Vladimir Putin, "Njeriu i Vitit"
Presidenti rus, Vladimir Putin, është zgjedhur nga revista "Time" "Njeriu i vitit" për 2007-ën, me motivacionin se e ka çuar vendin e tij në "tryezën e fuqive botërore". Putin, një ish-zyrtar i KGB-së, që u nxor nga errësira në vitin 1999 nga Presidenti i atëhershëm Boris Jelsin, do të shfaqet tani në kopertinën e revistës "Time" si personi që botuesit mendojnë se ka pasur ndikimin më të madh në ngjarjet e këtij viti, për të mirë apo për të keq. "Ai nuk është një prej atyre ‘djemve të mbarë‘, por ka bërë gjëra të jashtëzakonshme", thotë një ndër drejtuesit e revistës "Time", Riçard Stengel, që edhe lajmëroi përzgjedhjen e Putinit si "Njeriu i Vitit". "Ai është një car i ri i Rusisë, është i rrezikshëm, në kuptimin se nuk do t‘ia dijë për liritë civile, nuk do t‘ia dijë për lirinë e fjalës. Ajo që i intereson është vetëm stabiliteti. Por, stabiliteti është në fakt ajo për çfarë ka nevojë Rusia, ndaj edhe rusët e adhurojnë atë". Zgjedhja e Putinit, si "Njeriu i Vitit", vjen vetëm pak ditë pasi ai vetë lajmëroi se kishte ndër mend të vazhdonte të qëndronte në majat e politikës ruse, edhe pas përfundimit të mandatit të tij, në mars. Putin, deklaroi të hënën se në rast se aleati i tij i ngushtë, Dimitri Medvedev, do të fitonte në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm, atëherë ai do të shërbente si Kryeministër i Medvedevit. Presidenti rus ka mundur disa rivalë në garën për marrjen e titullit "Njeriu i Vitit", që akordohet gjithnjë nga revista "Time", ndër të cilët: ish-zëvendëspresidentin amerikan, Al Gore, autoren britanike J.K. Rouling (krijuesja e Herri Poterit), Presidentin kinez, Hu Xhintao, dhe komandantin amerikan në Irak, gjenerali David Petraeus. Zgjedhja e Putinit është shoqëruar në revistën "Time" nga një profil i gjatë i liderit të Kremlinit, nën titullin "Ka lindur një car". "Rusia jeton në histori dhe historia jeton në Rusi", shkruan Stengel, duke shpjeguar përse ishte zgjedhur Putin dhe jo Al Gore, që "ka shndërruar ngjyrën e gjelbër në të kuqe, të bardhë e blu (ngjyrat e flamurit amerikan); përse është zgjedhur Putin dhe jo J.K. Rouling, i cili ka përmbyllur sagën e saj të Herri Poterit e që ka ndezur shpirtrat dhe mendjet e miliona njerëzve; përse është zgjedhur Putin përballë Presidentit të vendit, që po përgatitet të presë Lojërat Olimpike dhe që në të njëjtën kohë shpërndan lodra "të helmatisura" në të gjithë botën. E përjavshmja saktëson se zgjedhja e "Njeriut të Vitit" nuk është dhe nuk ka qenë kurrë një nder, nuk është as një mbështetje e çfarëdolloj tipi, e as një konkurs popullariteti: "Është një vlerësim i mënyrës se si ecën bota, apo një vlerësim i individëve dhe forcave më të fuqishme që i japin botës formë, në të mirë dhe në të keq". E kështu, "Time" ka vendosur që këtë vit t‘i rikthehet traditës, duke zgjedhur një personalitet të vetëm në vend të një grupi të tërë, siç kishte bërë në 2006-ën, kur titullin ia tha "World Wide Web". Titulli "Njeriu i Vitit" është akorduar për herë të parë nga "Time", 80 vjet më parë.