Belgjika, më në fund me qeveri
Ekzaktësisht pas 192 ditësh, pas zgjedhjeve të qershorit, partitë politike më në fund ia kanë dalë mbanë të formojnë një qeveri të re, edhe pse do të jetë një qeveri e përkohshme. Të mërkurën, Kryeministri në largim, Gai Verhofshtad, krijoi një qeveri, e parashikuar të "jetojë" deri më 23 marsin e vitit të ardhshëm. Në koalicionin qeverisës do të bëjnë pjesë kristian-demokratët dhe liberalët nga të dyja grupet linguistike të Belgjikës, por edhe socialistët frëngjishtfolës. Kjo qeveri emergjence duhet të merret menjëherë me çështje urgjente, si rritja e çmimeve të energjisë dhe ushqimeve. Shpresohet gjithashtu që qeveria e re të reduktojë interesin ndërkombëtar në krizën politike, që besohet se ka qenë tejet e dëmshme për investimet e huaja. Ndërkohë, bisedimet për reformat shtetërore mund të vazhdojnë edhe pa prekur vendimet qeveritare, duke u dhënë palëve kohë për të arritur në një marrëveshje gjithëpërfshirëse deri para Pashkëve. Partitë flamande, gjithsesi, janë kritikuar për faktin se kanë hyrë në qeveri pa marrë garanci prej homologëve të tyre frëngjishtfolës, se ata do të mbrojnë reformat substanciale shtetërore në kohët në vazhdim, duke shtuar frikën se problemet vetëm sa janë shtyrë për më vonë. Verhofshtad pritet të rinovojë mandatin e tij zyrtarisht, nesër, duke bërë kështu që qeveria e re të jetë e treta radhazi që udhëhiqet prej tij. Pas Pashkëve, Iv Lëterme nga kristian-demokratët flamandë, do të marrë postin e Verhofshtad dhe do të krijojë një qeveri "normale". Ndërkohë, të dielën, Parlamenti belg pritet të votojë qeverinë e re. Po pse u desh të kalonte gjithë kjo kohë e gjatë? Negociatat e gjata për krijimin e kabineteve qeveritare janë të zakonshme në Belgjikë, që është një vend i ndarë thellësisht sipas linjave linguistike. Flandra e pasur holandishtfolëse gjendet në veri. Valonia, në jug të vendit, është më e varfër dhe flet frëngjisht. Brukseli, kryeqyteti i Belgjikës, gjendet në Flandër, por zyrtarisht është dygjuhësh, pavarësisht se pjesa më e madhe flet frëngjisht. Gjithsesi, nuk është dashur kurrë kaq shumë kohë për të krijuar një qeveri. Rekordi i mëparshëm, prej 148 ditësh, është regjistruar në 1988-ën, por ai u thye që në fillim të nëntorit. Për të amenduar Kushtetutën dhe për të reformuar shtetin, nevojitet një shumicë parlamentare prej dy të tretash, si edhe një shumicë në secilin grup linguistik. Kryesisht, partitë flamande kërkojnë që rajoneve t‘u jepen më shumë fuqi në fusha si kujdesi shëndetësor, punësimi dhe çështjet fiskale. Por, partitë frëngjishtfolëse druajnë se kjo do ta dëmtonte solidaritetin financiar mes Flandrës së pasur dhe Valonisë së varfër, e ndoshta mund të çonte edhe në një ndarje reale të vendit.