Fier, në analizë kampionet e shpendëve të ngordhur
Një kontroll i Ministrisë së Bujqësisë dhe Ushqimit ka zbritur mëngjesin e djeshëm në Fier për të verifikuar fenomenin e gjetjes së qindra pulave të ngordhura në bregdetin e Semanit.
Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të DRBUMK në Fier, e cila ka ngritur edhe një komision për të verifikuar gjendjen në vend. Sipas drejtorit Fatos Troka, mësohet se një plan masash janë deleguar nga Ministria e Bujqësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. Masat kanë të bëjnë me marrje mostrash nga të gjitha fermat e mbarështimit të shpendëve që operojnë në rajonin e Fierit, dhe ekzaminimin e tyre. Ekipi i kontrollit të Ministrisë së Bujqësisë ka shkuar në bregdetin e Semanit pranë grykëderdhjes së lumit Seman për të parë gjendjen nga afër. Gjetja e qindra pulave të ngordhura në bregdetin e Semanit është parë tri ditë më parë nga banorë e peshkatarë të kësaj zone. Një ditë më parë gazeta "Shqip" botoi lajmin ku banorë e peshkatarë pohuan se pulat e ngordhura kishin pushtuar bregdetin. Prej pulave të ngordhura që u gjetën në bregdetin e Semanit janë marrë mostra për t‘u kryer analizat laboratorike në Institutin e Veterinarisë pranë Ministrisë së Bujqësisë për të përcaktuar shkakun e vërtetë të ngordhjes së tyre.
Sipas drejtorit të DRBMK-së, Fier, Fatos Troka, mësohet se edhe prej këtij institucioni është ngritur një ekip kontrolli, i cili do të kalojë në sitën e tij të gjitha pularitë e Qarkut Fier. Ka qenë vetë kreu i Inspektoratit Veterinar në këtë drejtori, Musa Doko, i cili ka kërkuar kontroll dhe analizë të menjëhershme nga të gjitha fermat që regjistron Rrethi i Fierit, Lushnjës dhe ai i Mallakastrës.