E Diel, 1 Nëntor 2026

Bota e djeshme

Gjithçka që njeriu harron nga jeta e tij, në të vërtetë ka qenë dënuar prej kohësh nga një instinkt i brendshëm për t‘u harruar. Lotte e puthte lehtë mbi flokë çdo mbrëmje, ndërsa ai bashkë me makinën e shkrimit mundohej të ndërtonte jetën e tij. Mund të ndodhte që ai të shtrihej në shtrat vetëm në mëngjes. Atëherë kur bashkë me erën që lëvizte perdet e bardha të asaj dhome hoteli, Lotte ndjente dhe erën e trupit të burrit shumë pranë saj. Ajo nuk u ul asnjëherë mbi tavolinën ku dhjetëra fletë të bardha ishin mbushur plot fjalë. Thjesht mund t‘i sistemonte ato, sikur të ishte duke sistemuar ditët që kaloi bashkë me një prej personazheve më interesantë të letërsisë së asaj kohe. Ai do të zgjohej rreth mesditës, do të pinin çajin në ballkonin ku kundërmonte era e manjolave dhe më pas dita do të vijonte pothuajse e njëjtë, për t‘u ulur sërish te kjo tryezë në mbrëmje...

Duhet të kenë qenë vitet e fundit të jetës (para se Cvajg bashkë me Lotte t‘i jepnin fund jetës me vetëvrasje) kohët kur shkrimtari u ul të shkruante "Kujtimet e një evropiani". Ndryshe nga rrëfimet letrare, Cvajg po ngjizte në letër, atë çfarë me miqtë në kafene e quante si romani i jetës së tij, të cilin kërkonte ta shkruante për të treguar se jeta e çdo njeriu është një libër më vete. Por ky libër nuk do të mbarte vetëm zhgënjimet dhe dashuritë e një njeriu si Cvajg, por gjithë peripecitë e shekullit ku ai kaloi, ku ashtu siç rrëfen edhe vetë "ishte i destinuar të jetonte gjithnjë në ato vende që përfshiheshin nga trazirat". Por në mes të kësaj zhurme evropiane, mendja e tij ishte e lirë. Ashtu si Lotte që dashuronte manjolat, këto lule që ai ia çonte mbi tryezë çdo mbrëmje, ashtu dhe ai dashuronte të menduarit.

Ky libër tashmë ka ardhur në shqip i përkthyer nga Aristidh Ristani dhe shtëpia botuese "Elena Gjika".

Bota e djeshme, ose "Kujtimet e një evropiani", është Vjena dhe Evropa e vitit 1914, ku Stefan Cvajgu u rrit dhe pati sukseset e para si shkrimtar, ku lexoi me pasion, shkroi dhe udhëtoi, lidhi miqësi me Frojdin, Rilken dhe Valerinë... Një botë e stabilizuar ku me gjithë tensionet nacionaliste, liria e mendjes gëzonte të gjitha të drejtat. Kjo e kaluar shihet me mall, sepse shkrimtari i mërguar që shkruan "Kujtimet e një evropiani" ka parë rrënimin e tmerrshëm të vitit 1914, shembjen e froneve, përmbysjen e ideve, pastaj shpartallimin e një qytetërimi të tërë nën dyndjen e pandalshme të nazizmit... Plot anekdota, plot ngjyra e tërheqje, por edhe me shumë drama, kjo tablo e një gjysmë shekulli historie të Evropës mbart kuptimin e një jete, të angazhimit të shkrimtarit të një ideali. Është një vepër me dëshmi nga më tronditëset, më të thellat, më instruktivet e më aktualet, që na ndihmon të kuptojmë shekullin që shkoi.

"Nuk i kam dhënë vetes kurrë aq rëndësi sa të më tundonte dëshira për t‘u rrëfyer të tjerëve historitë e vogla të jetës sime. U desh të ndodhnin shumë ngjarje, katastrofa e fatkeqësi, shumë e shumë më tepër nga çfarë i takon zakonisht një brezi të vetëm, para se të merrja guximin e t‘i hyja një libri, ku unë do të isha personazhi kryesor, ose më saktë, epiqendra e tij. Por për mua nuk ka gjë më të parapëlqyer sesa synimi që ta shfrytëzoj këtë rast për të nxjerrë në pah, qoftë edhe rolin e një lektori që komenton figurat e projektuara në ekran, koha ngjiz figurat, unë vetëm sa i përshkruaj me fjalë, dhe ky rrëfim nuk ka të bëjë aq fort me fatin tim, sesa me fatin e një brezi të tërë, të brezit tonë të pashoq, të mbetur në mëshirën e fatit si rrallëkush gjatë rrjedhës së historisë. Secili prej nesh, madje edhe ai më i rëndomti dhe më i përvuajturi u trondit deri në skutat më të thella të qenies së vet, nga ato lëkundje vullkanike thuajse të pareshtura të tokës sonë evropiane; dhe unë si njëri ndër të shumtët nuk mund t‘i njoh vetes privilegje të tjera përveç njërit: si austriak, si hebre, si shkrimtar, si humanist e pacifist, jam ndodhur përherë m‘u aty ku pasojat e këtyre lëkundjeve sizmike ishin më të rënda", rrëfen Cvajg në parathënien e këtij libri. Këto lëkundje do t‘i përmbysnin tre herë me shtëpi e katandi, duke e shkëputur nga e tashmja dhe nga e tërë e shkuara, duke e vërtitur në mes të hiçit, duke e bërë të pyeste veten se "nga duhet të shkoj?". Por ai nuk do të shqetësohej shumë nga ato, duke besuar se njeriu i paatdhe në një kuptim të ri e ndien veten të lirë dhe vetëm ai që nuk ka më lidhje me asgjë, s‘ka përse të merakoset. "I shkëputur nga të gjitha rrënjët, madje edhe nga toka që i ushqente këto rrënjë, unë i kam me të vërtetë këto cilësi, si rrallëkush ndonjëherë" tregon ai. I lindur më 1881 në monarkinë e Habsburgëve, ai u rrit në Vjenë, metropol dymijë vjeçar, kryeqytet shumëkombësh, dhe iu desh të largohej që andej si ndonjë kriminel, para se ajo të katandisej në një qytet provincial gjerman. Vepra e tij origjinale në gjuhën e vet u bë shkrumb e hi, madje në ato vende ku librat e tij kishin bërë mijëra lexues. Duke mos pasur asnjë vend, ai e pa Evropën si atdheun e tij të mirëfilltë, një atdhe që e zgjodhi nga zemra, por që teksa shkruan këto kujtime, ai e quan një atdhe të humbur, sepse ka nisur të shqyhet e të copëtohet për të dytën herë nga një luftë vëllavrasëse.

Kundër dëshirës së tij, ai do të behej dëshmitar i disfatës më të tmerrshme të arsyes dhe i triumfit të egër të brutalitetit që shënon kronika e shekujve...Për Cvajg nuk ka rënë ndonjë brez nga një lartësi e tillë shpirtërore në një humnerë të tillë morale siç ka rënë brezi i tij. "Gjatë këtij intervali të shkurtër midis kohës kur mjekra sa po niste të më dilte dhe kohës së sotme, kanë ndodhur më shumë shndërrime e ndryshime rrënjësore nga ç‘mund të ndodhin zakonisht gjatë kohës së dhjetë brezave njerëzore të marrë së bashku dhe secili prej nesh e ndjen se kjo është tepër shumë!", shkruan Cvajg.

Por cila ishte jeta që ai duhet të shkruante? Jeta para Luftës Botërore, jeta para Luftës së Parë, jeta para Luftës së Dytë apo jeta që po jetonte gjatë kohës kur shkruante këto kujtime. Cilën nga shtëpitë do të sillte në mendje kur të përshkruante lidhjet që secili prej nesh ndan me shtëpinë ku kalon orët më të qeta të ditës. "Pastaj e kap veten sërish në befasi, duke thënë ‘Shtëpia ime‘, pa e ditur në çast për cilën prej shtëpive të mia të dikurshme e kam fjalën, për shtëpinë në Bath, për shtëpinë në Salcburg, apo për shtëpinë e prindërve në Vjenë", shkruan Cvajg.

Por qëllimi i këtyre kujtimeve ishte të rrëfente dramat e mëdha që përjetohen brenda një njeriu nga luftërat. Si zëdhënës i brezit të tij, ai donte të tregonte se Evropa e ditëve të shkuara nuk duhet të jetë një shembull për të ardhmen. "Ne përjetonim gjithçka në mënyrë të pakthyeshme, asgjë nuk mbetej nga e kaluara, asgjë nuk kthehej sërish; na qe ruajtur risku të përfshiheshim në mënyrë të gjithanshme në një numër të madh ngjarjesh, që zakonisht historia i ndan me kursim për këtë a për atë vend, për këtë a për atë shekull. Shumë-shumë, një brez përjetonte një revolucion, i dyti një puç, i treti një luftë, i katërti një zi buke, i pesti një falimentim shteti, madje disa popujve të bekuar, disa brezave të bekuar s‘u shihnim sytë asgjë e tillë. Por ç‘nuk kemi parë e ç‘nuk kemi hequr, ç‘nuk kemi përjetuar në gjashtëdhjetëvjeçarët e sotëm, që de jure mund të kishim ende një copë jetë përpara".

Ne periudhën e paraluftës ai do të përjetonte shkallën më të lartë të lirisë individuale dhe më pas gjendjen më të mjeruar që mund të ketë jetuar kjo liri prej shekujsh, ishte i nderuar e më pas i përçmuar, ishte dikur i lirë, më pas i skllavëruar, i pasur dhe i varfër. "Përmes jetës sime janë turrur tërë kuajt e murrëtyer të apokalipsit: revolucion dhe zi buke, zhvlerësim paraje dhe terror, epidemi dhe emigracion; kam parë të rriten e të përhapen m‘u para syve të mi ideologjitë e mëdha masive, fashizmin në Itali, nacional-socializmin në Gjermani, bolshevizmin në Rusi, dhe mbi të gjithë atë kolerën e kolerave, nacionalizmin që ka helmuar lulen e kulturës sonë evropiane", shkruan Cvajg.

Atij iu desh të ishte një dëshmitar i pambrojtur e i pafuqishëm i këtij kthimi të papërfytyrueshëm të njerëzimit në gjendje barbari, me atë dogmën e saj të antihumanizmit të shndërruar qëllimisht në një program veprimi. "Më duket se e kam detyrë të dëshmoj për këtë jetën tonë të tensionuar dramatike, plot me të papritura, sepse, e përsëris secili ka qenë dëshmitar i këtyre shndërrimeve të jashtëzakonshme, secili ka qenë i detyruar të jetë dëshmitar. Brezi ynë nuk pati mundësi të shmangej, të rrinte mënjanë, siç kishte ndodhur në kohërat e mëparshme, falë organizimit tonë të ri të sinkronizimit universal, ne ishim vazhdimisht të informuar për gjithçka ndodhte".

Kur bombat rrafshonin shtëpitë në Shangai, ata në Evropë, duke ndenjur në shtëpi, e merrnin vesh përpara se të plagosurit nga gërmadhat. Ajo që ndodhte një mijë milje përtej deteve vinte e shfaqej para syve të tyre, e mishëruar në figura të gjalla. Ishte koha kur nuk kishte vetmi të qetë, të cilën mund ta blije. Kjo sepse njeriu ishte i detyruar t‘u nënshtrohej vazhdimisht kërkesave të shtetit, të bëhej pre e një politike nga më idiotesket, t‘u përshtatej ndryshimeve nga më fantastiket, duke u ndodhur gjithnjë i lidhur si me zinxhirë pas një strumbullari.

Cvajg nuk mund të harrojë shtatorin e vitit 1939, të cilin e quan si pikën përfundimtare të epokës që e rriti.

Asnjë kujtim nuk mund të lexohet thjesht si i tillë. Ndërsa lexon Parisin e viteve kur jetoi Cvajg, ti ke dëshirë të udhëtosh në qytetin kur kamerieri nuk e shikon me imtësi bluzën tënde qoftë edhe të rrudhosur...

Ndaj ashtu si Cvajg mendonte, ky libër është një homazh i madh për Evropën dhe duhet lexuar si i tillë, në një kohë kur kjo e fundit sot shfaqet në një tjetër formë nga kujtimet e shkrimtarit. Njeriu është i aftë të ndryshojë rrjedhën e fatit të tij. Ndoshta këtë gjë e bëjnë dhe popujt, shtetet. Ndoshta këtë gjë ka mundur ta bëjë këto kohë dhe Evropa, atdheu me zemër i shkrimtarit. "Jam i vetëdijshëm lidhur me rrethanat e pavolitshme por tepër karakteristike për kohën në të cilat dua të hedh në letër kujtimet e mia. Po i shkruaj në mes të luftës, po i shkruaj në një vend të huaj dhe pa pasur minimumin e materialit arkivor për t‘i ardhur në ndihmë kujtesës", rrëfen ai.

Dhe në dhomën e hotelit ku ndodhej nuk kishte asnjë kopje të librave të tij, asnjë shënim, asnjë letër miqsh. Nuk mund të merrte në asnjë vend informacione, sepse shërbimet postare vuanin nga censura.

Por ...pavarësisht këtyre rrethanave, truri i tij kishte mundur të ruante me kujdes të gjitha ato momente që e kishin bërë të ndjehej i trishtuar. "Pra nga tërë e kaluara nuk kam gjë tjetër me vete, përveç atyre që ruhen në trurin tim. Në këtë çast për mua gjithçka tjetër është e paarritshme ose e humbur. Por brezi ynë ka mësuar mirë artin e shkëlqyer që të mos vajtojë gjithmonë për atë që ka humbur dhe ndoshta kjo mungesë dokumentesh e hollësish mund të kthehet madje në dobi të veprës sime...".

Cvajg foli me gjuhën e kujtimeve, që na bëjnë të besojmë se çdo hije që ka prekur jetën tonë është bijë e dritës, dhe vetëm ai që e ka provuar dritën dhe errësirën, luftën dhe paqen, shkëlqimin dhe mjerimin, vetëm ai ka jetuar me të vërtetë...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›