Dënohet ish-ambasadori shqiptar
Për herë të parë, një ish-ambasador shqiptar është shpallur fajtor dhe është dënuar nga gjykata për akuzën e shpërdorimit të detyrës. Fatos Tarifa, ish-përfaqësuesi diplomatik i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është dënuar nga Gjykata e Tiranës me një gjobë prej 400 mijë lekësh. Vendimi ishte pothuajse i njëjtë me kërkesat e bëra nga akuza gjatë konkluzioneve përfundimtare të saj, ku kishte kërkuar dënimin e Tarifës me 500 mijë lekë gjobë. Në këtë mënyrë është mbyllur një çështje, e cila kishte nisur të gjykohej në dhjetor të vitit 2006, por që zanafillën e kishte në fillim të vitit 2005.
54-vjeçari Fatos Tarifa u akuzua pas një raporti të Kontrollit të Lartë të Shtetit, sipas të cilit në përfaqësinë diplomatike të Shqipërisë në Uashington ishin zbuluar shkelje dhe abuzime financiare, të cilat arrinin shifrën e 150 mijë dollarëve. Sipas këtij kontrolli, mbi bazën e të cilave u ngrit edhe akuza, Tarifa i kishte administruar vetë të gjitha fondet sipas dëshirës, duke kryer shkelje të disiplinës financiare. Inspektorët e KLSH-së deklaruan në atë kohë se kishin kryer një kontroll të gjerë, duke marrë në shqyrtim gjithë veprimtarinë financiare të ambasadës në tre vitet e drejtuara nga zoti Tarifa.
Skandali financiar në ambasadën shqiptare në Uashington u bë publik për opinionin në maj të vitit 2005, pas publikimit të një bisede telefonike midis ambasadorit Tarifa dhe një biznesmeni me kombësi shqiptare, por që jetonte e punonte në Amerikë. Një televizion privat publikoi asokohe bisedën e regjistruar, në të cilën ambasadori i kërkonte biznesmenit ryshfet në këmbim të pagesës së një fature, për punimet që firma e këtij të fundit kishte kryer në ambientet e ambasadës. Fillimisht ishte Ministria e Jashtme ajo që dërgoi një ekip kontrolli në përfaqësinë tonë diplomatike përtej Atlantikut. Ky ekip përgatiti një raport të hollësishëm për drejtuesit e ministrisë, raport i cili shoqëroi edhe propozimin për shkarkimin e ambasadorit, i cili u firmos nga Presidenti Moisiu. Kontrolli i Lartë, në raportin e tij, deklaroi se shkeljet kishin të bënin me abuzime që nisnin nga organizimi i pritjeve, pagesat e pajustifikuara ndaj të tretëve, shpenzime të larta të celularit dhe udhëtimeve. Mbi bazën e këtij raporti, prokuroria ngriti akuzën ndaj Tarifës, i cili dje u shpall fajtor dhe u dënua me 400 mijë lekë gjobë.
Nga ana e tij, ish-ambasadori i ka kundërshtuar gjatë gjithë procesit akuzat e ngritura, duke deklaruar se ai ishte i pafajshëm. Tarifa ka qenë për tre vjet ambasador i Shqipërisë në Holandë dhe më pas ambasador në SHBA. Gjatë procesit gjyqësor ai nuk është paraqitur asnjëherë personalisht në gjykatë dhe burime konfidenciale thanë për "Shqip" se ai, që pas shkarkimit nga detyra, nuk është kthyer më në Shqipëri, por ka vijuar të jetojë në Amerikë.