E Diel, 1 Nëntor 2026

Rebelimi i komanduar i trajnerëve

Kur kemi dëgjuar në ekran se trajnerët janë kundër vendimit të Federatës për grumbullimin e futbollistëve të kombëtares me trajnerin e ri, Ari Han, sikur nuk u kemi besuar veshëve. Si ka mundësi kjo kurajë qysh në fillim të 2008-ës? Në mendje të vinin ato grumbullimet e bujshme në Norçia kur mes borës dhe të ftohtit gjermani Brigel zbulonte talente. Më pas erdhën grumbullimet në Turqi dhe për fat procesi i zbulimit të talenteve i ngjasonte një sahati zviceran. Mjafton të grumbulloheshim përtej kufirit, suksesi ishte garantuar. Trajnerët e klubeve arritën të besonin se të huajt, brenda pak ditëve, janë të zot për të gjetur atë që ata nuk e gjenin tërë vitin. Kjo lojë hipokrizie bëhej më e bukur me ndihmën e presidentëve që urdhëronin trajnerët se klubi duhet të sakrifikojë për kuqezinjtë. Kështu u ligjëruan grumbullimet e janarit, aq sa as nuk kishte nevojë ta programoje në letër një gjë të tillë. Dhe vjen një ditë e veçantë kur shfaqen me radhë Hafizi i Tiranës, Canaj i Dinamos, Josa i Vllaznisë që janë kundër grumbullimit në Turqi të Kombëtares. Thonë se nuk u intereson më shumë puna e trajnerit të ri Ari Han sesa ajo e klubeve të tyre. Dikush habitet dhe pyet me dyshim: çfarë ka ndodhur më 2008-ën që trajnerët rebelojnë? Disa besojnë se qysh pas humbjeve të turpshme me Bjellorusinë e Rumaninë, është momenti më fatlum për të kundërshtuar. Të tjerë i japin jetë versionit se pas grumbullimeve të janarit... futbollistët vijnë të dëmtuar nëpër klube. Por duket se arsyeja e vërtetë nuk është as njëra e as tjetra. Pas rebelimit të trajnerëve, fshihen presidentët. Pikërisht ata që po tregohen më hatërmbeturit me shefat në federatë. Ndaj edhe në darkën tradicionale të këmbimit të viteve që organizojnë zyrtarët e futbollit, ndihej një mungesë kolektive… nuk ishin presidentët! Ata që zakonisht i fshihnin pakënaqësitë me një maskë harmonie. Zakonisht, "bosët" e klubeve kanë frikë nga ekranet, prandaj shpesh flasin nga gazetat. Këtë radhë ka qenë detyrë e trajnerëve që të veshin petkun e kurajës. "Ky grumbullim nuk është i programuar", thonë në kor, sikur t‘i ketë porositur dikush. Le të shohim se sa do të shkojë kjo lojë, që vetëm nga trajnerët nuk varet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›