Presidencialet 2008, gara për të qenë më i pëlqyeri
Xhon Eduards vishet me xhinse edhe në takimet zyrtare, Majk Huckabeluan me kitarë në bandat e zonave të ndryshme elektorale para se t‘ia nisë me rreshtimin premtimeve, kandidatët e tjerë preferojnë të shoqërohen nga familjarët e tyre, apo miq e të afërm. Të gjitha këto për një arsye: të tërheqin sa më shumë simpatinë e turmave, të bëhen sa më shumë simpatikë para tyre. Pikërisht ky është edhe qëllimi i vetëm dhe tashmë i vjetër i garimeve presidenciale amerikane dhe jo vetëm. Sigurisht që kandidatët garojnë edhe duke ekspozuar kurrikulumet e tyre personale, përvojën dhe parimet e tyre të forta morale, por askush nuk mund të lejohet të hyjë në garë në rast se nuk arrin të kalojë testin e vështirë të karizmës, apo pëlqyeshmërisë te të tjerët. Në rast se nuk e kanë një "lejekalimi" të tillë, atëherë shanset për të parë nga afër Shtëpinë e Bardhë janë shumë të pakta. Sipas një profesori universiteti, "imazhi është shumë i rëndësishëm, ndërsa shpesh çështjet vijnë pas tij. Pjesa më e madhe e amerikanëve nuk është se janë të dhënë shumë pas politikës, apo fjalëve e premtimeve, ata më shumë përqendrohen te pamja, qëndrimet dhe sjellja e kandidatëve. Madje, po t‘i pyesësh, pak dinë të thonë se çfarë qëndrimin mban njëri ose tjetri kandidat në lidhje me çështje të ndryshme, madje edhe me çështje sociale". Para zgjedhjeve partiake që do të përcaktojnë edhe dy kandidatët republikanë dhe demokratë që do të marrin pjesë në zgjedhjet e vitit 2008, të gjithë kandidatët pa përjashtim po i japin një vëmendjeje shumë të madhe dukjes dhe madje kanë përpunuar politika të ndryshme për zona të ndryshme zgjedhore. Në mënyrë që të bëjnë sa më shumë votues për vete, atyre u duhet informacion mbi mentalitetin e zonave të ndryshme, mbi gustot dhe mendimin e përgjithshëm e mbizotërues që ka elektorati për njerëzit që do të donte të ishin në krye të vendit. Një nga skenat më të zakonshme e përvetësuar tashmë nga shumë kandidatë presidencialë, por veçanërisht nga republikani, Huckabe është ajo e vajtjes në mënyrë "të befasishme" në restorante e lokale të ndryshme të frekuentuara nga shtresa e mesme dhe ngrënia e një vakti me frekuentuesit. Sigurisht që duke ngrënë e duke bërë muhabet, bëhet edhe fushata e cila e nxjerr politikanin një njeri si gjithë të tjerët, që madje preferon të drekojë edhe me hamburgerë e ushqime të shpejta. Për sa u përket demokratëve, një sondazh i muajit shtator nxori senatorin dhe kandidatin e mundshëm presidencial, Barak Obama, në krahasim me të tjerët si më "miqësorin" dhe "të thjeshtin". Nga ana e republikanëve, flamurin për thjeshtësi e mbante ish-kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, Rudolf Xhuliani,i cili la pas senatorin Xhon Mçain, ish-guvernatorin Mitt Romnej dhe ish-senatorin e aktorin, Fred Thompson. Ndërkohë, sondazhe të tjera kanë nxjerrë në pah se Hilari Klinton ka më shumë aftësi të polarizojë votën sesa kandidatët e tjerë dhe se njerëzit që nuk e pëlqejnë ish- Zonjën e Parë janë shumë të bindur në opinionin e tyre. Kështu, i pyetur në lidhje me kandidaten Klinton, një zgjedhës tha: "Ajo është pandryshueshmërisht e pakëndshme dhe negative, si edhe i shoqi". Por nuk janë të gjithë partizanë të pëlqyeshmërisë. Sipas tyre, nuk është aspak e rëndësishme që kandidatët të mundohen të tregohen më miqësorë, ose më të dashur me njerëzit nga ç‘janë me të vërtetë çka do të thotë në njëfarë mënyrë të shtiren. Kandidati i mundshëm republikan, Mekejn për shembull, perceptohet nga të gjithë si një lider i fortë dhe kjo nuk ia dëmton reputacionin, përkundrazi ai e ka këtë lloj imazhi si një nga armët e tij më të forta të fushatës. Sipas mbështetësve të kësaj teorie, çelësi i një suksesi është nënvizimi i vetive më të mira të një kandidati, të vetive të cilat ai i ka me të vërtetë, por jo të gjithë janë të këtij mendimi. Për shembull ka kohë që ka dalë moda që kandidatët presidencialë për t‘u pëlqyer sa më shumë nga turma duhet të rrëfejnë ndonjë histori personale që të përmbajë dhimbje, njerëzillëk dhe triumf të së mirës të gjitha njëherazi. Dhe këtë histori ata duhet ta tregojnë vetë, ashtu si papritur. Në rastin e Hilari Klintonit, fakti se ajo mund të jetë gruaja e parë Presidente e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e bën që të ketë një ndikim jashtëzakonisht të veçantë te femrat dhe votuesit e një moshe mbi mesataren. Një shitëse në Ajova, e pyetur se kë kandidat preferonte, tha se asaj i pëlqente Thompsoni, porse votën preferonte t‘ia jepte një femre, për të vetmen arsye se ishin të së njëjtës gjini. "Ajo do të jetë gruaja e parë Presidente në Shtetet e Bashkuara dhe kjo është gjëja më e rëndësishme për këto votime. Ajo do të marrë maksimumin e pikëve". Për sa i përket Obamës, historinë e suksesit të jetës dhe karrierës së tij pavarësisht se është një njeri me ngjyrë, ai e ka pasur gjatë gjithë fushatës si një nga armët më të forta, ndërkohë që kandidatë të tjerë kanë rrëfyer beteja të tjera personale si ato me sëmundjet pa fatkeqësi të tjera. E gjithë kjo për qëllimin e vetëm të grumbullimit të përshtypjeve të mira nga ana e njerëzve. Rritja e pikëve në sondazh e kandidatit të mundshëm Huckabe bazohet kryesisht te personi i tij, por edhe te fakti se për të gjithë ai është një njeri me humor dhe shumë i komunikueshëm me masat, edhe pse ia doli mbanë betejës me mbipeshën, një nga problemet më të mëdha me të cilat përballet sot shoqëria amerikane.