E Diel, 1 Nëntor 2026

Del Piero: Duhet të përmirësohemi

Barazimi 1-1 i Juventusit në fushën e Katanias ka sjellë jo pak zhgënjim në ambientin e skuadrës bardhezi. Kjo është vënë re edhe në fjalët e Alesandro Del Pieros. Kapiteni bardhezi ka kërkuar që ekipi t‘i harrojë ëndrrat për titullin kampion dhe të jetë më i përqendruar: "Nuk duhet të flasim për triumfin në kampionat, tha sulmuesi. Duhet të punojmë dhe të përmirësohemi shumë". Një nga pikat e dobëta janë ndeshjet jashtë fushe, ku të besuarit e Ranierit kanë marrë 7 pikë më pak se Roma dhe 6 më pak se Interi, edhe pse kanë luajtur një ndeshje më shumë. Juventusit i nevojitej që të merrte tri pikët për t‘u bërë presion dy skuadrave të para në Serinë A, por me rezultatin e së shtunës ata u kanë bërë qejfin kundërshtarëve direktë, që dje kanë fituar. Bardhezinjtë kanë marrë vetëm 14 pikë në 9 ndeshje jashtë Torinos dhe 18 në 8 ndeshjet në shtëpi. "Nuk duhet ta cilësojmë këtë barazim si dramë, pasi skuadra ka treguar edhe gjëra të mira, vazhdoi numri 10. Gjithsesi, jemi të vetëdijshëm se kemi shumë punë për të bërë". Në skuadrën bardhezi duket se ka ardhur koha për të bërë edhe shumë zgjedhje: si për shembull qëndrimi apo jo i portugezit Tiago, që edhe në Katania ka zhgënjyer.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›