës në mënyrë që ajo t‘i bëjë nga ana e saj Koresë së Veriut.

A keni menduar ndonjëherë se përveç luftës së amerikanëve në Irak mund të kishte edhe një zgjidhje tjetër për arritjen e objektivave të paqes?

Bolton: Rrëzimi i Sadamit ishte një vendim shumë i drejtë. Ai regjim ishte një kërcënim për të gjithë. Megjithatë, për sa më përket mua, mendoj se unë do t‘ua kisha dhënë pushtetin menjëherë vendasve duke u thënë: ky është vendi juaj dhe ju takon ju që të gjeni mënyrën për ta qeverisur.

Mendoni se bota sot është një vend më i sigurt pa Sadamin, sesa para tij?

Bolton: Po. Padyshim që po. Aktualisht nuk ekziston mundësia që Iraku të zhvillojë armët e dëmtimit në masë. Kemi shembullin e Libisë dhe të liderit të saj, Moamar Gadhafi, i cili hoqi dorë nga programi i armëve bërthamore. Kjo ndodhi sepse kur ai pa fatin e Sadamit mendoi se ai mund të kishte qenë personi tjetër në listë.

A keni ndopak dyshime mbi mënyrën personale me të cilën vepron Amerika edhe në skenën ndërkombëtare. A ju duket që veprime të tilla njëpalëshe, që nuk marrin në konsideratë vendet e tjera e kanë rritur ndjenjën antiamerikane në botë? A mendoni që një mendim i tillë negativ për Amerikën ia dobëson asaj pushtetin?

Bolton: Nuk jam i atij mendimi. Kam parasysh këtu sondazhet e bëra në Francë në fund të viteve ‘40 dhe në fund të viteve ‘50 gjatë periudhës së planit "Marshall" në Evropë. Edhe në atë periudhë evropianët ishin shumë negativë ndaj amerikanëve, për shkak të Vietnamit. Qëndrime negative pati edhe kur Regani donte të vendoste sistemin mbrojtës të raketave. Nuk jam i mendimit se Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës duhet të bazojë vendimet e tij për politikën e jashtme në sondazhet e opinionit publik brenda vendit, për të mos folur për ato jashtë tij.

Cila do të jetë politika e jashtme që do të ndërmarrë Presidenti i ardhshëm i Amerikës?

Bolton: Nëse do të kemi presidente Hilari Klinton, atëherë mund të parashikoj se do të kemi një politikë si ajo pas Vietnamit, pra një politikë të tërhequr, por jam i bindur që edhe nëse do të ndodhë kështu, evropianët do të gjejnë sërish arsye për t‘u ankuar.

Xhon Bolton

Ka qenë ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kombet e Bashkuara deri në fund të vitit 2006. Një nga zyrtarët më besnikë ndaj Presidentit Bush dhe politikave të tij. Tërësisht dhe thelbësisht konservator dhe skeptik ndaj organizatave ndërkombëtare, madje edhe ndaj vetë Kombeve të Bashkuara. Në vitin 1994 ai deklaroi: "Kombet e Bashkuara nuk ekzistojnë. Ekziston vetëm komuniteti ndërkombëtar, i cili duhet të vihet nën udhëheqjen e të vetmes superfuqi të mbetur, Shteteve të Bashkuara të Amerikës". Ka botuar një libër së fundi: "Dorëzimi nuk është opsion: Mbrojtja e SHBA-së në Kombet e Bashkuara".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›