"Poeteka" mbush 10 numra
Doli në qarkullim numri i 10-të i revistës "Poeteka", e vetmja e tillë në tregun e letrave që promovon krijimet poetike të një game të gjerë emrash dhe rrymash. "Poeteka", e themeluar dhe e drejtuar nga poeti Arjan Leka, ka një Këshill Botues në përbërje të së cilit janë disa nga emrat më të njohur të poezisë shqiptare, asaj evropiane e më tej.
Në numrin e 10-të të "Poetekës", një vend i veçantë i është lënë poetit të madh pers, Xhelaladin Rumiut, me 6 shkrime brenda ciklit: DOSSIER - UNESCO: 2007, Viti ndërkombëtar i poetit të madh persian. Po ashtu edhe në kopertinën e revistës, është vënë portreti i Rumiut.
"Poeteka" botohet 4 herë në vit. Ajo bën gjithashtu edhe paraqitjen e poetëve pjesëmarrës në Festivalin Ndërkombëtar "Poeteka", që zhvillohet në muajin prill të çdo viti në qytetin e Durrësit.
Revista botohet në version shumëgjuhësh: shqip për autorët e huaj dhe në gjuhë të huaj (anglisht, gjermanisht, italisht, frëngjisht, spanjisht, greqisht etj.) për autorët shqiptarë. E veçantë e revistës është edhe publikimi i konfrontuar i poezive që botohen origjinalit, duke u ofruar një mundësi më shumë si dhe duke u krijuar shijen e sfidës te përkthyesit, sidomos te të rinjtë.
Revista POETEKA shpërndahet në 58 qendra universitare në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Itali, Austri, Francë, Spanjë, Belgjikë, Kroaci, Slloveni, Bosnjë, Serbi, Britani e Madhe, Bullgari, Rumani, Greqi, Rusi, USA (New York, San Diego, Adelaide, Missouri, Alabama) Kanada (Quebec, Montreal, Toronto) etj.